Shkup, 13 dhjetor – Metodat që përgjithësisht përdoren gjatë mësimdhënies dhe mësim-nxënies në Maqedoni kanë mbetur shumë prapa metodave për një arsim të modernizuar, i cili prej shumë dekadash aplikohet me sukses në të gjitha shtete e zhvilluara të Evropës. Tahir Zajazi, ish-profesor universitar, pohon për gazetën KOHA se fatkeqësisht – në këtë drejtim kemi ngecur shumë prapa me kohën dhe trendët që ndiqen në shtete e zhvilluara. Në pjesën më të madhe të shkollave, pohon ai, përdoren ende format e mësimit frontal, respektivisht të atij modeli të mësimit ku roli i nxënësve është pasiv në klasë dhe të gjithë presin të dëgjojnë për atë që thotë arsimtari. Pra, në vend të modelit interaktiv të zhvillimit të orës së mësimit, në pjesën dërmuese të shkollave jemi kthyer në modelet e vjetra, atë të mësimit pasiv dhe memorizmit të fakteve. Një prej shkaqeve që ka sjell në këtë situatë, sipas arsimtarëve është edhe mungesa e kushteve për mësim interaktiv. E para e punës, në thuajse të gjitha shkollat punohet me numë të madh nxënësish në klasë. “Në klasa me nga 30 nxënës nuk ke si të zhvillosh mësim interaktiv, pasi ky model kërkon punë në grupe. Ne kemi ende sholla ku ulen nga tre nxënës në klasë”, sqaron Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”. Përveç kësaj, nuk janë të reformuar as kurikulat dhe tekstet shkollore. Metodat e punës që duhet të zgjedh një arsimtar, janë të kushtëzuara nga kushtet dhe përmbajtjet mësimore, vëren Dardhishta. Mirëpo, pavarësisht kësaj, prof. dr. Zajazi, vlerëson se arsimtarët me vetë iniciativë edhe mund të përdorin forma më atraktive të mësimit. “Arsimtari ka në dorë ta bëjë ose jo interesant një lëndë mësimore dhe përmes metodave të mësimit. Mirëpo, arsimtarëve tanë shpesh herë u mungon motivimi për një gjë të tillë”, shprehet ai. Kjo, sipas tij, sjell deri në mësimin përmes memorizimit të fakteve, pra mësimit përmendësh në vend të mësimit me logjik. Mësimdhënësit, vetëkritik pranojnë se punohet ende me metoda të prapa mbetura. Megjithatë, e kanë një shpjegim. Përveç mungesës së kushteve për punë me metodat moderne dhe programeve të stërngarkuara arsimore, kthim prapa është shënuar katër-pese viteve të fundit. Shkaku për këtë, thonë se është vlerësimi ekstern i nxënësve. “Vendosja e vlerësimit ekstern nëpër shkolla ka bërë që të mos i kushtohet kujdes metodave të avancuara të mësimit dhe nxjerrjes në pah të kreativitetit të nxënësve. Sepse, me testimin e nxënësve në fund të vitit, arsimtarët janë të preokupuar që nxënësit të mësojnë sa më shumë fakte, t’i memorizojnë gjërat sikurse shkruhen në libër, me qëllim që të mund të japin përgjigje të sakta gjatë testimit”, shpjegon Dardhishta nga LASH-i. Kësisoj, qëllimi final i mësimdhënësi nuk është më mësimi i shkathtësive dhe diejve, por përafrimi i mësimit me kërkesat e testimit ekstern. Ky i fundit, në instancë të fundit ka memorizimin e fakteve pasi testet me pyetje të mbyllura janë instrumenti i vetëm që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka zgjedhur për të realizuar vlerësimi ekstern të nxënësve. Me këtë metodë do të vazhdohet edhe në të ardhmen, pasi nuk pritet të ketë ndryshim as për vitin shkollor 2016/2017. Në MASH thonë se për të ndryshuar gjendjen janë duke punuar në drejtim të reformimit të kurikulave në arsimin fillor dhe të mesëm me qëllim të shtimit të komponentëve që do të stimulojnë aftësimin e mësimdhënësve për qasje të reja të punë me nxënës, në funksion të zhvillimit të shkathtësive dhe dijeve të nxënësve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.