Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, jetojnë në bashkësi dhe shtëpi shumë të vogla. Të dhënat e fundit nga hulumtimi i EUROSTAT, tregon se 51 për qind e të rinjve nën moshën 30 vjeçare jetojnë bashkërisht me prindërit dhe në një në banesë të vogël. Sipas të dhënave, vendi ynë është një ndër vendet me numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë me prindër dhe në hapësira të vogla
Zenel MIFTARI
Shkup, 28 maj – Mosha gjatë së cilës ju largoheni nga shtëpia varet shumë nga vendi ku jetoni, kështu thonë të dhënat statistikore të Eurostat. Në dekadën e fundit, ka pasur një rënie të moshës mesatare në të cilën të rinjtë largohen nga shtëpia e prindërve. Mosha mesatare e braktisjes u zvogëlua për 0,5 vjet për djemtë afërsisht mosha 27 vjeçare dhe për vetëm 0,1 vjet për vajzat të moshës deri në 25 vjeçare. Në përgjithësi, Eurostati thotë se, vajzat e reja largohen nga shtëpia e prindërve më herët se djemtë. Martesat, studimet akademike, pavarësia financiare, kushtet e tregut të punës, kostoja e strehimit dhe kostot e jetesës së përgjithshme janë të gjithë faktorë që përcaktojnë moshën në të cilën një i ri largohet nga familja. Në shumicën e vendeve anëtare të BE-së veriore dhe perëndimore, mesatarisht të rinjtë largohen nga shtëpia në fillim të 20-tave. Por në vendet e BE-së jugore dhe lindore, mosha mesatare për të dalë nga shtëpia është në fund të të 20-tave ose në fillim të të 30-tave.
“Të rinjtë përballen me një sërë sfidash që mund të rezultojnë në disa prej tyre që qëndrojnë më gjatë në shtëpinë e prindërve ose rikthehen në të”, thotë studimi i Eurostatit.
Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, jetojnë në bashkësi dhe shtëpi shumë të vogla. Të dhënat e fundit nga hulumtimi i Eurostat, tregon se 51 për qind e të rinjve nën moshën 30 vjeçare jetojnë bashkërisht me prindërit dhe në një në banesë të vogël. Sipas të dhënave, vendi ynë është një ndër vendet me numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë me prindër dhe në hapësira të vogla. Të dhënat nga Eurostati, tregojnë se të jetuarit në një familje më të gjerë është e zakonshme në Ballkan. Bashkërisht me Maqedoninë e Veriut, në të njëjtën grup janë edhe Serbia, Bulgaria dhe Rumania. Përqindja e Bashkimit Europian, tregon se afër 17 për qind e të rinjve jetojnë në hapësira të pa mjaftueshme.
Sociologu Naser Rushani, për gazetën KOHA, thotë se tek ne për një kohë të gjate është promovuar koncepti i familjeve të zgjeruara dhe familja bërthamë ka filluar vonë të promovohet në shoqërinë tonë. “Kjo mënyrë e të jetuarit ka ndikuar edhe te fëmijët që të zhvillohen në këtë mënyrë. Problemi tjetër në shoqërinë tonë, është qëidentitetin e krijojmë mbi familjen dhe vlerat tona që ju japim prioritet janë guximi, trimëria, nderi e kështu me radhë”, është shprehur ai. Ndërkaq duke e bërë krahasim me shoqëritë në perëndim dhe duke treguar se pse atje kemi një shkëputje më të hershme e të rinjve nga familja, sociologu Rushani, thotë që në shoqëritë perëndimore dominon racionaliteti, meritokracia dhe vlerat individuale dhe jo atafamiljare. “Elementi tjetër i rëndësishëm është se shkollimi jo cilësor dhe mos përputhja e tij me tregun e punës ka bërë që të rinjtë të varen nga familja dhe mos besimi ne institucione shtetërore ka bërëqë të rinjtë të lidhen për një “institucion” tjetër që është familja”, mendon Rushani. Në fund ai shton që shoqëritë tona janë të lidhur për besëtytni dhe tradita konservatore dhe si popull emocional e kemi shumë vështir ti thyejmë tabut dhe besëtytnitë që dominojnë në mesin tonë. Sipas studimeve, të rinjtë në Perëndim përmendin shumë arsyeje se pse dëshirojnë të largohen nga shtëpia. Dëshira për të jetuar vet, nga të rinjtë është kuptuar si shpëtim nga përgjegjësit të cilat i kanë në shtëpi. Por, e vërteta është se po të largohesh nga shtëpia, ka goxha të ngjarë të kesh më tepër liri. Më e rëndësishmja, sipas ekspertëve është vetëdisiplina,e cila është thelbësore për ata që dëshirojnë të jetojnë vet dhe të pavarur. (koha.mk)