Shkup, 24 shtator – Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, dy ditë më radhë në Prishtinë merr pjesë në konferencën e organizuar nga Federata për paqe universale (Evropë), në partneritet me Asociacionin ndërkombëtar të deputetëve për paqe (ECOSOC), kumtoi pres-shërbimi qeveritar. Xhaferi të shtunën mbajti fjalim në konferencën me temë “Kultura dhe paqja në Ballkan – Roli i deputetëve”. “Paqja është një nga vlerat më të mëdha të civilizimit njerëzor. Ajo është vlerë e pandashme dhe universale e cila në të njëjtën kohë, për shkak të sjelljes së njerëzve është edhe shumë e brishtë. Ne që jetojmë në Ballkan, atë brishtësi e ndjemë në historinë më të re, më saktë, prej shpërbërjes së Jugosllavisë së mëparshme ndërsa çmimi ishte i lartë, me mijëra jetë të humbura, shtëpi të rrënuara, resurse të shkatërruara. Por, mendoj se me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare kuptuam se gjithçka, bile edhe çështjet dhe dallimet më të vështira, në fund zgjidhen me dialog. Domethënë, zgjidhja për çdo konflikt duhet të kërkohet ekskluzivisht vetëm nëpërmjet dialogut”. Xhaferi theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë definuar anëtarësimin në organizatat Euroatlantike si përcaktimin tonë strategjik. “Ky është përcaktim i cili na bën edhe më të përgjegjshëm për arsye se, në njërën anë punojmë në shtëpi për të krijuar kushte për stabilitet dhe zhvillim të brendshëm, ndërsa në të njëjtën kohë, kemi përgjegjësi të punojmë edhe për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Nuk ka nevojë t’ju rikujtoj se këto janë principe dhe standarde që janë të domosdoshëm për tu bë anëtar i organizatave Euroatlantike”, tha Xhaferi në fjalim. Ai tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë definuar anëtarësimin në organizatat euroatlantike si përcaktim strategjik. “Në anën tjetër, jemi të vetëdijshëm dhe real se në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve, akoma ka çështje të hapura dhe probleme. Do e përmend kontestin rreth emrit që e ka Republika e Maqedonisë me Greqinë. Kjo çështje e hapur është arsyeja që Maqedonia ngec në procesin e integrimit në BE dhe NATO. Më tutje, raportet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në një mënyrë gjithashtu i ngarkojnë të dy shtetet në proceset integruese dhe kjo ndikon mbi stabilitetin e përgjithshëm në rajon. Dhe, të jemi të sinqertë, për arsye se ne jemi parlamentarë ndërsa diplomacia parlamentare, për dallim nga diplomacia klasike, është shumë më e hapur dhe më elastike, çështjet e pazgjidhura bilaterale mundet për momentin me të vërtetë drejtpërdrejt nuk e rrezikojnë paqen, por përsëri krijojnë një imazh më pak pozitiv për çdo shtet veçmas, si edhe për tërë rajonin”, theksoi ai. Kryeparlamentari Xhaferi përkujtoi se Parlamenti i Maqedonisë, edhe në këtë periudhë të mandatit do të vazhdojë me aktivitetin e vet ndërkombëtar në të gjitha nivelet. Në ndërkohë, në konferencën e Prishtinës, kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i është ndarë pllakat “Ambasador për paqe” nga ana e Federatës për paqe universale (Evropë). (koha.mk)