Vedat MEMEDALIU
Shkup, 3 dhjetor – Çështja e emrit do të duhet të zgjidhet deri para fillimit të verës vitin e ardhshëm, në të kundërtën, Maqedonia do të humb shansin për anëtarësim në NATO. Kështu i është thënë Qeverisë së Zoran Zaevit në secilin takim me ndërkombëtarët, ndërsa më i zëshëm në këtë drejtim shprehet euromisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Han, shkruan gazeta KOHA. Ditë më parë, në një intervistë për gazetën austriake “Viner Cajtung”, Han ka përsëritur se BE pret që në gjysmën e parë të vitit 2018 të gjendet zgjidhje politike me Greqinë për hapjen e negociatave me Maqedoninë për anëtarësim në BE dhe me këtë, Maqedonia të bëhet pjesë edhe e NATO-s. Ngutja, siç ka përmendur edhe Han, bëhet pasi në verë, fillon fushata parazgjedhore në Greqi ndërsa tashmë është e qartë se kryeministër grek nuk do të jetë Aleksis Cipras, lider ky që është treguar më i hapur dhe i gatshëm për zgjidhjen e kontestit të emrit me Shkupin zyrtar.
“Tani kemi dritare të mundësive nga mesi i vitit të ardhshëm kur fillon fushata zgjedhore në Greqi. Gjithnjë e më tepër kuptohet nevojitet se zgjidhje politike duhet të gjendet”, thotë Han në intervistë, ndërsa thekson se tashmë është përmirësuar edhe klima politika mes Shkupit dhe Athinës. “Marrëdhëniet mes Greqisë dhe IRJM-së janë përmirësuar shumë, falë përpjekjeve aktive të Qeverisë së re në Shkup”, deklaroi Han, duke shtuar se edhe tek Qeveria në Athinë ka vullnet për gjetjen e zgjidhjes politike. Eurokomisari përkujton se Komisioni Evropian deri më tani ka dhënë nëntë rekomandime për fillim të negociatave me Maqedoninë, ndërsa thekson se edhe shtetet anëtare të BE-së tani e kuptojnë se vendet nga Ballkani Perëndimor duhet të kenë perspektivë të qartë për eurointegrim në mënyrë që të sigurohet stabilitet afatgjatë në rajon. Si shembull të mirë në të cilin u tregua roli pozitiv i BE-së, eurokomisari e theksoi tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. “Me tejkalimin e krizës, u bë e qartë se angazhimi i BE-së mund të bëjë dallim dhe se vendet nga rajoni duhet të kyçen në rrjetin e sigurisë evropiane”, thekson Han. Në Qeveri, pranojnë se prioritet mbi prioritetet mbetet zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, edhe atë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, gjithçka do të dihet pas takimit të negociatorëve nga Greqia dhe Maqedonia me ndërmjetësin Metju Nimic më 10 dhe 11 dhjetor në Nju Jork. “Bisedimet janë në drejtim të mirë dhe prioriteti i Qeverisë dhe i partnerëve të koalicionit tashmë dihet – zgjidhja njëherë e përgjithmonë e problemeve me fqinjët. Me Athinën zyrtare kemi kontakte të vazhdueshme dhe synimi ynë, të ndihmuar nga ndërkombëtarët, është që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm ky problem të mbyllet dhe ne të jemi pjesë e NATO-s. Megjithatë, gjithçka do të bëhet e qartë në takimin e negociatorëve me ndërmjetësin Nimic më 10 dhe 11 dhjetor”, thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë. Jozyrtarisht, ndërmjetësi Nimic e ka gati emrin i ri për Maqedoninë, ndërsa ka mbetur vetëm të “hekurosen” detajet se si do të publikohet dhe në çfarë mënyre do arrihet marrëveshja. Edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim, ashtu sikur edhe Aleanca për Shqiptarët ka disponim për mbështetje të fortë të Qeverisë për zgjidhjen e shpejtë të kontestit të emrit. Madje, mbështetje në këtë drejtim ka dhënë edhe Lëvizja BESA dhe PDSH e Menduh Thaçit.
“Zgjidhja e emrit gjithmonë ka qenë prioritet i liderit Ali Ahmeti dhe BDI-së. Dihet se kontesti me Greqinë për kaq vite na ka mbajtur të bllokuar si shtet. Anëtarësimi i vendit në NATO do të thotë siguri, investim dhe zhvillim e përparim për të gjithë, kështu që kjo është njëra nga arsyet kryesore që mbështesim bisedimet dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me Greqinë”, thonë në BDI. Në këtë vijë ishte edhe deklarata e djeshme e sekretarit amerikan të shtetit, Reks Tilerson në takimin me shefin e displomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. “Maqedonia është në rrugë të drejtë për të qenë shembull i suksesshëm për rajonin, ndërsa SHBA-ja do të vazhdojë të ketë rol pozitiv për stabilitetin dhe progresin e rajonit dhe të kërkojë mënyra t’i ndihmojnë. SHBA-të mbështesin agjendën reformuese në Maqedoni, ndërsa i bëjmë thirrje Qeverisë të vazhdojë me zbatimin e saj”, tha Tilerson. Dimitrov ndërkohë u përqendrua edhe në gjendjet aktuale politike në Maqedoni dhe rajon, ndërsa gjithashtu e njoftoi Tilersonin edhe me aktualitetet në procesin e tejkalimit të dallimeve rreth emrit me Greqinë. “Maqedonia është mike dhe partnere e SHBA-së, jemi të bindur se me ndihmën tuaj, lidershipin dhe mbështetjen e aleatëve evropianë, shpejt do të jemi pjesë e familjes së NATO-s. Përkushtimi dhe vendosmëria jonë është e madhe dhe kemi për qëllim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na jepet”, tha Dimitrov. Duke informuar për reformat në Maqedoni, Dimitrov theksoi se “vendi dëshiron të ndërtojë institucione të fuqishme dhe demokratike, ta përforcojë qeverisjen e së drejtës dhe ta bëjë Maqedoninë anëtare të dëshiruar fuqiplote në bashkësinë euroatlantike”. Në kontekst të marrëdhënieve me fqinjët dhe gjendjet në rajon Dimitrov nënvizoi se “moszgjidhja e problemeve tërheq përgjegjësi politike”. (koha.mk)