Ah dhe përsëri, kjo është dekada e gjeneratës sime në thelb, …transformimet e kapërcimet e mëdha në shtet nuk kanë kaluar hë për hë tek ne e pa lënë gjurmë. Madje këta gjurmë të rënda na shkolluan të mësojmë t’a duam përkatësinë tonë identitare edhe më shumë …dhe është koha të mësojmë indiferentin të mendojë ndryshe! Me mendje të shëndoshë …të shëndoshë …me bukëbardhë për veten e vendin ku jeton me shekuj!
Nga Adelina MARKU
Është e vërtetë , Maqedonia po mer frymë disi ndryshe. Uroj të mos jetë iluzion ky momentum i madh politik! E gjej kësaj rradhe si në kërkim të ri identiteti shtetëror, ndërsa atë kulturor ka filluar edhe t’a lazdrojë duke e përdorur më lirshëm fjalen “multikulturore” pa e definuar qartë funkcionalitetin e këtij koncepti. Nuk din , nuk din …s’ka si të dijë, funkcionaliteti kërkon besnikëri ndaj demokracisë liberale dhe jo zëvendësim me afera korruptive ! Në mendimin tim, ky kuptim i stërvonuar i njohjes vetes ka shkaktuar trauma të mëdha në shoqëri që kanë bërë shtetin mangëtar në sytë tanë e ky, vështirë na lidh me veten përsëri . Masnej traumat janë të arsyetume gjithmonë dhe pikërisht këtu qëndron problemi I terapisë , pra kur shërimi bëhet përmes arsyetimit të traumave pasi të kaluarën nuk mundesh ta ndryshosh dhe shkaktarin e traumës s’ke si e vret ose eliminosh apo, ai/ajo është pjesë e së kaluarës. Ja psh, unë dhe ti i/e nderum/e lexus/e deri në dekadën time/tonë të pestë është hera e katërt ,në mos gabofsha, që po e kaloj/më kakofoninë e ndërrimit të emrit të shtetit…e trauma ime/jotja është shumëfishe e më shumështresore se e atyre që e lidhin identitetin e tyre kulturor me atë shtetëror – pra se e maqedonasve , ngase identiteti im kulturor (ai nacional pra) nuk kanë të bëjnë fare me emrin e shtetit dhe …ky moment, kokëfortësisht natyrshëm të krijon pandjeshmërinë ndaj këtij ndërrimi të rradhës . Pandjeshmëria në esencë është indiferencë. Të jetosh me pandjeshmërinë ndaj ndërrimit të shpeshtë të emrit të shtetit nuk duhet përkthyer si vyrtyt qytetar /ose shtetanësh , bile as nacionalizëm sepse kjo ndjesi në thelb mund të përkthehet edhe si mungesë ndjenje përkatësie ndaj shtetit me emër ndryshan. Sa ka të bëjë kjo pandjeshmëri ndaj ndërrimit të emrit të shtetit me lojalitetin ose ndjenjën “patria” ndaj shtetit, është përsëri temë e gjatë e delikate që nevojitet folur shumë e me zë e pa frikë . Pra, ne shqiptarët duhemi debatuar më shumë me njëri tjetrin e me vërtetësi kardinale të hedhim tezat për t’i ballafaquar e në drejtim të kësaj teme kapitale politike. Mua më duken të pashije e anakronikë, të mërzitshëm biles të gjithë ata analistë shqiptarë që dalin e folin se ne do bëjmë të suksesshëm referendumin, sepse kjo analizë lolosh është sipërfaqësore, është e tillë që tregon kuturu vektorë mbështetës një fenomeni të cilin pamjaftuesëm dijmë t’a lexojmë edhe vetë! Nuk mundemi të relativizojmë traumat më ! Ky është konstatimi im . Ato mund të jenë të dhimbshme , mund të provokojnë edhe ndjesi armiqësore ndaj shtetit (sepse e kaluara lidh traumat) por, shtrydhja e kësaj analize dhe mbajtja brënda – do na len gjithmonë sipërfaqësorë në kuptimin e cilësishëm të përkatësisë sonë ndaj shtetit! LOLO! Ose në përkthim , do na bëjë utilitarisht të lidhur me shtetin ( pra interesi parësor, por cili interes se?!) e ekzistencijalizmin ( dëshirën për t’u lidhur e ndërtuar) nuk do mund t’a definonim asnjëherë, ngase …duke qenë i ngjitur politikish pas një interesi ( partitë politike e liderët e tyre), do vazhdojmë egërsisht e pamëshirshëm të mekim edhe më shumë prodhimin tonë identitaro- kulturor e do asimilohemi ngadalë ngadalë në një organikë grupore të ndryshme nga rrënjët dhe origjina jonë shekullore. Bile të pa lidhur strukturalisht pas identitetit kulturor e ku më atij shtetëror! Sigurisht që ky transformim vjen kur indiferenca mbetet e pakuptuar nga vetë ne , prandaj ushqehet dhe bëhet frymëzim ironie , kur çdo gjë shihet me syzet e relativizmit politik të çdo gjëje ! Ky është primitivizëm , dhe është fatkeqësi të shohësh primitivizëm politik në mes nesh!
Jemi në fazën kur kalojmë nga SHTETI I KAPUR në SHTET TË Ç’KAPUR! Ky kapërcim, nga shtrydhja e drejt në liri (!?) mund të mbetet një iluzion i ri politik, dhe si i tillë i rrëndë poqese nuk kuptohet me qartësi nevoja kapitale për barazi kulturore dhe ekonomike e popujve ne shtet! Ky dimension nevojitet analizuar më shumë , sidomos ndikimi i ndërrimit të emrit të shtetit dhe efekti që shkakton ky ndërrim tek popullata shqiptare ngase ndryshimet politike kanë të bëjnë me psikologjinë e njeriut …Ajo , për fat të mirë ose të keq është me kujtesë reverzibile tek secili nga ne dhe mjafton të vijë një moment pakënaqësie radikale dhe çdo gjë të marë fund ! Maqedonia, të nderuar miq e mikesha ka rritë kataklizmike , pra ajo gjithmonë rritet/ngjallet tek bie buzë gremine …dhe për më keq , shpëtohet nga ata që duan t’a shohin Maqedoninë ndryshe, ndërsa ne që jetojmë në të – bashkarisht nuk arrijmë dot të ndërtojmë një rrëfim të vetëm që flet me një gojë barazie për veten dhe zhvillimin ekonomik nga i cili barabarësisht të gjithë do përfitonin njësoj.
Me gjasë shumica e shqiptarëve e kalojnë këtë traumë sërish, mos thënça të gjithë dhe po me aq indiferencë do e pranojnë ndërrimin e emrit të shtetit, por edhe kalimin, pra pranimin e emrit të ri. Besoj brenda vetes juve ndjeni monologun tallës mbi këtë fenomen, pra të tipit “Gjynaf, prap ndëruan emrin!”…pra nuk themi “Gjynaf, prap ndërruam emrin”…madje përqeshemi brenda vetes- sikur kësisoj duam të mos ofendojëm palën për të cilën mendojmë se ndëruakan emrin e shtetit. Ky naivizëm yni, i tipit madje fanatik, mos thënça banal… flet për ndërgjegjen tonë sipërfaqësore e pamjaftueshëm të kultivuar politikisht e cila vazhdon të projektojë shtetin si “të atyre që ndërojnë emrin “ dhe jo tonin ! Se a do i lidh më shumë emri i ri i shtetit shqiptarët me funksionalizmin multikulturor, përgjigja është e lehtë për t’u konstatuar. Sigurisht që jo, sigurisht që jo…sepse , në gjuhën e profesorit Zhozef Naj tjetër është populizmi politik e tjetër është realiteti politik! Nëse e trajtoj ndërrimin e emrit si tezë të re politike e në ardhje pra, do më duhet paraprakisht të përgatis veten për një vërshim të rri të narativës politike, asaj pro NATO e pro EU, qoftë nga të majtët , qoftë nga të djathtët ose ata të qendrës. Dhe , në gjuhën e Zhozef Naj, gabojmë kur konsiderojmë populizmin si antielitizëm “sepse ne duhemi të mësohemi të bëjmë dallimin e populizmit të së majtës e të së djathtës” – thotë Naj – “Populizmi është i shëndetshëm për demokracinë madje, por i njëjti mban rrezikun e sh’ndrimit në lugat e përbindësh atëherë kur elitistët ( të majtët kryesisht) nuk vëmenden mjaftueshëm në konceptin e barazisë qytetare, në të drejtat e natyrshme e të trashëguara të qytetarit, në gëzimin e identitetit kulturor”, në atë që kjo qeveri e quan multikulturalizëm, pa i shtuar mbiemrin funkcional!
Ah dhe përsëri, kjo është dekada e gjeneratës sime në thelb, …transformimet e kapërcimet e mëdha në shtet nuk kanë kaluar hë për hë tek ne e pa lënë gjurmë. Madje këta gjurmë të rënda na shkolluan të mësojmë t’a duam përkatësinë tonë identitare edhe më shumë …dhe është koha të mësojmë indiferentin të mendojë ndryshe! Me mendje të shëndoshë …të shëndoshë …me bukëbardhë për veten e vendin ku jeton me shekuj! I thonë përkatësi autoktone, në paçe harruar…
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)