Formulat e kompromisit asnjëherë nuk i kanë bërë të lumtur njerëzit që kanë patur ambicie dhe pritje të mëdha, kurse shqiptarët do të vazhdojnë ti konsiderojnë propozimet e reja për emrin si sfida që testojnë edhe gatishmërinë e tyre për të ofruar zgjidhje. Hë për hë ata nuk kanë ndonjë zgjidhje prandaj edhe janë disi të hutuar. Nuk janë as për, as kundër, ndonëse një ditë do të gdhijmë me një emër të ri të shtetit pa na pyetur nëse na pëlqen apo jo ai emër
Nga Emin AZEMI
Maqedonia si shtet duhet ta ketë një emër, kurse lidhja e identiteteve të ndryshme për këtë emër ka qenë dhe mbetet kufiri që shënon divergjencat. Historia e mospajtimeve rreth emrit të shtetit ka qenë e stërngarkuar me mendësi që mungesën e kapaciteteve shtetndërtuese e ka kompensuar me mitologji. Konjukturat politike maqedonase janë munduar në kontinuitet ta paraqesin Maqedoninë si projekt që me automatizëm duhet të prodhojë mirëqenie vetëm për bashkëkombësit e tyre, me arsyetimin se të gjitha etnitë tjera jomaqedonase kanë edhe nga një atdhe rezervë. Formulimet e përbashkëta që duhej të shprehin realitetin shumetnik e shumëfetar, jo vetëm që nuk janë trajtuar si zgjidhje serioze, por ato janë shikuar edhe si variant që dobësojnë shtetin e tyre – Maqedoninë. Mosgjetja e një emri të përshtatshëm për emrin e shtetit kaloi edhe nëpër furtunat e përçarjeve e ndarjeve brendamaqedonase, ndërkohë që degëzimi ideologjik i maqedonasve si komb, ka ardhur duke nxjerrë shartime të panatyrshme në trungun etno-psikologjik dhe për pasojë tani kemi dy mendësi diametralisht të kundërta.
Kjo dikotomi ideologjike brendamaqedonase pati koston e saj të pallogaritshme në ridimensionimin institucional të shtetndërtimit. Këtë “avari” të madhe në mekanizmin e mbamendjes së tyre historike, intelektualët dhe politikanët maqedonas janë munduar ta fshehin për vite të tëra, duke i ikur debatit publik dhe zëvendësimin e tij me njëfarë fushate të dyanshme partiake, që në thelb ka pasur pikërisht këtë papajtueshmëri të brendshme.
Atë që partia konzervative VMRO e quan zgjim kombëtar, partia tjetër liberale – LSDM, e kualifikon si regres dhe shpërfytyrim të historisë së vërtetë. Prirjet antagoniste shkuan deri atje sa të mos ketë një konsensus minimal, sa i përket historisë së përbashkët dhe përplasjet e diskurseve nuk kishin një vokacion shkencor e akademik, por puro politik.
Tash së fundmi po qarkullon një version jozyrtar i emrit që në shikim të parë sikur i pajton palët e konfrontuara. “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, duket të jetë më afër një konsensusi brendamaqedonas, ndërkohë që shqiptarët ndodhen në udhëkryqin e historisë dhe gjeografisë dhe për pasojë ata duhet të vendosin nëse do të jenë bashkëpjesëmarrës në krijimin e simbolikës së re të emrit, apo do të jenë abstenues të kësaj simbolike. Edhe historianët janë të ndarë rreth idesë nëse Republika e Krushevës, e njohur si Ilindeni i parë, e që erdhi në jetë pas kryengritjes së vitit 1903, ishte produkt i përpjekjeve të përbashkëta për liri e pavarësi të popujve që jetonin në këto hapësira, apo ishte një projekt jetëshkurtër që kishte për synim krijimin e shtetësisë maqedonase me atribute etnike.
Tani, shkuarja në histori për të zgjidhur një kontest ndërshtetëror, mund të jetë një ndër rastet e rralla të gjetjes së kompromisit, ndërkohë që të gjithë ata që do të kenë dilema rreth këtij propozimi të ri, ose duhet të pajtohen me logjikën e bashkëjetesës me kontradiktat që sjell ndryshimi, ose duhet të imponojnë projektin e tyre që do të jete sërish objekt diskutimesh e konfrontimesh.
Një shtet si Maqedonia që duhet të ketë një emër të ri, patjetër e ka të zgjidhë dilemat që i shtron koha, kurse proceset nëpër të cilat duhet të kalojë ky shtet janë më me urgjencë se sa të gjitha mospajtimet. Formulat e kompromisit asnjëherë nuk i kanë bërë të lumtur njerëzit që kanë patur ambicie dhe pritje të mëdha, kurse shqiptarët do të vazhdojnë ti konsiderojnë propozimet e reja për emrin si sfida që testojnë edhe gatishmërinë e tyre për të ofruar zgjidhje. Hë për hë ata nuk kanë ndonjë zgjidhje prandaj edhe janë disi të hutuar. Nuk janë as për, as kundër, ndonëse një ditë do të gdhijmë me një emër të ri të shtetit pa na pyetur nëse na pëlqen apo jo ai emër. (koha.mk)