Në kontekst të dy ngjarjeve të mëdha, emrit dhe gjuhëve, pasuri për të gjithë në Maqedoninë, veriore ose jo, do të jetë, atëherë kur qoftë edhe si gjest, zyrtarët maqedonas në dokumentet e tyre do të vënë edhe gjuhën shqipe në përdorim, kurse ata shqiptarë të ndjejnë të njëjtin shqetësim për emrin dhe procesin. Por, a ishte dhe a është kështu? Nuk e di. Veç uroj realisht, që zhvillimet, “historike” ose jo, të kenë dhënë mësim për një të ardhme më të mirë
Nga Nazim RASHIDI
Viti filloi me përplot ngjarje me rëndësi, madje me peshë të madhe historike. E di, të ngopur jemi me ngjarje të tilla, sepse vazhdimisht prodhojnë tension si të brendshëm personal, të brendshëm shoqëror brenda etnik e të pastaj edhe të jashtëm e ndëretnik.
Si duket jemi të ndarë mes atyre dy thënieve, “me fat që jetojmë në kohë interesante” dhe “të mallkuar që jetojmë në kohë interesante”. Por si duket duhet rënë të qetë, se ky është fati ynë dhe si rrjedhojë do përballemi me të dhe do ecim paralel me ngjarjet që në mos historike, prodhojnë histori.
Dhe dy janë të tilla. Marrëveshja e Prespës njëra dhe ligji për gjuhët tjetra. Por në fakt për shqiptarët u ndërlidhën të dyja, në prag të miratimit të ndryshimeve kushtetuese edhe pse në dukje të palidhshme. Ideja e asaj që dua të them është se çfarë mësuam?
E para fare është se të gjithë tashmë duhet ta dinë se Maqedonia, e Veriut ose jo, është një vend që edhe për një kohë do të kërkojë përpjekje shtesë që demokracia apo dhe një shoqëri e hapur që do akomodojë të gjithë, do të kërkojë më shumë mund se vende të tjera.
Përtej vetë procesit të ndërrimit të emrit, që padiskutim është një moment i ri, dhe që hap edhe një kapitull të ri për Maqedoninë, apo po të doni edhe në stilin francez edhe një “Republikë të re”, besoj që tashmë të gjithë e dinë, se pa një proces inkluziv, që nënkupton përfshirje edhe të shqiptarëve, proceset nuk mund të zgjidhen. Mund të pajtohemi dhe mundet jo, me mënyrën se si “Besa” e Kasamit sillej. Mund të hapim diskutim nëse “fitoi” ose jo diçka kjo parti, apo dhe vetë shqiptarët. Mund të shqyrtojmë momentin si “naiv” apo dhe “kokëfortë”. Por ngjarja shkon përtej atij momenti.
I bëri të ditur edhe një herë, se gjithëpërfshirja në momente vendimtare e historike, për këtë Maqedoninë e re, do të duhet të jetë prerogativ. Personalisht, nuk mendoj se “Besa” do të përfitojë shumë si parti, po kjo për çështjen që po flas është irelevante. Procesi dha edhe një herë leksionin që do duhej të ishte i mësuar, se patjetër,ama patjetër, në mbledhje, organizime, vendime të rëndësishme, shqiptarët do të duhet të përfshihen, por me kohë. Partitë, dhe këtu roli për momentin i bie BDI-së, do ose nuk do ajo, do të duhet të jenë më zemërgjera në përfshirjen e të gjithë subjekteve shqiptare, kur merren vendime që i përkasin të gjithëve, e që prekin një të ardhme më të largët, apo kur kemi të bëjmë me vendime që mund të ndryshojnë sistemin, ose vetë shtetin.
Të qenurit “i madh” ka dhe përgjegjësi, e kjo është kujdesi ndaj të gjithëve. Por çështja u mbyll. Dhe të gjithë mësuan e mësuam momente të rëndësishme. “Besa” K, siç e quan Adelina Marku, “Besën” e Kasamit, se sa do inatçor të jesh, sërish kur ke dy palë, kompromise do arrish. BDI, sado triumfaliste, se s’mund të mbajë të tjerët anash e në terr, sepse ka dhe kanale tjera nga ku bëhet presioni. Të gjithë së bashku se, proceset realisht shkojnë përpara kur të gjithë e shohin se si rrjedh realisht i gjithë procesi.
“Maqedonase” ose “e Maqedonisë”, duket e thjeshtë dhe veç gramatikë, por del se për një “e” që ti se ve, gjithë procesi shkon për dhe! Dhe kjo çështje, e rasave, a lakimeve e gramatikës, na nxjerr te çështja e dytë: “ligji për gjuhët”. A është “historik” ky ligj? Këtu menjëherë do të thyhen e përplasen shtizat e qëndrimeve parë nga llupat partiake. Por për to as që na plasi ne si qytetarë.
Efekti, efekti i ligjit është në pyetje. Dhe po e nis nga personalja. A duhet të jem i gëzuar për një ligj të tillë? Në esencë, po. Madje është dhe “historik”, por jo në hiperbolizimin e tij, por “historik”, si proces deri në arritjen e shkuljes së mendësive të vjetra se gjuha është kërcënim.
Të jemi të qartë, termi “më së paku 20%”, u vu vetëm e vetëm se mendësia e një shtrese politike e shoqërore maqedonase, uroj të jetë në transformim e sipër, nuk e pranonin dot barazinë me shqiptarët. Si rrjedhojë barazia gjuhësore, shihet si simbol i barazisë. Dhe veç mundësia për barazi të plotë ka dhimbtë. Por, a do ndodhte realisht kështu? Unë them se jo. Sepse barazia ka disa shtresa, sidomos ato socio-ekonomike, të cilat edhe sot të mbështeten plotësisht, shqiptarëve do tu duhen vite për të arritur barazinë. Pra jo. Gjuha s’mund të sjellë barazi të plotë, për shkak të historisë dhe gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën.
Por ajo që mund të bëjë është, ligji dhe vetë gjuha, është të jetë simbol i së ardhmes. Dhe në këtë kontekst është “historike”, sepse zbut konceptin e dominancës. Të merremi vesh, ligji sjell shumë përparime e avancime. Mbase dhe të paimagjinueshme se do të ndodhin në kohën tonë. Por pse mos ishte e thjeshtë. Që gjuha shqipe është zyrtare gjithashtu. Më shumë ende, pse nuk synohet, në ndërtimin e një shoqërie realisht të barabartë. Ja me ndryshimin e emrit, të ndryshojë dhe mendësia e përgjithshme, për gjuhën por jo vetëm.
Për shtetin, për mënyrën se si merren vendimet dhe sidomos për të ardhmen. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, tha se “gjuhët janë pasuri”. Në fakt ashtu është. Çdo person që flet më shumë gjuhë e di këtë. Por e drejta është hynore ama. Dhe ç’të duhet pasuria, kur se përdor dot? Ose në rastin tonë, vërtetë të pasur, po shteti s’na njihte pasurinë. E çtë bënim ne, të shihnim me sy e të plasnim me zemër?
Prandaj, pasuri reale, në kontekst të dy ngjarjeve të mëdha, emrit dhe gjuhëve, do të jetë, atëherë kur qoftë edhe si gjest, zyrtarët maqedonas në dokumentet e tyre do të vënë edhe gjuhën shqipe në përdorim, kurse ata shqiptarë të ndjenin të njëjtin shqetësim për emrin dhe procesin. Por, a ishte dhe a është kështu? Nuk e di. Veç uroj realisht, që zhvillimet, “historike” ose jo të kenë dhënë mësim për një të ardhme më të mirë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)