Edhe pse vite me parë u realizua një proces i tillë dhe emrat e disa rrugëve në Shkup u zëvendësuan me emra të personaliteteve nga sfera shkencore dhe historike, në terren asgjë nuk ka ndryshuar. Shembull më i mirë është rruga “Llazar Tërpkovski” në Çair, e cila u zëvendësuar me emrin e Ferid Muratit. Deri tani, në asnjë shkresë zyrtare, qoftë të Qytetit të Shkupit apo institucioneve tjera shtetërore, akoma nuk njihet emri i nobelisitit Ferid Murati
Omer XHAFERI
Shkup, 22 gusht – Anketa online e Qytetit të Shkupit për ndryshimin e emrave të rrugëve, urave, shesheve e bulevardeve në Shkup, ka mbledhur 1800 propozime. Ky numër, siç njoftojnë nga Qyteti i Shkupit për gazetën KOHA, nuk është përfundimtare, pasi që ditëve në vazhdim po përpunohen propozimet e pranuara përmes postës. Nga atje nuk japin sqarime për përmbajtjen e emrave, respektivisht cilët janë propozimet e parashtruar në gjuhën shqipe. Por, vetëm sqarojnë se nga numri i plotë i propozimeve online, rreth 160 propozime janë në shqip.
“Rreth 37 për qind e propozimeve në anketë janë për personalitete historike, 29 për qind për persona publike, 10 për qind nga ngjarje historike, 9 për qind toponime dhe 12 për qind propozime tjera. Këto propozime do të shqyrtohen nga ana Komisionit për emërtimin e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në Këshillin e Qytetit të Shkup, i cili ka për detyrë ta përpilojë listën e emrave në pajtim me dispozitat e Ligjit dhe të njëjtën ta dorëzojë në formë propozimi deri te Këshilli. Më pas, ai e të njëjtën e vërteton pas pranimit të pëlqimit nga komunat dhe Qeveria. Nuk ka afat derisa do zgjasë kjo procedurë. Njëkohësisht bëhet fjalë për një tematikë komplekse, ku janë të përfshirë numër më i madh i komisioneve dhe institucioneve. Nuk mund të japin afat konkret kur pritet të përfundoj i gjithë procesi”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Ndryshe, opinioni i ekspertëve, në këtë rast historianësh – këtë nismë të Qytetit të Shkupit e kanë cilësuar si tendencioze dhe të panevojshme. Sipas tyre, ndryshimi i emrave të rrugëve dhe objekteve tjera infrastrukturore në Shkup është zgjidhur vite më parë, gjegjësisht tashmë duhet vetëm zyrtarizmi i tyre. Por, nga Qyteti i Shkupit thonë se të gjitha vendimet e marra janë bërë publike.
“Ne pajtim me të gjitha dispozitat ligjore, të gjitha vendimet që lidhen me procedurat, si dhe vendimet finale për ndërrimin e emrave të rrugëve, bulevardeve, urave dhe shesheve, që janë miratuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit, janë publikuar në Gazetën Zyrtare të Qytetit të Shkupit, Regjistrin Qendror dhe ato u janë bërë publike opinionit”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Sidoqoftë, edhe pse vite me parë u realizua një proces i tillë dhe emrat e disa rrugëve në Shkup u zëvendësuan me emra të personaliteteve nga sfera shkencore dhe historike, në praktikë ende mbeten emrat e vjetër. Shembull më i mirë është rruga “Llazar Tërpkovski” në Çair, e cila u zëvendësuar me emrin e Ferid Muratit. Mirëpo, në asnjë shkresë zyrtare, qoftë të Qytetit të Shkupit apo institucioneve tjera shtetërore, siç është rasti me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organet tjera, nuk njihet emri i nobelisitit Ferid Murati. Për çështjen e anketës, e cila u vlerësuar si tendencioze dhe pyetjet tjera lidhur me këtë temë, nënkryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi, tha se do të prononcohet pasi të kthehet nga pushimet. (koha.mk)