Duke nisur nga porta, ku Samir Handanoviç tani ofron siguri por 37 vitet me raste nisin të ndihen dhe së shpejti do të nevojitet një zëvendësues. Kandidati i ri është Peter Gulaçi i Lajcigut.
Për të bindur klubin gjerman do të ofroheshin 13 milionë euro e mbi të gjitha do t’i propozonte lojtarit një pagë të konsiderueshme për të fituar duelin me Borusian e Dortmundit. Mbetet për t’u kuptuar fillimisht nëse 30-vjeçari hungarez do të pëlqente Serinë A si destinacion.
Mancini për mbrojtjen
Nga portieri te një mbrojtës. Xhanluka Mancini është gjithmonë e më tepër pikë referimi në mbrojtjen e Romës. Paulo Fonseka e konsideron një lider dhe në këto momente emergjenca në prapavijën verdhekuqe po detyron 24-vjeçarin të luajë me “orë ekstra”. Dhe rendimenti i dy viteve të fundit e ka bërë që të vëzhgohet nga klube të elitës evropiane: sipas “Corriere dello Sport”, përtej zikaltërve edhe Evertoni ka vendosur sytë mbi ish-qendërmbrojtësin e Atalantës, që për momentin ka një vlerë kartoni prej 25 milionë eurosh.
Rasti Mata
Për mesfushën pëlqehet, mes të tjerëve, edhe Huan Mata, pranë skadencës së kontratës me Mançester Junajtidin. Siç ka kujtuar tabloidi britanik “The Sun”, anglezët kanë në dorë opsionin për t’i zgjatur automatikisht kontratën 32-vjeçarit spanjoll për një tjetër sezon dhe vetë trajneri Ole Gunar Solskjaer e konsideron një element të rëndësishëm. Megjithatë ish-lojtari i Çelsit dëshiron të luajë me më shumë vazhdimësi në vitet e fundit të karrierës. Përtej Interit, për momentin më të interesuarit, në gjurmët e Matës janë Juventusi dhe Roma, përveç hipotezës së një transferimi në Lindje.