Kur rënia nga kategoria të bën të pasur… Ndoshta për disa klube do konsiderohej një dramë, por për ata që janë mësuar, mund të shndërrohet në një burim fitimesh. Kështu po ndodh me rastin e Empolit, që mësoi se do luante sezonin e ardhshëm në Serinë B vetëm gjatë minutave të fundit të kampionatit kur humbi në “San Siro” ndaj Interit. Shumë lojtarë, megjithatë, kanë arritur të tregojnë vlerat gjatë këtij edicioni dhe presidenti Fabricio Korsi ka shumë arsye për të buzëqeshur.
SHITJET – Rënia nga kategoria garantoi së pari një arkëtim prej 15 milionë eurosh, i ashtuquajtur “parashuta” e Ligës Italiane. Së fundmi, brenda pak ditësh, drejtuesit kanë shitur plot 3 lojtarë: Rade Kruniç te Milani për 8 milionë euro, Xhovani Di Lorenco te Napoli për të njëjtën shifër dhe Hamed Traore te Juventusi për 15 milionë: në total 46 milionë brenda një kohe të shkurtër.
SA CHAMPIONS-i – Dhe nuk përfundon këtu. Sapo gjitha skuadrat të kenë zyrtarisht një trajner, dy lojtarë të tjerë të Empolit do largohen. Aurelio Andreacoli, i cili drejtoi skuadrën toskane deri disa ditë më parë, do t’i bashkohet Xhenoas dhe do përpiqet të marrë me vete bomberin e tij të preferuar, Françesko Kaputo, për një shifër që u afrohet 6 milionë eurove.
Ndërsa për Izmael Benaser, “regjisorin” algjeriano-maroken që shkëlqeu për një pjesë të mirë të kampionatit, ka nisur një “ankand” i vërtetë: janë përfshirë Milani, Roma dhe Napoli. Empoli kërkon 15 milionë euro, asgjë më pak.
Pra, 46+21: me rënien nga kategoria janë përfituar 67 milionë, thuajse sa pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve. Për më tepër, diçka tjetër është e sigurt: trajneri i ri, Kristian Buki, do ketë në duar një skuadër konkurruese për të tentuar ringjitjen e menjëhershme, duke shpenzuar një të katërtat e arkëtimeve falë një sistemi të jashtëzakonshëm vëzhguesish të ndërtuar nga Korsi.