Shkup, 28 shkurt – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë të mërkurën e shënoi 72 vjetorin e themelimit. Janë ndarë edhe çmime për storje investigative ekipit të emisionit “Kod” dhe Snezhana Lupevska Sozen, për ngjarjet e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë dhe Mençe Atanasova Toçi për storjen për gjinekologun i cili për nëntë muaj kishte gënjyer një grua se është shtatzënë.
Çmimin për vepër jetësore e mori gazetari, Lubomir Gajdov. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, theksoi se gazetarët në vend ballafaqohen me sfida serioze edhe krahas dëshirës deklarative të pushtetit të ri të luftojë kundër praktikës së jondëshkueshmërisë të dhunës ndaj gazetarëve. “Për fat të keq asnjë sulmues i ndonjë gazetari nuk ka dalë para drejtësisë”, tha Selmani.
Procesi i sjelljes së legjislaturës së re mediale është shumë i ngadalshëm, sipas Selmanit, i cili shfaqi brengosje që disa zgjidhje në këto ligje nuk janë në pajtim me praktikat më të mira evropiane. Në ndërkohë, tha ai, gazetarët ballafaqohen me forma të reja të presionit. Duke iu drejtuar personave të cilët morën çmime tha se ata janë fytyra e gazetarit siç duhet të jetë gazetari në një vend të lirë dhe demokratik. Mençe Atanasova Toçi investigoi një skandal në shëndetësi për mjekun i cili për nëntë muaj ka gënjyer një grua se është shtatzënë i cili më pas e fitoi epilogun e tij. Snezhana Lupevska Sozen me ekipin e Kodit të cilin e përbëjnë Miomir Serafinoviq dhe Biljana Nikollovska përmes serialit publikoi storje me titull “Hetim për të enjten e përgjakshme” në të cilin i hetoi ngjarjet në Parlamentin e Maqedonisë të 27 prillit vitin e kaluar.
“Më vjen mirë që çmimin për gazetari e ndaj me kolegen Toçi, me të cilën kemi punuar që në televizionin A1. Dua të falënderoj ekipin e emisionit KOD, të cilët japin gjithçka nga vetja, si dhe faleminderoj gazetën KOHA, me të cilët siguruan informatat relevante për ngjarjet e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë”, ka thënë Lupevska Sozen. Me propozimin e grupit iniciues sivjet çmimin për vepër jetësore e fitoi gazetari Lubomir Gajdov, i cili për pesëdhjetë vjet është pjesë e gazetarisë.