Izair Emini ishte shpëtimtari i Kukësit për ndeshjen me Flamurtarin. Ish-futbollisti i Renovës u shfaq i lumtur që goli i tij i dha fitoren skuadrës. “Jam shumë i lumtur që ndihmova ekipin të marrim kreun e tabelës të vetëm. Normalisht me ndihmën e ekipit kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë, ku krijuam shumë raste. Në pjesën e parë duhet të shënonim së paku dhe një gol tjetër veç golit tim. Gjithsesi ne jemi të kënaqur për fitoren sepse jemi ende të pathyeshëm. Pjesën e parë të sezonit kam pasur probleme me dëmtimet por tani e kam marrë veten”, u shpreh për “Sportekspres”, Emini. Ai parashikon gola të tjerë, madje pa u mbyllur ky sezon. “Nuk mund të jap një shifër golash, por do mundohem të shënoj sa më shumë që të ndihmoj ekipin dhe kjo më bën të ndihem komod më i lumtur. Në fillim kur erdha tek Kukësi lozja i vetëm përpara, ndërsa tani jam pak më i tërhequr, gjithsesi shpresoj që këtë vit shpresoj të shënoj dhe 2 gola”, shtoi më tej Emini, i cili në fund u përqendrua edhe tek objektivi I ekipit. “Normalisht mendoj që kemi një ekip shumë të fortë në të gjitha repartet, që nga portieri dhe deri në majën e sulmit, jemi të kënaqur me këtë ekip dhe do Zoti shpallemi kampion. Mendoj se do ia arrimë”, përfundoi ai.