Kukësi ka krijuar në këtë sezon një nga dyshet më të forta të sulmit në Kategorinë Superiore, duke vënë përkrah Izair Eminit kroatin Pero Pejiç. Të dy lojtarët merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe këtë e kanë treguar si në Superiore, ashtu edhe në miqësoret që zhvilloi skuadra në këto ditë në Turqi. “E kam thënë edhe më parë se me Pejiç formojmë një tandem të mirë. Merremi vesh dhe arrijmë të shënojmë, është bashkëpunim i përkryer, ia dalim mirë. Kjo është e gjitha”, tha vetë Emini për “SuperSport” për mirëkuptimin që ka me kroatin e sulmit të Kukësit. Sipas sulmuesit, Kukësi kthehet në Shqipëri i gatshëm për pjesën e dytë të kampionatit dhe i ndërgjegjshëm se është në formë të mirë pas përgatitjeve shumë cilësore që ka bërë. “Kemi bërë 11 ditë fazë përgatitore dhe jemi të kënaqur me atë që kemi bërë në Antalja dhe mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë dhe jemi të kënaqur. Miqësoret ishin shumë të forta dhe ne i kemi vlerësuar maksimalisht këto ndeshje dhe kemi bërë maksimum. Unë nuk luajta të parën se isha me temperaturë, luajta të dytën me Kairat ku duhet të them se u paraqitëm shumë mirë edhe pse rezultati nuk ishte ai që dëshironim. Në ndeshjen e fundit me Neftçi kemi bërë një paraqitje shumë të mirë sepse shënuam 4 gola dhe kjo është shumë e mirë. Normalisht tani premtimi për tifozët është titulli, atë që duan të gjithë. Unë do të mundohem të shënoj sa më shumë gola që të shpallemi kampionë për herë të parë”, premtoi Emini.