Shkup, 10 korrik – Sulmuesi i Kukësit, Izair Emini, për “Panorama Sport” skanon ekipin, si dhe i jep një notë maksimale fazës përgatitore që kanë bërë kuksianët në Austri. Kjo fazë do t’i shërbejë ekipit edhe për ndeshjet e raundit të dytë paraeliminator në Çampions. Kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspoli, nuk e tremb Eminin dhe Kukësin, pasi sipas 31-vjeçarit, edhe pse skuadra moldave është e fortë në të gjithë aspektet, verilindorët do të provojnë me të gjitha mënyrat të vijojnë më tej në Çampions. Emini i cilëson pozitive prurjet e reja, pasi me këto përforcime Kukësi është akoma më i fortë. Ndërsa humbjet tenistike nuk e shqetësojnë, pasi skuadra ka luajtur për të kapur formën, ajo ka qenë primare. Të ardhmen tetovari akoma s’e ka vendosur, por gjithçka mbetet e hapur në bazë të ofertave.
“Ndeshja e parë kundër Sherifit po afron dhe mendoj se jemi të gatshëm të përballemi me ata. Gjendja e ekipit është shumë e mirë dhe mezi e presim këtë takim. I kemi të gjitha kushtet dhe aftësitë të përballemi me një ekip si Sherifi, pavarësisht emrit dhe historinë që ka ky ekip. Ne jemi të gatshëm dhe nuk i trembemi askujt. Kemi treguar që jemi të fuqishëm dhe që luftojmë deri në fund. Kukësi ka një grup të konsoliduar, jo më kot jemi kampionët e Shqipërisë. Futbolli i pranon të gjitha rezultatet, por ne luajmë si të barabartë dhe kemi shanset tona. Patjetër që e kemi studiuar. Bëhet fjalë për një ekip të fortë në të gjitha aspektet”, u shpreh Emini.
Sulmuesi nga Tetova pranon se do të ishte i kënaqur sikur të mernin edhe një fitore ose barazim pa gola, derisa dëshiron të hyjë në histori të Kukësit duke shënuar gol. “Ne do të japim maksimumin për një rezultat pozitiv. Unë do të isha i kënaqur sikur të merrnim një fitore ose barazim me gola. Normalisht që po, unë jam sulmues dhe gjëja e parë që më bie ndër mend është që të shënoj gol. Tashmë ia kam dal, jam pjesë e historisë në Kukës, pse mos të hyj edhe këtu në histori?!”, shtoi më tej Emini.
Ndryshe, Emini foli edhe për Kukësin aktual dhe për fazën përgatitore. “Mendoj se jemi po i njëjti ekip. Ndonëse me tri përforcimet e kryera, ekipi është tani, mendoj se është më i fortë. Faza përgatitore në Austri na ka shkuar shumë mirë, pasi këtu i kemi të gjitha kushtet për t’u përgatitur ashtu siç duhet. Normalisht jemi të kënaqur, pasi kemi bërë fazë të mirë duke iu përkushtuar 100% futbollit dhe jetës profesionale. Faza ka të bëjë shumë për ecurinë, ndaj besoj se do të ecim, për shkak edhe të formës së mirë që po marrim. Kemi bërë 4 miqësore me ekipe shumë të forta dhe e rëndësishmja e këtyre takimeve ka qenë si të përgatitemi për ndeshjen ndaj Sherifit dhe si të kapim formën maksimale. Rezultati ka qenë në plan të dytë, ndaj erdhën edhe dy humbjet e thella”, vazhdoi rrëfimin e tij Emini, i cili nuk është i shqetësuar aspak se drejtuesit e klubit ende nuk i kanë ofruar rinovimin e kontratës.
“Jo, ende nuk më ka ofruar, pasi nuk më ka skaduar akoma kontrata, më skadon pas pjesëmarrjes në Kupat e Evropës. Nuk e kam vendosur akoma se ku do të jem pas Evropës. Do të shqyrtoj ofertat që do të kem dhe pastaj do vendos se ku do të jem”, përfundoi njëri prej futbollistëve më të mirë të Kukësit, Izair Emini.