Bujar KURTAJ
Specialiteti i tij janë golat dhe në këtë aspekt e ka dëshmuar veten edhe te dy skuadrat tetovare, Shkëndija dhe Renova, sidomos te kjo e fundit, kur arriti të shpallet edhe golashënuesi më i mirë i Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë. Pikërisht ky ishte një sinjal që shumë klube të shprehin interes, por më të shkathtë u tregua skuadra e Kukësit nga Shqipëria, e cila ua “vodhi” nga duart konkurrentëve të saj. Dhe, nuk gaboi që shumë e kërkoi pasi ai që në ditët e para dëshmoi se përse ishte përfshirë në klubin e Kukësit. Shënoi në debutimin e parë, duke u bërë i dashur te tifozët, por jo vetëm për golat, por edhe për profesionalizmin që tregon brenda dhe jashtë fushës së gjelbër. Pikërisht, siç thotë ai, në intervistën për gazetën KOHA, është çelësi i suksesit. Këtë sezon Emini nuk po shënon, por arsyeja nuk është se nuk po kalon në formë të mirë, por lëndimi ndikoi në këtë aspekt. Megjithatë, edhe pesë golat që i shënoi në sezonin vjeshtor, ishin vendimtar dhe bënë që Kukësi bashkë edhe me kontributin e shokëve të tij, të shpallet kampion i dimrit dhe pushimet t’i kalojë qetë. Në intervistën që e zhvilluam, Emini tregon për ditët e para te Kukësi, pastaj zbulon dëshirën për tu’ shpallur golashënuesi më i mirë në Superligë, ndërsa flet edhe për futbollin në Shqipëri dhe jetën e tij private.
Ai shprehet i kënaqur që Kukësi u shpall kampion vjeshtor, dhe pranon se janë të motivuar dhe të uritur për të fituar titullin e kampionit. “Jemi të kënaqur për këtë punë të bërë deri më tani. Por, jemi të vetëdijshëm se ka mbaruar vetëm gjysma, por shpresoj të qëndrojmë deri në fund në krye. Sigurisht se jemi të motivuar dhe të uritur për të fituar titullin kampion, por është një garë e fortë ku mendoj se deri në fund do jetë shumë interesante. Shpresoj të krijojmë një dallim të paarritur nga konkurrentët për titull: Partizani, Skënderbeu por edhe Tirana”, thotë ai. Ish-futbollisti i Renovës shprehet i lumtur me paraqitjet e tij, por pranon se konkurrenca për golashënuesin më të mirë në Shqipëri është shumë e fortë.
“Për aq minuta sa kam qenë në fushë, mendoj se kam bërë mirë me golat e shënuar, gjithsej janë pesë dhe jam munduar të bëj maksimumin për ta ndihmuar ekipin. Dihet që çdo sulmues ka dëshirë që të bëhet golashënuesi më i mirë edhe unë të njëjtën gjë e dua. Mirëpo, këtu konkurrenca është shumë e fortë dhe unë do mundohem që të shënoj sa më shumë për t’ia arritur qëllimit”, shtoi më tej numri tetë i kuksianëve. Ndryshe, pas transferimit nga Renova te Kukësi, “Izoja” thotë se nuk e ka pasur vështirë të adaptohet në mjedisin e ri, ndërsa vlerëson shumë kampionatin e Shqipërisë. “E kam thënë edhe më herët se nuk e kam pasur problem adaptimin, se më kanë pritur shumë mirë. Pastaj arrita të shënoj në debutim dhe kjo më bëri të ndjehem akoma më komod që në ditët e para, derisa, Superligës i kushtojnë vëmendje në të gjitha aspektet, kurse te ne në Maqedoni është më ndryshe. Superliga e Shqipërisë dallon shumë nga Liga e parë futbollistike e Maqedonisë, edhe atë në shumë aspekte”, nënvizoi më tej ai. Për të përmirësuar gjendjen e futbollit në Maqedoni, Emini thotë se duhet të ketë më shumë investime, të rritet niveli dhe cilësia dhe sigurisht se infrastruktura duhet të rregullohet.
“Mendoj se në Maqedoni duhet të ketë më shumë investime në futboll, pastaj të ngrihet niveli dhe cilësia e futbollit, infrastruktura të rregullohet më mirë, dhe në fund duhet të ketë media që merren vetëm me futbollin në vend. Këto gjëra duhen që në Maqedoni të ketë akoma futboll më garues dhe më të fortë”. Në bisedën tonë, ish-golashënuesi më i mirë i Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë, flet edhe për jetën e tij jashtë futbolli, familjen e tij, ndërsa thotë se Tetovën nuk do ta kishte zëvendësuar me Kukësin. “Një ditë e zakonshme e imja në Shqipëri është e thjeshtë, pra asgjë speciale. Kur nuk jam i angazhuar me futboll, kohën e kaloj me bashkëshorten time dhe djalin, pastaj normal edhe me shokët e skuadrës me të cilët dalim dhe pimë kafe. Kur jemi te djali, golat ia dedikoj atij, pasi kohët e fundit kemi shkuar në karantinë nga dy ditë përpara ndeshjes dhe më mungonte dhe gjithmonë golat ia dedikoja atij dhe familjes time. Normalisht se dua të bëhet futbollistë, mirëpo shumë më i mirë se unë. Sa i përket pjesës tjetër të familjes, më vizitojnë shpesh, sidomos babi im, që vjen pothuajse në të gjitha ndeshjet për të më parë dhe më dhënë përkrahje. Të them të drejtën vendlindja nuk ndërrohet me asgjë, mirëpo edhe Kukësi më pëlqen dhe më ka bërë të ndjehem shumë mirë”, pohon Emini.
Në fund, sulmuesi foli edhe për të ardhmen e tij, ndërsa bisedën tonë e përmbylli me një këshill për lojtarët e rinj shqiptar. “Për momentin jam i fokusuar vetëm për futbollin, ndërsa gjërat tjera as që i kam menduar. Të rinjve do i kisha thënë ta duan futbollin me gjithë shpirt, të punojnë shumë dhe me profesionalizëm, sepse i kanë të gjitha mundësitë që të bëhen dikush në këtë profesion, pasi që dihet se futbolli është një ndër sportet më të paguara në botë”, përfundoi rrëfimin e tij për gazetën KOHA, Izair Emini.