Izair Emini është rikthyer te goli në ndeshjen ndaj Laçit, duke shënuar rrjetën e dytë në fitoren e skuadrës së tij, që vazhdon të jetë në krye të tabelës së renditjes. Për “Panorama Sport”, Emini është shprehur i kënaqur nga paraqija e tij. “Realisht jam shumë i kënaqur nga paraqitja ime, pasi dalëngadalë po kthehem në formën time më të mirë. Por, normalisht, pa ndihmën e shokëve, nuk do ta arrija këtë formë”, është shprehur tetovari, i cili ka pohuar se pas golit të shënuar ndaj Lacit, ka marr shumë komplimente. “Kam marrë shumë komplimente dhe komente si nga shokët e skuadrës, por edhe nga miq të ndryshëm. Shumë prej tyre më kanë uruar nga Maqedonia dhe e kanë cilësuar si supergol. Madje, miqtë dhe të afërmit e kanë ndjekur ekipin dhe mua, dhe janë gëzuar që arrita të shënoja. Edhe disa media të ndryshme e kanë pasqyruar golin në Maqedoni”, tregon ish-futbollisti i Renovës. Ndryshe, pas kësaj fitore Kukësi gjendet në pozitën e parë me 27 pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Skënderbeu, por kuksianët kanë golaverazh më të mirë. Derisa, në ndeshjen e ardhshme Emini me shokët e tij do të përballen me Partizanin. “Dihet se me Partizanin do të jetë e vështirë, pasi të dy ekipet janë të forta, madje është një ndeshje që mund ta konsiderojmë derbi dhe në derbi çdo gjë është e mundur. Do të bëjmë maksimumin që të dalim fitues edhe nga ky takim dhe të vazhdojmë serinë pa asnjë humbje. Ne si Kukës besojmë në cilësitë tona dhe në çdo takim shkojmë vetëm për fitore dhe asgjë tjetër”, nënvizoi më tej Emini. Në fund sulmuesi tetovar foli edhe titullin e kampionit ku pos Kukësit në garë janë dhe Skënderbeu, Partizani dhe Tirana.” Të jemi realistë, të tre rivalët janë ekipe të forta dhe nga këto të tre për këtë sezon nuk do veçoja asnjë, thjesht mendoj se do jetë një garë e fortë. Jo vetëm titulli, por objektivi i Kukësit është që të fitojmë edhe titullin, por edhe trofeun e Kupës.