Është modelja më e bukur shqiptare, me bagazhin më të madh të suksesit në botë. Emina Çunmulaj me të njëjtin sharm edhe sot vazhdon të jetë tejet atraktive, porse tanimë shtatlartën magjepsëse nuk e tërheq aspak bota e pistave të modës, përvojë të cilën përfundimisht e ka hedhur pas krahëve dhe thotë se i takon së kaluarës. Nëna e dy vajzave dhe përsëri shtatzënë, në frontin e fotokamerave, në shtëpinë e saj luksoze në Los Anxhelos, u shfaq madhështore, derisa po realizonte foto me të bijat të cilat tashmë nuk i fsheh. Në një bisedë për gazetën KOHA, Emina flet nga fillimi si u bë nënë, si ndryshoi jeta e saj…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Tashmë keni dy vajza në jetë që ju kanë dhënë epitetin e të qenit nënë. Si po ndiheni në rolin e ri jetësor?
Ella Faria ka lindur në 2016. Është hera e parë që me të vërtetë ndihem se kam pikërisht një qëllim për jetë, kam një detyrë. Këtë, sado që nëna ime është munduar të ma thotë kur isha vajzë, nuk e kam kuptuar kurrë, ndonëse shpeshherë ma përsëriste: ‘Moj bija ime, ke me ditë çka domethanë fjala nanë, kur të bahesh nanë vetë’, dhe këto fjalë të saj, me të vërtetë, çdoherë që ndodh diçka me vajzën time, qoftë më e vogla gjë, madje një gjest i ri që e bën, mua menjëherë më shkon mendja te mami im, edhe fjalët që m’i thoshte. Fjala nanë është mrekullia dhe nderi më i madh në botë.
KOHA: Në ç’momente kishit më së shumti nevojë për nënën tuaj gjatë kësaj periudhe?
E ke qëlluar (qan). Nuk më pyet kush për këtë, nuk më pyet shpesh dikush për këtë mungesë, dhe me të vërtetë, në jetë njeriu mundohet më pak t’i mendojë disa gjëra për njeriun që i mungon më së shumti në këtë botë. Patjetër, unë nanën time e kam pasur sikur shoqe, por tash, që jam nanë vetë, vërtet e kuptoj sa ka bërë nana jonë për ne, sa është munduar dhe natyrisht që patjetër më mungon. Çdo gjë që bëj me Ella Farian, ma kujton nanën. Unë e kujtova atë prej minutës që isha në sallën e lindjes, për gjithë ato orë mendoja nanën time që më thoshte: ‘Dhimbja e nënës, kur lind fëmijën, është e pamatur. Kurrë nuk ke me ditë këtë dhimbje derisa të lindësh vetë’. Prej asaj dite kur ia dhashë gjirin vajzës sime, çdoherë mendoja fjalët e nanës. Çdo gjë që bëj me vajzën time, më kujton nanën time. Në fakt, Ella Faria ka pak sjelljen e nanës sime. Madje më kujtohet një rast, kur e kam kuptuar ngjashmërinë e nanës me vajzën time: Kur Ella ishte tremuajshe e gjysmë, isha duke i dhënë gji, ajo ndali, ngriti kokën, më shikoi, më ledhatoi faqen dhe buzëqeshi duke lëshuar një tingull aaa… Fillova të qaja, gjithë kohën. I telefonova motrës së vogël, të cilën e kam sikur nanë, dhe i thashë: Pepi, nuk mund ta besosh se çka më ka ndodhur, unë jam e bindur se mami ka biseduar me Ella-n. Me këtë rast dua të them se mami më ka dhënë mesazhin – ti tash je e kompletuar.
KOHA: Është e lehtë të rrisni fëmijë?
Uhhh, e lehtë? … Nuk e di nëse është fjalë e qëlluar, ndoshta më mirë të thuhet sa është e vështirë. Ndoshta disa njerëz do të qeshin me mua, sepse sadopak e shohin përmes rrjeteve sociale se unë kam ndihmëse gjatë gjithë kohës, edhe jam me shumë fat që i kam ato, mirëpo evladi do nanën e vet. Çkado që i mungon, ajo thotë mama, nëse diçka do apo gëzohet, ajo përsëri thotë mama, kështu që unë jam shumë aktive në jetën e vajzës sime dhe mundohem të jem 99.9 për qind në çdo hap të saj. Është e vështirë, nuk është kollaj, ai që thotë se është e lehtë, nuk besoj se e thotë të vërtetën. Por, është kënaqësi, është mrekulli. Çdo ditë që shoh diçka të re që ajo bën, vepron apo reagon, mua ma plotëson aq shumë zemrën. Ndoshta, para një ore, ajo ka qarë për gjysmë ore dhe mua më ka çmendur, më ka bërë të dal mendsh, në momentin që thotë – mama, të gjitha i harroj.
KOHA: Ju apo burri, cili nga ju të dy, gjatë natës, vraponi i pari, kur vajzat qajnë?
(Qesh), njerëzit më thonë: ‘ti e ke burrin amerikan’, por unë u them se burri im me pasaportë është amerikan, por me tradita është shqiptar. Ai, kur është në shtrat, edhe po t’ia vendosësh topin, nuk luan vendi. Unë jam e para që vrapoj.
KOHA: Si është një ditë juaja në shoqëri të vajzave?
Mëngjesin e nis me një kafe. Më pastaj zgjoj vajzat nga shtrati dhe vijnë në shtratin tim. Kemi një ritual, që çdo mëngjes nga 15 minuta shikojmë në youtube, programe për fëmijë në gjuhën shqipe dhe pastaj hamë mëngjes, lozim pak 2-3 orë, më pas vajzat bien në gjumë dy orë. Zgjohen, luajmë, shkojmë në park, ky është rituali, nganjëherë i çoj në shkollë për një orë, i thonë shkollë, ky është një aktivitet socializues me fëmijët e tjerë, ndërsa në orën gjashtë e gjysmë, futemi në banjë, këtë e kam fiks, çdo ditë, nëse jam në shtëpi, unë bëj banjë me ta çdo natë. Pastaj lexojmë libra dhe në orën 7 bie në gjumë.
KOHA: Në cilën gjuhë i flisni vajzave?
Shpesh ju flas shqip, por burri im ju flet anglisht, ndërsa shumica e stafit, të cilët punojnë në shtëpi, flasin spanjisht, madje dadoja e cila është braziliane, ju flet portugalisht. Kështu, në shtëpinë tonë nuk dëgjon vetëm një gjuhë, megjithatë nga ana ime 80% e njohin shqipen, kuptojnë kur ju drejtohem në shqip, pastaj, sa u përket fjalëve, flasin e thonë në anglisht.
KOHA: Me vajzat merret një apo disa dado?
Unë kam tri dado, por kryesorja është braziliania, e cila jeton me ne 5 ditë të javës. Kam dhe dy të tjera, të cilat janë zëvendësim, njëra është nga Etiopia, e tjetra sërish braziliane. Jam munduar t’i mbaj sadopak brazilianet afër, sepse vajzat e kuptojnë edhe gjuhën portugeze, kështu që nuk dua t’ia ndërpres një gjuhë të cilën mund ta mësojë, prandaj kemi vazhduar me këtë ide, të ketë një dado braziliane. Po ashtu, jam përpjekur të gjej dado shqiptare, por ka qenë një kërkesë e vështirë për t’u realizuar, se këtu në Los Anxhelos, pikërisht, nuk ka shumë shqiptare profesioniste, që bëjnë punë dadosh.
KOHA: Nuk mendoni se po i ngarkoni vajzat me mësimin e tri gjuhëve në të njëjtën kohë?
Nuk e besoj se për ta komunikimi në tri gjuhë është i vështirë. Njëjtë jam rritur dhe unë: gjuha e parë që më kanë mësuar prindërit ka qenë anglishtja. Unë kam lindur në Amerikë dhe emigrantët në vitet ’80 janë munduar të përkrahin jetën amerikane, duke ua mësuar fëmijëve gjuhën e parë anglishten. Por, deri kur jam kthyer në Mal të Zi, në moshën 4 vjeç e gjysmë, derisa kam hyrë në klasë të parë në moshën 7 vjeçe, unë kam folur 4 gjuhë: shqip, anglisht, serbisht dhe italisht, të cilën e mësova përmes televizionit. Prandaj, për këtë arsye, vajzave ju shfaq filma shqip në televizor, ngase unë italishten e kam mësuar duke shikuar emisione fëmijësh në italisht.
KOHA: Cili është ushqimi kryesor në menynë e vajzave? Konsultoheni me profesionist lidhur me ushqimin e saj?
Konsultohem dhe nuk konsultohem. Dadoja e vajzës sime, është një person me edukim, nuk është një dado e thjeshtë, është person që ka kryer shkollën dhe është profesioniste për përkujdesjen e bebeve. Ajo përgatit më së shpeshti ushqimin e vajzave, atëherë, kur unë nuk përgatis ushqim për mua dhe për burrin tim. Por vajza i hanë të gjitha, peshkun, mishin, ndërsa gjirin ia kam ndërprerë kur ishte gjashtë muajshe të voglës, sikur të kisha, më gjatë do t’ia jepja patjetër. Unë besoj se gjiri është një ndër gjërat kryesore për një fëmijë. Mjekët e preferojnë jashtëzakonisht gjirin e nënës këtu, por disa femra sikur po ngurrojnë, me arsyetimin se po e prishin anën fizike nëse i japin gji fëmijës. Na ka krijuar Zoti kështu dhe përse mos ta japim maksimumin për një krijesë që varet nga ne.
KOHA: Ju gatuani në shtëpinë tuaj?
Në e kemi një kuzhinier që vjen e shkon. Por, ndonjëherë, kur kam dëshirë, gatuaj unë, se sadopak, kur vijnë kuzhinierët në shtëpi dhe gatuajnë, duket sikur je në restorant, ndërsa kjo mua nuk më pëlqen. Kur gatuaj, ndihem sikur jam në shtëpi. Dhe zakonisht gatuaj gjëra shqiptare, gjëra me të cilat jam rritur. Kështu, kjo më kujton zanatin e shtëpisë, më kujton ndjenjën e shtëpisë.
KOHA: E mbani mend momentin kur e keni kuptuar se jeni shtatzënë për herë të tretë?
Po, si jo. Ishim duke kaluar për të jetuar nga Las Vegasi në Los Axhelos. Burri im ishte në udhëtim, ndërsa unë shkova për t’i paketuar gjërat. Isha bashkë me ndihmësen e cila punon në shtëpinë tonë tash sa vjet. Ndonëse rruga nga Las Vegasi deri në Los Anxhelos është gati pesë orë e gjysmë, vendosëm të udhëtonim me veturë, në mënyrë që të mos hipnim në aeroplan. Në rrugë, derisa po ktheheshim, ndalova në një pompë të benzinës. Bleva çipsa, por mora edhe precëlls, si dhe mora akullore. Mua kjo kurrë nuk më ndodh t’i blej këto gjëra. U ktheva në veturë dhe i thashë, o Rosi, mora akullore, por mora edhe çipsa. Ajo më shikoi, u qesh dhe tha, sigurisht je shtatzënë. Po si, i thashë. Atë natë, sapo kemi mbërritur në Los Anxhelos, kam bërë testin, doli pozitiv. Isha shtatzënë.
KOHA: Si e kuptoi burri juaj, fakti se do të bëhej baba për herë të tretë?
Burri ishte në rrugë. Mirëpo, nëse dikush më njeh mua, e di se nuk jam rrenacake e mirë, vërehet gjithçka në fytyrë. Ndonëse mundohesha të isha më normale, dy ditë para ditëlindjes së tij ai më pyeti: – ‘çka ke ti, diçka nuk është në rregull me ty, je shtatzënë’? – jo, – i thashë. Natën e ditëlindjes së tij, në një letër shkrova: Gëzuar ditëlindjen, babi! Në festën e organizuar, i kam mbledhur të gjithë të afërmit, shoqërinë, prindërit e tij dhe kam marrë mikrofonin dhe e kam hapur posterin. Të gjithë filluan duke bërtitur, ndërsa ai mbeti i shokuar, nuk e kuptoi çfarë po ndodhte, madje e pyeti kushëririn tim, çka do të thotë kjo. Prej asaj nate, diku rreth dy javë, çdo natë më pyeste: – je e sigurt që je shtatzënë prapë? I thosha, po, njeri, po, s’ka kthim më për ty.
KOHA: I keni kushtuar ushqimit gjithmonë rëndësi gjatë shtatzënësisë?
Jo, aspak, ndoshta për atë kam shtuar pak kilogramë. Gjithë jetën time jam kujdesur për ushqimin, dietë kurrë nuk kam mbajtur. Jam pak më shumë liberale, madje kam pirë nga një gotë verë çdo dy-tri ditë. Në përgjithësi, kam pasur një shtatzënësi shumë të lehtë, kështu që falënderoj Zotin. Nëse edhe tjetra shtatzënësi do të jetë kështu, kur të ndodhë, jo tani, atëherë do të them se jam shumë me fat.
KOHA: Ju kishit lindje normale apo keni zgjedhur të lindni me operacion?
Unë kam pasur lindje normale. Ne, në klinikë, kemi shkuar në orën 9:00 të mëngjesit, ndërsa vajza e madhe ka lindur në orën 19:48 në mbrëmje. Sapo ka lindur bebja, unë e kam vendosur në gjoks, ngase mendimi dhe besimi im është se momenti i parë dhe kryesori është që fëmija të jetë në gjoksin e nanës. Domethënë, ka qenë një moment tepër emocionues, burri ka qarë, unë kam qarë. 45 minutat e parë pas lindjes, këtu në Amerikë, i quajnë koha e artë. Kjo periudhë është vetëm për nanën, babën dhe fëmijën, dhe brenda këtyre 45 minutave, me të vërtetë kemi qarë ndoshta gjithë kohën. Pastaj, herën e parë që i kam dhënë gjirin, edhe ky ka qenë një moment shumë emocionues, njejtë edhe me vajzën tjetër ka ndodhur.
KOHA: Ju mungojnë pistat e modës, tanimë u bë një kohë e gjatë që ju e keni braktisur modelimin?
Jo, asnjë fije. Ndoshta ndonjëherë kam nostalgji, kur i kujtoj ato ditë, por të them se më mungojnë do të jetë një gjë jo e saktë, ngase nuk më mungojnë aspak. Jam e kënaqur që kam pasur një jetë dhe një karrierë të tillë, por me të vërtetë sot jam në një pozitë në jetën time, të cilën nuk e ndërroj për gjë tjetër. Më nuk dua t’i kthehem modës. Nuk e kam menduar se do ta braktis kaq herët, kam menduar se do të isha modele deri 55 ose 60 vjeç. Kërkesat janë edhe tani, por jam me fat që nuk kam nevojë.
KOHA: Ku e shihni veten në të ardhmen, keni ndonjë profesion me të cilin dëshironi të merreni?
Tash për tash jam kthyer në shkollë. Studioj Interior design, në kolegjin Otis, kolegj i arkitekturës dhe dizajnit në Kaliforni. Edhe ky është një profesion që më intereson, sepse çdoherë që kemi blerë një shtëpi të re, jam unë ajo që është angazhuar të krijoj, ta përpunoj në një mënyrë që më ka pëlqyer mua. Dhe, mendova pse të mos nis një karrierë në këtë fushë, sidomos që burri im përherë përpunon hotele, ka dizajnere që realizojnë ide. Është një karrierë që mund ta realizoj, nëse ia dedikoj kohën.
KOHA: Planifikoni të punoni në kompani të burrit?
Do ta hap kompaninë time, më pas e shohim, pse jo, t’i realizoj idetë e mia kreative, në një hotel apo një restorant… varet se çfarë projekti do të ketë kur të vijë koha.