Shkup, 8 dhjetor – Dojani dhe veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoni, por edhe më gjerë profesor Emin Azemi, është fitues Çmimin “GRAND PRIX-The Best” për arritje në gazetari dhe kulturë, raporton KOHA.
Në spektaklin e organizuar nga Televizioni kombëtar Tv21 në Shkup, “GRAND PRIX-The Best”, përveç z.Azemi me çmim u nderuan edhe shumë personalitete të tjerë që kanë dhënë kontribut në afirmimin e kulturës, arsimit dhe artit.
Z.Azemi me këtë rast, duke faleminderuar organizatorët për këtë mirënjohje, theksoi se kjo është një ngjarje që synon ta kthejë institucionin e mirënjohjes në kulturë të përgjithshme. Ai mes tjerash potencoi se gazetari në kohën që po jetojmë është profesion sa i keqkuptuar, aq edhe i sfiduar.
“Ky spektakël po synon që institucionin e mirënjohjes ta ngrenë në kulturë të përgjithshme tonën. Aq më tepër kur një profesion si ky, siç është gazetaria që në kohën që po jetojmë është sa i keqkuptuar, po aq edhe i sfiduar. Andaj ndjehem mirë që dikush mendon për këtë profesion”, tha Azemi gjatë marrjes së çmimit, transmeton KOHA.
Ndryshe, Emin Azemi i takon gjeneratës së gazetarëve të kohës së Arbër Xhaferit, ai ka qenë redaktor në disa media të shkruara në Kosovë dhe Maqedoni. Ka qenë redaktor në gazetën “Flaka” ndërsa në vitin 1998 ai bëhet arsye e pluralizmit mediatik në medien e shkruar shqiptare në Maqedoni, themelon dhe boton gazetën FAKTI. Pas mbylljes së kësaj gazete ai ka vazhduar veprimtarin e tij duke mos e lënë për asnjë moment lapsin, ka vazhduar shkrimin e opinioneve për aktualitetin politik në vend dhe hapësirat shqiptare. Aktualisht ai është redaktor përgjegjës në gazetën më të madhe shqiptare në Maqedoni KOHA dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore. (koha.mk)