Shkup, 21 dhjetor – Në Parlamentin e Maqedonisë, sot u nda çmimi vjetor për gazetari dhe publicistikë – “Mito Haxhi Vasilev – Jasmin”. Këtë vit laureat për gazetari ishte publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi, ndërsa Marina Kostovës për arritje në fushën e publicistikës.
Emin Azemi faleminderoi të gjithë ata që e kanë propozuar dhe mbështetur në marrjen e këtij çmimi.
“Të marrësh një çmim, nuk do të thotë se je më i veçanti nga të tjerët, por të vlerësosh dhe nderosh të tjerët, bëhesh më i veçantë. Sot për mua të veçantë janë ata që më nderuan me këtë çmim dhe ata që më mbështetën gjatë gjithë punës sime. Për mua të veçantë janë Lirim Dullovi dhe Arben Ratkoceri me gazetën e tyre KOHA që më propozuan dhe mbështetën që unë të jem laureat i këtij çmimi. Për mua të veçantë janë kolegët e mi nga Këshilli për ndarjen e këtij çmimi, të cilët më nxorën favorit në këtë garë sfiduese. Për mua e veçantë është edhe familja ime që më ka mbështetur gjatë gjithë punës sime në këtë profesion që nuk është edhe pa sakrifica. Ministria e Kulturës që është gjithashtu themeluesi i këtij çmimi, më ka bërë të ndjejë dorën e ngrohtë të mbështetjes institucionale ndaj një profesioni që gjithnjë e më tepër po rrëshqet në terrene të vështira të mbijetesës”, tha Azemi. Ndërkaq Marina Kostova, faleminderoi për nderimin që i është bërë dhe tha se kjo është shtytje për të vazhduar me punën e publicistikës. (D.K)