Emigrimi kushton!

62

Fatkeqësisht për ne, as kjo qeveri e as qeveritë paraprake nuk e kanë pasur në prioritetet e tyre zbutjen e efekteve negative të migrimit dhe shfrytëzimin e mundësive që i jep diaspora. Përkundrazi, partia shqiptare në pushtet ka vendosur të gjitha barrierat e mundshme që ta përjashtojë diasporën nga vendimmarrja dhe roli që i takon, duke mos i mundësuar asaj participim të mirëfilltë politik, dhe duke vendosur burokraci apo haraçi sa herë që mërgimtarët tanë kanë dashur të vijnë dhe të investojnë në Maqedoninë e Veriut

Nga Omer AJDINI

Nëse i keni dhjetë shokë, ka shumë gjasë që tetë nga ata kanë dëshirë apo plan të emigrojnë nga Maqedonia e Veriut për të gjetur jetë më të mirë në vende të ndryshme të botës. Kjo ndoshta ju dhemb, por ky është realiteti ynë i hidhur! Rëndom, analizat dhe diskutimet mbi emigrimin tek ne bëhen nga aspekti emocional, ndoshta sepse ajo është përballja jonë më e shpeshtë me pasojat e migrimit. Mungesa e njerëzve që i duam dhe që na duan vërtetë na prek keq secilin prej nesh, e këtë e thonë edhe hulumtime të ndryshme të cilat tregojnë që sa më shumë që emigrojnë njerëzit, aq më e vështirë bëhet jeta për ata që qëndrojnë në vendim amë. Shoku që nuk e ke afër kur dëshiron të qash një hall, mjeku i mirë që ka ikur në Gjermani, punëtori i cili nuk të vije më në punë, janë vetëm disa nga instancat e përditshme me të cilat përballemi ne që nuk kemi migruar (ende) e të cilat ndoshta na bëjnë edhe neve ta mendojmë emigrimin.

Mirëpo përveç këtij dëmi të rëndë por të pa-kuantifikueshëm, emigrimi i njerëzve ka edhe çmime të cilat mund të maten, prandaj edhe pyetja që duhet ta parashtrojmë sot është se sa vallë i kushton shtetit migrimi i njerëzve? Sipas raporteve të OECD-së, nga Maqedonia e Veriut në vit largohen mesatarisht diku 23,000 njerëz, të cilët kryesisht shkojnë në Gjermani (65.8%), Zvicër (8%), Austri (6.9%), etj. Mirëpo jo të gjithë 23,000 njerëzit qëndrojnë jashtë Maqedonisë së Veriut, pra diku 13,500 njerëz kthehen për çdo vit, e që i bie se net migrimi është 9,400 persona për çdo vit.

Cilat janë kostot e migrimit? Kostoja fillestare e migrimit është investimi i cili është bërë në njerëzit të cilët emigrojnë. Sipas Fondacionit Westminster për Demokraci, Maqedonisë së Veriut edukimi i një fëmije prej në shkollë fillore deri në fakultet i kushton diku 28,934 euro, ndërsa nëse ja shtojmë edhe doktoratën atëherë kostoja që paguan shteti bëhet 47,753 euro për student. Struktura e popullit tonë në bazë të shkollimit nga viti 2011 është si vijon: 51% e popullit janë me shkollë fillore, 38.6% me shkollë të mesme dhe 10.4% me shkollim të lartë,dhe nëse supozojmë që të gjitha grupet janë të përfaqësuar barazi në grupin e njerëzve që emigrojnë (pra nga 33.3% secili grup) atëherë i bie që kostoja e emigrimit total është 367.5 milion ndërsa kostoja e neto emigrimit 154.2 milion. Pra Maqedonia e Veriut humbet minimumi 154.2 milion euro për çdo vit duke na ikur kapital njerëzor në vendet e huaja. Sa për krahasim, Maqedonia e Veriut eksporton diku 183 milion euro shërbime të IT-së në vit, pra përafërsisht aq sa eksporton edhe fuqi punëtore!

Përveç kostos direkte përmes edukimit, njerëzit të cilët emigrojnë kanë edhe ndikimin e tyre në Bruto Produktin Vendor. Ky ndikim zhvillohet në dy mënyre. E para, një punëtor që emigron ai nuk kontribuon në vlerë të shtuar në BPV të Maqedonisë së Veriut, ku mesatarja për punëtor është 11,800 euro. Pra, nga numri i atyre emigrantëve të cilët janë të aftë për punë, i bie që Maqedonia e Veriut të ketë kosto oportune përafërsisht 248.1 milion euro në vit nga njerëzit të cilët nuk krijojnë më vlerë të shtuar në BPV-në e vendit. Nëse ja shtojmë kësaj figure kostot tjera indirekte, si për shembull kostoja e konsumit të humbur apo taksave të papaguara, atëherë i bie që përafërsisht në aspekt të BPV-së, Maqedonia e Veriut humbet diku 333 milion euro në vit, apo ekuivalentin e 3.1% të BPV-së nga emigrimi.

Në total, sipas raportit të Fondacionit Westminster për Demokraci, kostot direkte apo indirekte të emigrimit që mund të kuaktifikohen parashihen të jenë përafërsisht diku te 500 milion(gjysmë miliard) euro në vit, të cilat janë përafërsisht të barabarta me investimet e jashtme direkte në Maqedoninë e Veriut(600 milion euro në vit).

Përveç këtyre kostove, njerëzit që emigrojnë shkaktojnë edhe shumë kosto të tjera të cilat ende nuk janë kuantifikuar, si për shembull kostoja në fondin pensional, kostoja oportune e inovacionit që nuk ndodh tek ne nga njerëzit të cilët emigrojnë, si dhe kosto të tjera të cilat bëjnë që Maqedonia e Veriut të stagnojë ekonomikisht.

Pra, ashtu siç shihet, emigrimi çdo ditë e më shumë shterë Maqedoninë e Veriut nga resursi kryesor që kemi: njerëzit e rinj – të cilët do të duhej të bënin “revolucionin teknologjik” këtu tek ne duke përdorur dituritë, kreativitetin dhe energjinë e tyre për të krijuar produkte dhe shërbime të cilat do të garonin në tregun global e do të krijonin vende pune dhe kapital tek ne. Prandaj, masa urgjente duhet të merren në këtë drejtim para se të bëhet tepër vonë. Si fillim, urgjentisht duhet të vendoset në funksion një strategji për qarkullim të trurit dhe premtimet të mos mbesin vetëm në letër. E dyta, emigrimi sezonal do të duhej të stimulohej dhe të bëhej si zëvendësim i emigrimit permanent. E treta, koha e remitancave do të duhej të mbarojë dhe diaspora do të duhej të stimulohej të investojë në Maqedoninë e Veriut, duke i dhënë asaj status të veçantë dhe duke mos e trajtuar atë si të gjithë investitorët e huaj.

Fatkeqësisht për ne, as kjo qeveri e as qeveritë paraprake nuk e kanë pasur në prioritetet e tyre zbutjen e efekteve negative të migrimit dhe shfrytëzimin e mundësive që i jep diaspora. Përkundrazi, partia shqiptare në pushtet ka vendosur të gjitha barrierat e mundshme që ta përjashtojë diasporën nga vendimmarrja dhe roli që i takon, duke mos i mundësuar asaj participim të mirëfilltë politik, dhe duke vendosur burokraci apo haraçi sa herë që mërgimtarët tanë kanë dashur të vijnë dhe të investojnë në Maqedoninë e Veriut. Neve na kushton shumë emigrimi, por edhe më shumë se aq siç duket na kushton mbajtja në qeveri e atyre të cilëve nuk u dhemb ky çmim i lartë dhe nuk kanë interes që ta trajtojnë diasporën tonë si resurs me potencial transformues ekonomik dhe social.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)