Kronika e zakonshme e MPB-së muajve të fundit është kryesuar nga lajmet e hyrjeve ilegale të emigrantëve në Maqedoni. Në lokacione të ndryshme të vendit, gjatë tre muajve të kaluar, janë zbuluar grupe të mëdha emigrantësh, të cilët ose kishin hyrë nga Greqia, ose ishin kthyer nga shteti Serb
Omer XHAFERI
Shkup, 29 shtator – Nëse jo me mijëra, muajve të fundit nëpër Maqedoni janë zbuluar dhjetëra grupe ilegale të emigrantëve. Për dallim kur në të kaluarën numri më i madh i tyre vinin nga shtetet si Siria apo Iraku, periudhën e fundit numri më i madh i tyre janë nga Pakistani dhe Irani. Brenda muajve korrik-gusht, siç njoftojnë nga policia e shtetit për gazetën KOHA, nga Greqia në Maqedoni, nëpërmjet rrugëve ilegale, janë futur gjithsej 182 emigrantë.
“Gjatë periudhës së theksuar është zbuluar një grup kriminele katërantarësh, i cili ka trafikuar 23 emigrantë nëpërmjet të ashtuquajturin ‘brezin e gjelbër’ nga Greqia në Maqedoni. Gjatë kohës së transportit të këtyre emigrantëve personi i denoncuar ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe me shpejtësi të madhe është përplasur në një gardh mbrojtës. Si rezultat i kësaj ndeshjeje, humbën jetë dy emigrantë dhe 12 tjerë pësuan lëndime të rënda. Shumica e emigrantëve që tentojnë të futen apo të dalin në Maqedoni vijnë nga Irani, Pakistani, Afganistani, Libia dhe një numri i vogël nga shtetet tjera”, thonë në MPB.
LINJA E PREFERUAR
Për dallim nga organet e rendit, të cilët shpeshherë hezitojnë të japin informacione për arsyet e shtimit të numrit të emigrantëve ilegal në vendin tonë, nga sektori civil thotë emigracioni ilegal si fenomen ndonëse me intensitet të ulët, çdoherë do të jetë aktiv. Sipas aktivistit Jasmin Rexhepi, edhe pse Ruta Ballkanike zyrtarisht u mbyll në vitin 2016, ky itinerar, siç thotë ai, vazhdon të mbetet linja më e preferuar e emigrantëve për të arritur në ndonjë prej shteteve të Bashkimit Evropian.
“Jo zyrtarisht, numri i migrimit ilegal në Maqedoni arrin deri në 10 persona në ditë. Kjo gjendje ka vazhduar që nga mbyllja e Rutës Ballkanike në vitin 2016. Duhet të dihet se migracioni është një çështje e ndryshueshme vazhdimisht. Çdoherë ekzistojnë njerëz që janë në lëvizje. Tash, vetë shteti ynë gjendet në aso pozite gjeografike-strategjike që ato persona, të cilët kryesisht vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, doemos të kalojnë përmes Ballkanit që të arrijnë në Evropë. Në këto rrethana aktualizohen rrugët e trafikantëve që janë prezent edhe në vendin tonë”, thotë Rexhepit.
Organizata jo qeveritare “Legis” dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile vazhdojnë të jenë prezent në dy kampet e refugjatëve në Gjevgjeli dhe Tabanoc, përfshi kufirin verior me Serbinë. Trajtimi i emigrantëve në vendin tonë nga policia, sipas tyre, është në nivelin e duhur. Në njërin prej raporteve të fundit të Komitetit të Helsinkit, thuhet se një pjesë e emigrantëve në vendin tonë gjatë tre muajve të kaluar janë ballafaquar me dhunë dhe maltretime të ndryshme që kryesisht vijnë nga grupet kriminele.
Duke folur për respektimin e konventave ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, Jasmin Rexhepi, shprehet se emigrantët me probleme më serioze ballafaqohen gjatë hyrje-daljeve në pikat kufitare Serbi-Bosnje dhe Bosnje-Kroaci, ku këta të fundit në mënyrë të dhunshme i kthejnë në territorin e Bosnjës.
“Rrahja, maltretimet dhe nënçmimi janë vetëm një pjesë e metodave të cilën e shfrytëzojnë autoritet kroate në raport me emigrantët. Kjo qasje e tyre diskriminuese bëhet me të vetmin qëllim – që emigrantet të kthehen të demoralizuar dhe mos tentojnë të vazhdojnë rrugën drejtë shteteve të BE-së”, thotë Rexhepi.
IRANIANËT IKIN NGA REGJIMI, PAKISTANEZËT NGA VARFËRIA
Arsyet sepse shumica e emigrantëve që muajve të fundit janë futur në vendin tonë e që vijnë nga Irani e Pakistani, sipas Rexhepit, janë të ndryshme. Mungesa e sigurisë në pjesën veriore të Pakistanit dhe varfëria apo gjendja e rëndë ekonomike në pjesën e mbetur të saj, paraqesin shkaqet kryesore që i shtyjnë banorët e këtij shteti ti rreken rrugës së emigracioni drejtë BE-së.
“Shtimi i numrit të emigrantëve nga Irani në masë të madhe ka të bëjë me linjën direkte ajrore që është lëshuar përmes Beogradit dhe Teheranit. Në këtë mënyrë, atyre nuk ju nevojitet vizë, gjegjësisht me aeroplan – shtetasi (emigrantët) nga Irani për disa orë gjendet në afërsi të dyerve të BE-së, respektivisht nga Serbia ato tentojnë të futen në Kroaci. Ankesat më të shpeshta të tyre janë se në vendin e tyre mbizotëron një regjim totalitar”, thotë Rexhepi. (koha.mk)