Danimarka po tërheq përsëri vëmendjen ndërkombëtare për trajtimin e emigrantëve. Këtë javë, Organizata e Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësime serioze për planin e Danimarkës që të zhvendosë azilantët e refuzuar dhe emigrantët e dënuar në një ishull të vogël që përdorej dikur për eksperimente ndaj kafshëve.
Shefja e të drejtave të njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, shprehu kritikat ndaj këtij plani në një konferencë në Gjenevë. “Shpesh herë ka vështirësi në kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të origjinës, kur nuk pranohen si refugjatë, por kjo duhet të ndodhë në mënyrë njerëzore dhe të sigurt. Ne kemi parë ndikimin negativ të politikave të tilla të izolimit dhe Qeveritë nuk duhet të replikojnë këto politika. Mohimi i lirisë së tyre, izolimi dhe damkosja e tyre, do të rrisë më shumë cënueshmërinë që kanë”, Bachelet.
Ishulli Lindholm, që ndodhet në qendër të një gjiri rreth 100 kilometra në jug të Kopenhagenit, është përdorur dikur për të studiuar sëmundjet ngjitëse që preknin lopët dhe derrat. Plani për ta kthyer në një qendër për emigrantët e refuzuar që nuk mund të kthehen në shtëpi, ku shumica e tyre janë myslimanë, është rezultat i një marrëveshje në buxhet të arritur javën e kaluar mes partisë së qendrës së djathtë të Kryeministrit Rasmussen dhe partisë popullore të Danimarkës.
Politikat e ashpra të emigrimit të Danimarkës janë fajësuar pjesërisht për mungesën e fuqisë punëtore. Raste të tilla kanë përkuar me vështirësi të vendit për të gjetur punonjës me aftësi nga jashtë. Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se ka shembuj mjaftueshëm për të treguar se këto taktika të izolimit kanë efekte anësore. Australia është kritikuar në të shkuarën nga OKB për themelimin e qendrave të ndalimit të emigrantëve në ishuj, që shumë persona i kanë quajtur “kampe përqendrimi”.