Dëshira e tij e vetme ishte që një ditë ta sheh Shqipërinë e lirë, demokratike e të bashkuar: “Sytë e mi në varr – u thoshte bashkëveprimtarëve të tij – nuk do të mbyllen përderisa nuk krijohet Shqipëria Etnike”. Përmes Mehdi Ndreut, vendosi lidhje edhe me disa krerë të shquar të mërgatës shqiptare, midis të cilëve edhe me udhëheqësin e organizatës panshqiptare në ShBA, VATRA, Fan Nolin
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Aktiviteti i tij politik vjen në shprehje veçmas gjatë vitit 1946, kur tash më ai bëhet njëri ndër udhëheqësit kryesor të organizatës së NDSh-së jo vetëm të komitetit të Dibrës, por edhe më gjerë. Si i tillë, mori pjesë në Kongresin II (IV) të organizatës, i cili u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup, ndërsa më vonë, përkatësisht në fillim të muajit korrik 1946, së bashku me Azem Maranën, themeloi komitetet komunale të NDSh-së për Strugë e Ohër. Si rrjedhojë të këtij aktiviteti, pushteti i atëhershëm komunist jugosllavo-maqedonas, Camin e rreshtuan ndër bartësit kryesor të politikës së NDSh-së, e cila politikë, sipas tyre ishte “armiqësore”, si ndaj regjimit komunist të RFP të Jugosllavisë, po ashtu edhe të RP të Shqipërisë. Kjo provohet edhe në Aktakuzën që më datë 11 janar 1947, Prokurori Publik i RP të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski, ia dorëzoi Gjyqit të Qarkut – Shkup, sipas së cilës O. Cami, akuzohej për sa më poshtë vijon:
“…I akuzuari Osman Cami në organizatën e lartpërmendur është futur nga Dr. Qeram Zllatku, ku bëhet anëtar i komitetit për rrethin e Dibrës dhe, si i tillë, zgjidhet delegat në Kongresin IV të organizatës mbajtur me 1 qershor 1946 në Shkup, në të cilin ka paraqitur raport për punën dhe aksionet e çetave balliste në RP të Shqipërisë. Pas kongresit shkoi në Strugë, me qëllim që ta formonte komitetin e të njëjtës organizatë me urdhër të Dr. Qeram Zllatkut. Tok me të akuzuarin Medat Tërshana lidhet me çetën e Shemë Hatipit, e cila vepronte si në territorin tonë, po ashtu edhe në territorin e RP të Shqipërisë, e gjithë kjo me qëllim të realizimit të detyrave të lartpërmendura të organizatës…”.
Për rrjedhojë, kryetari i Gjyqit, Panta Marina, më 7 shkurt 1947, në sheshin e qytetit të Shkupit, lexoi dënimet kundër 19 veprimtarëve të NDSh-së, me ç’rast O. Cami u dënua “me humbje të lirisë me punë të detyrueshme” në kohëzgjatje prej 15 vjetëve, si dhe “humbje të të drejtave politike dhe ato qytetare, përveç atyre prindërore” në kohëzgjatje prej 5 vjetësh. Ky vendim u bë i plotfuqishëm më datë 26 shkurt 1947, pasi i njëjti u vërtetua edhe nga Gjyqi Suprem i RP të Maqedonisë. Menjëherë pas kësaj, O. Cami u transferua në burgun e Mitrovicës së Sremit. Aty qëndroi deri në vitin 1953, kur pas një amnistie të përgjithshme të shpallur nga ana e autoriteteve udhëheqëse jugosllave lirohet nga burgu.
Duhet theksuar se lirimi nga burgu, siç njoftohemi nga burimet e proveniencës policore jugosllave, u prit jashtëzakonisht mirë nga popullsia shqiptare në Dibër dhe jo vetëm. Tërë kjo, ishte rrjedhojë e qëndrimit të tij të paluhatshëm, si gjatë procesit të hetuesisë dhe atij gjyqësor, po ashtu edhe gjatë vuajtjes së dënimit, përkundër presionit psikik e fizik të kryer nga ana e oficerëve të UDB-ës jugosllave. Ishin pikërisht këto arsyet kryesore, që popullsia shqiptare të krijoj një besim të plotë ndaj tij. Bashkëpunëtori me nofkën “Metak Mali”, i raportonte UDB-ës jugosllave për një bisedë që e kishte zhvilluar me O. Camin, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:
“…Osmani më foli rreth burgosjes së tij pas çlirimit se si ka qenë i burgosur për shkaqe politike si kombëtar i madh shqiptar. Tregonte se si ka menduar të arratiset, mirëpo e kanë kapë në Dibër. Më tej theksoi se përkundër asaj se ka qenë në burg, sërish ka ngelë njeri i ndershëm, sepse gjatë hetuesisë nuk ka dhënë asnjë njeri. Kur e kanë pyetur në hetuesi se a e ka mashtruar Qeram Zllatku, O. Cami këtë e ka mohuar. Pas daljes nga burgu, për shkak qëndrimit të tillë, në popull pati besim të plotë pasi nuk e ka tradhtuar askënd…”. Pas vuajtjes së dënimit, një periudhë ngeli pa punë, që më pas të punësohet si nëpunës në Shtëpinë e Shëndetit të Dibrës. Po në atë periudhë kohore u martua me Gëzime Nasufin, vajzën e Ago bej Nasufit, i cili për shkak të autoritetit të madh që gëzonte në krahinën e Dibrës, njihej edhe si Ago bej Maqellara. Osmani dhe Gëzimja lanë pas veti katër fëmijë: Qenanin, Fanolin, Ermirën dhe Hamitin. Ky i fundit (Hamiti), vdiq në moshën 11 vjeçare.
Burimet e proveniencës policore jugosllave, nxjerrin në pah aktivitetin e dendur politik e kombëtar të O. Camit edhe pas vuajtjes së dënimit. Një aktivitet i tillë, për kushtet e atëhershme nuk ishte i lehtë, aq më tepër kur bëhej fjalë për një të burgosur politik, i cili përcillej në hap nga shërbimi informativ jugosllav, UDB-ja. Këtë e kishte më se të qartë edhe O. Cami, mirëpo për të parësore ishte çështja kombëtare. Jo rrallë herë reagonte në mënyrë publike kundër politikës represive të pushtetit komunist maqedonas ndaj popullsisë shqiptare, që me këtë rast po i referohemi informatës së një bashkëpunëtori të UDB-ës, i cili përcjell revoltën e Camit kundër një zyrtari maqedonas:
“…Shiko – i drejtohet Cami zyrtarit maqedonas – mos mendoni se kjo çështje do t’u shkoj për gjatë kohë, kjo mënyrë e juaja nuk do shkoj aq gjatë, do të vij edhe e jona, edhe atë së shpejti dhe atëherë do të dalin në pah këto punë të juaja të pista që jeni duke i bërë…”.
Në periudhën kur O. Cami u lirua nga burgu, në Dibër të Madhe qenë vendosur një numër i konsiderueshëm i “emigracionit” politik shqiptar, në mesin e të cilëve ishin edhe disa miq dhe bashkëveprimtar të O. Camit, si Mehdi Elez Ndreu, Fik Maliqi etj. Miqësia e tyre ishte e hershme, përkatësisht buronte që nga luftërat ballkanike e këndej, kur të parët e tyre si Elez Isufi, Dan Cami u prinin kryengritjeve antiserbe të viteve 1913-1921. E njëjta u përforcua edhe më shumë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur në krahinën e Dibrës si tërësi, ngjashëm sikurse edhe në krahinat tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav, vepronte Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, në ballë të së cilës ishin: Osman Cami, Dr. Qeram Zllatku, Medat Tërshana, Cen Elezi, Mehdi Elezi, Fik e Ali Maliqi, Shemsi Hatipi, Dan Kaloshi e shumë figura tjera të dijës e të pushkës. Shërbimi sekret UDB-ja, i raportonte KQ të PKM-së, se të gjithë ata “emigrantë” janë kundërshtarë të hapur të regjimit enverian dhe, si të tillë, zhvillojnë fushatë të hapur para masave, se: “në një kohë të afërt patjetër duhet të fillojë lufta”, dhe se atëherë ata në krye me komitetet perëndimore do ta sulmojnë Shqipërinë dhe me “ndihmën e forcave perëndimore do ta krijojnë sistemin juridik demokratik, i cili do ta bashkojë tërë Shqipërinë…”. Po i njëjti shërbim, përcillte bisedën e bashkëpunëtorit “Metak Mali” të zhvilluar me O. Camin, sipas të cilit ky i fundit qenka shprehur:
“…Unë këtij shteti i falënderohem për shkak se më liroi nga burgu, mirëpo të ta them të drejtën këtë shtet nuk e kam për zemër dhe nuk mund të jem adhurues i këtij shteti. Mua, si shqiptar, zemra më rehatohet për Shqipërinë dhe me siguri se deri tash do të kisha shkuar në Shqipëri, mirëpo tash atje regjimi është shumë i keq dhe prandaj nuk shkoj…”.
Dëshira e tij e vetme ishte që një ditë ta sheh Shqipërinë e lirë, demokratike e të bashkuar: “Sytë e mi në varr – u thoshte bashkëveprimtarëve të tij – nuk do të mbyllen përderisa nuk krijohet Shqipëria Etnike”. Përmes Mehdi Ndreut, vendosi lidhje edhe me disa krerë të shquar të mërgatës shqiptare, midis të cilëve edhe me udhëheqësin e organizatës panshqiptare në ShBA, VATRA, Fan Nolin. Sipas dëshmisë së ofruar nga djali i tij, i cili jeton dhe vepron në SHBA, veç tjerash u informuam se, emrin Fanol e kishte marrë pasi babai i tij, paraprakisht kishte marrë leje nga vetë Fan Noli: “Po të më fal Perëndia një djalë, kam dëshirë t’ia lë emrin tënd”, thuhej në letrën e O. Camit dërguar Nolit, i cili pasi ishte informuar se miku i tij djalin e kishte emërtuar Fan Nol dhe jo Fan, do të shkruaj: “Nuk e kam pritur t’ia lësh emrin Fanol, por Fan”.
Ishin pikërisht këto arsyet kryesore që udhëheqja politike jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase, te kjo shtresë, përkatësisht, te nacionalistët shqiptarë, të sheh rrezikun më të madh se sa te politika zyrtare shqiptare, përkatësisht enveriane. Në Analizën me titull “Pakica shqiptare në RPM-ë”, hartuar më 10 shkurt 1952, nga Komisioni i KQ të PKM-së, i udhëhequr prej Kërste Cërvenkovskit, vihej në dukje fakti se te masat shqiptare “ka shumë më tepër përkrahës të luftës kundër Shqipërisë së Enverit, por edhe për bashkimin e Shqipërisë pa Enverin”. Tërë kjo, sipas hartuesve të Analizës, ishte rrjedhojë e urrejtjes shumë të madhe, që ekzistonte te masat shqiptare “ndaj Rusisë si dhe ndaj Enverit, si eksponent i ‘Komunizmit Moskovit’…”. Prijësit e kësaj linje, siç theksohej në dokument, ishin “emigrantët e ardhur nga Shqipëria”, të cilët janë përkrahës të komiteteve antikomuniste shqiptare në botën perëndimore.
“…Emigracioni i sotëm që është udhëheqës i luftës kundër Shqipërisë së Enverit, – theksohej në Analizë – që në numër të madh jeton në këto territore, i përhap idetë për bashkimin e Shqipërisë pa Enverin dhe Rusinë. Kjo, veçanërisht ka ndikim të thellë në Dibër dhe Strugë dhe territoret tjera, kështu që parashtrohet një pyetje shumë serioze: Nëse do të vinte deri te një qeverisje nga ana e komiteteve perëndimore shqiptare, a do të kishim vështirësi shumë më të madhe? Kjo nënkupton se në atë rast kundër nesh do të kishim kundërshtarë më të fortë nga kjo e sotmja në Shqipëri…Nga ana tjetër, gjendja e sotme vërtetë e keqe në Shqipërinë e Enverit, na jep mundësi të mira për të punuar me shqiptarët…”.
(vijon nesër)