Rreth 600 mijë shtetas janë larguar nga vendi për shkak të ekonomisë si dhe për një jetë më cilësore. Valixhja e një të riut intelektual që largohet nga vendi merr me vete rreth 40 mijë euro
Remzije BILALLI
Shkup, 12 nëntor – Kemi një të ri i cili ka përfunduar katër vite në fakultet, i cili do të dalë jashtë vendit. Me vete ka dy valixhe, njëra valixhe ka 29,000 euro, para të cilat ai, shteti dhe prindërit e tij investuan për të mbaruar universitetin, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër ka 16 mijë euro që është kontributi i tij i mundshëm për bruto prodhimin vendor në vit. Ky person kur largohet nga vendi merr me vete rreth 40 mijë euro. Me anë të këtij shembulli, Damir Neziri, zyrtar i vendit në fondacionin Vestminister, që hulumton emigrimin në rajon, shpjegon se sa kushton ikja e intelektualëve. Emigracioni i vendit çdo vit kushton 333 milion euro, që është rreth 3.1% e BPV në vitin 2018. Rezultatet tregojnë se Maqedonia e Veriut ka investuar rreth 502 milion euro në arsim në vitin 2018.
Drejtori i Agjencisë për emigrim, Nikolla Shalvarinov theksoi se bazuar në statistikat në 15 vitet e fundit të rinjtë largohen në vendet Evropiane dhe janë regjistruar rreth 600 mijë qytetarë shtetas të Maqedonisë Veriore. Sipas tij duhet të bëhet strategji se si personat që janë larguar mund të ndihmojnë ne vendin e tyre qoftë në sferën e ekonomisë, politikës apo doku tjetër. Këshilltari i MASH, Safet Neziri theksoi se MASH për parandalimin e ikjes së të rinjve jashtë vendit ka bërë një numër të madh reformash në drejtim të sensibilizimit të sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut.
“Në bashkëpunim me kompanitë private, odat ekonomike, sindikatën, kemi bërë këtë vit reformimin e tërësishëm të arsimit të mesëm profesional me të vetmin qëllim që tu plotësohen nevoja, që nxënësit tonë pas diplomimit të arsimit të mesëm profesional të munden të punësohen. Nga ana tjetër për stimulimin e nxënësve MASH ndan bursa, për nxënësit të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit duke i mbuluar të gjitha harxhimet mirëpo kusht është që ato të kthehen në vend”, tha Neziri. Ilija Stankovski përfaqësues i Rrjetit për parandalimin ikjes së intelektualëve theksoi se do të bëhen analiza se çfarë është bërë deri më tani dhe nga aty do ti nxjerrim rekomandimet se çka duhet të bëhet në të ardhmen.
“Fillimisht si rrjet deshëm ta përfshijmë Strategjinë Nacionale për bashkëpunim me kuadrin a lartë arsimor, si dokument Nacional i cili u soll në vitin 2013, i cili përfshin çështjen e ikjes. Edhe pse vetëm në aspektin e arsimit, vlerësojmë se është një nga shembujt se si duhet të veprojmë. Ky dokument ka mangësitë e tij prandaj roli ynë është për të kontribuar në përmirësimin e zbatimit përmes zhvillimit të planeve vjetore të veprimit cilësor të zbatimin të saj. Kjo strategji duhet ndjekur edhe nga institucionet tjera sepse arsimi nuk është arsye e vetme për të cilën të rinjtë ikin nga vendi, ndërsa ne do të krijojmë politika të cilat do të ulin trendin e ikjes”, tha Stankovski.
Stankovski theksoi se përveç punës dhe arsimit, ikja ka të bëjë me të gjitha aspektet tjera të cilat u përkasin të rinjve si: mjedisi jetësor, shëndetësia, cilësia e jetesës dhe të ngjashme, prandaj është e rëndësishme punë ndërinstitucionale dhe kyçja e sektorit civil të cilët do të rrisin kualitetin jetësor duke motivuar të rinjtë të rrinë në vendin e tyre. Një raport ndërkombëtar për migracionin nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregon se ndërmjet 2012 dhe 2016, 115.000 njerëz u larguan nga Maqedonia Veriore. (koha.mk)