Em Hajdut, Em Evropjan!

Diskrepanca mes votuesve dhe klasës politike është se “avangarda politike” ngec prapa votuesve. Prandaj, politik-bërja e këtillë më nuk ka sukses dhe nuk ka fare kuptim politik! Kjo klasë politike vetëm ‘vergllat’ për të shkaktuar kakofoni në vend të melodisë. Dhe “sillet si pordha nëpër brekë”, kështu thotë ky popull i mençur. Nuk e them unë

Nga Shaqir ISLAMI

Klasa jonë politike ka ngec në primitivizmin e vet katundarçe; duhet urgjentisht të fisnikërohet. Bile, një ditë më parë, aq më mirë. Kjo shoqëri ka nevojë për ndryshime thelbësore dhe rrënjësore. Pra, duhet një ri-brendim gjithëpërfshirës në çdo cep të saj. Për të nisur ndryshimet, klasa politike, sidomos opozita ka për detyrë ta ndryshojë veten. Duhet një sipërmarrje serioze dhe shumë-anësh të fisnikërohet; të shkundet fuqishëm nga pluhuri historik, nga primitivizmi mendorë oriental; të nisë ta kursejë energjinë tonë sociale e të mos e harxhojë si kumarxhi i sëmurë, siç e bëri, qysh nga 2001’ëshi,  Alia me zadrugën e vet zullumqare. Ai që s’ka harxh ta ndryshojë veten, si mund ta ndryshojë shoqërinë? Duhet punë, punë natë-e-ditë … pra, vullnet dhe shumë punë.

Klasa politike, deri tashti duhej të ishte i fisëm, i sojit, … si një shtëpi e madhe  me nam të mirë që nderohet si nga mëhalla ashtu nga rrethi. Ky është ceni thelbësorë i klasës politike. E ka zaptuar nam i keq. Qysh moti e ka thënë ky popull i mençur: “më mirë t’daltë shpirti, se nam i keq”. Sa i mençur që është ky popull! Nuk e kam të qartë, si e duron “zadrugën e Zullumit” kaq vite!

Tashmë qartë duket se, kjo klasë akoma nuk e mund dot primitivizmin që t’i përshtatet kohës së sotme. Kjo përfaqëson avangardën e shoqërisë sonë; jeton, sillet, vepron dhe mendon në frymën e njëqind vjet më parë. Ndërsa, ‘bota ka ikur në të s’amës’, siç di të shprehet esnafi i çarshisë dhe  pazarit.

Çfarë avangarde është kjo? Atëherë, thotë shumëkush, e sigurisht se do them dhe unë: ‘ta dhjefsha avangardën me analfabetë, injorantë, hajdutë, zullumqarë ndaj llojit të vet, dhe romantikë – kaçakësh të papërmirësueshëm’. Çne  kjo bandë idiotësh dhe sojsëzësh? Kujt i duhen dhe ç’të mirë mund t’i sjellin publikut politik, dhe mbarë shoqërisë? Shumicën syresh po i fute në makinën për larje teshash do del ujë pis – katran dhe marksistë – leninistë të pastër dhe të bardhë si dëborë bjeshkësh. Si mund ta ndryshojnë shoqërinë, këta bilmezë që s’mund ta ndryshojnë as ‘frizurën’?

Siç na mëson mësuesja jonë e dashur Historie me shembuj të bollshëm, primitivizmi, pa dija dhe plus kapadaillëku sjellin njëmijë të zeza njerëzimit. Thotë një thënie jonë katundare: “Uthulla e sertë i bën dëm vetëm qypit të vet”. Kapadaillëku, rahagjokësia, bukëshkalësia, mendje-lartësia e kot’na’skoti, sjell vetëm telashe dhe bela. Shoqërisë sonë të varfëruar, të fyer e të poshtëruar, dhe të mjeruar nga zullumqarët e vet nuk i duhen as telashe të reja as halle të vjetra; por,  i duhet rehati, pakëz lumturi dhe mirëqenie, siç supozohet se duan të gjitha qeniet humane.

‘Avangarda’ politike së pari duhet të zbutet, të fisnikërohet dhe të humanizohet, e pastaj të qytetërohet evropiançe; për të qenë shembull për qytetarin e rëndom. Të bëhet model i qytetarit evropian. Pasi fjalët: Evropë, evropian, … këta i përtypin si çamçakëzin Buble-Gum të kohërave të komunizmit. Atëherë, bujrum hajde bëhuni Evropian! Em hajdut, em Evropjan nuk shkon. Ose njëra, ose tjetra.

Besimi nuk fitohet me dhunë psikike; jo se jo me kumtime politike nënçmuese dhe ultimative, ‘ose ose’. Edhe dashuria po ashtu. Marrëdhëniet e mira njerëzore, fqinjësore, … globale ndërtohen dhe mirëmbahen me sjellje dhe kumtim të mbarë. Kumtimi i mbarë dhe qytetërues është edhe çelës i xhenetit; nuk ka derë dhe zemër që nuk e hap. Ndërsa kumtimi i sertë dhe i mbrapsht e mbyll çdo derë; bile, bile edhe të miqve të vjetër. Të kumtosh mbarë dhe të rrezatosh energji pozitive, është virtyt qytetarie; është burrni, është trimëri dhe mençuri politike; për të cilat, sot, ka shumë nevojë mbarë shoqëria jonë. Pajtimi ndëretnik vetëm me kumtim të mbarë dhe pa hile. Mjaft më me hesape xhambazësh.

Kumtimet ultimative dhe kërcënuese siç i dëgjuam nga fjalamanët e opozitës, me rastin e deklaratës së kryeministrit Zaev për Ligjin e Themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ishin në frymën primitive. Zemrat dhe mendjet e votuesve shqiptarë nuk blihen me deklarata të tilla hileqare. Votat fitohen me program, ideologji dhe me kumtim politik qytetarë. Diskrepanca mes votuesve dhe klasës politike është se “avangarda politike” ngec prapa votuesve. Prandaj, politik-bërja e këtillë më nuk ka sukses dhe nuk ka fare kuptim politik! Kjo klasë politike vetëm ‘vergllat’ për të shkaktuar kakofoni në vend të melodisë. Dhe “sillet si pordha nëpër brekë”, kështu thotë ky popull i mençur. Nuk e them unë. (koha.mk)