Po rikthehet në Festivalin e madh të fundvitit me një këngë të mrekullueshme, edhe pse kishte kohë që nuk kishim dëgjuar ndonjë projekt të bukur nga Eliza. Ajo vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar arsyet e pauzës në muzikë dhe të rejat që do sjellë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Rikthehesh në festivalin e fundvitit në RTVSH, cilat janë synimet tua?
Thjeshtë për qejf, u bë gjatë kohë jashtë skenës për shkak të angazhimeve të tjera, ndërkohë që ka plot projekte të mbetura peng për shkak të kësaj, Festivali ishte një moment i mirë për t’u kthyer për veten dhe për të tjerët.
KOHA: Kishte kohë pa sjellë ndonjë këngë të bukur, pse kjo mungesë në skenë?
Jam me studime të doktoraturës në vitin e fundit, ndërkohë i tërë viti 2018 më ka shkuar me përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias për Arkitekturë dhe ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe një dashuri e paparë për vendin dhe për rëndësinë e përfaqësimit të tij në një ngjarje të tillë. Këtu janë edhe katër ekspozita të tjera personale gjatë këtij viti dhe natyrisht duke qenë e pamundur me i bë të gjitha njëkohësisht muzika mbetet ndonjëherë në sfond, por asnjëherë e harruar sepse është dashuria ime e parë.
KOHA: Ndonëse nuk e sheh muzikën si biznes fitimprurës siç e shohin gjithë këngëtarët, si e sheh skenën Eliza gjatë gjithë këtyre viteve karrierë?
Nuk jam unë e thirrur të jap mendime ose gjykime se çfarë ndodhë në skenën muzikore shqiptare, vazhdoj të besoj se ne gjithmonë përcaktohemi për pozicionet, rrugët dhe profilin tonë në çfarëdo që bëjmë gjatë jetës andaj unë vetëm vazhdoj të bëj atë që dua dhe besoj me shumë dashuri dhe pasion.
KOHA: Cilët janë bashkëpunëtorët e këngës së fundit?
Adi Hila.
KOHA: Nëse do të jepej rasti të përfaqësosh Shqipërinë në Eurovision, kujt do ia dedikoje këtë sukses?
Adit për orkestrimin fantastik, familjes time që me gjithë kundërshtitë dhe mendimet ndryshe më kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit tim. Por edhe të gjithë miqve që kanë qëndruar afër në të mirë e në të keq gjatë rrugëtimit në muzikë dhe jo vetëm.
KOHA: Je gjithnjë e më shumë një zë i fuqishëm i femrës në shoqëri, cilat janë aktivitetet me të cilat je duke u marrë kohës së fundit?
Punoj vazhdimisht në ndonjë kauzë apo çështje që më preokupon, ka disa gjëra në proces por që nuk kisha shpalosur më shumë në këtë rast duke lënë pikën e referimit tek Festivali si aktivitet kryesorë në këtë kohë.
KOHA: Krahas këtij projekti, ndonjë këngë tjetër në planet tua?
Plot, plot këngë dhe albume të papërfunduara, që nga marrëveshja për albumin e tretë me Enis Preshevën si producent ky album që kurrë nuk është finalizuar e deri te një album me krijimet e mia që është në mendjen time.
KOHA: Sikur të kishe në dorë shkopin magjik, cilat janë tre gjërat që do të kishe ndryshuar në Kosovë?
Ma shumë dashuri për vendin dhe njëri tjetrin, më shumë dashamirësi dhe më shumë mirësjellje. Tjerat vijnë pastaj kur ne kemi këtë energji të mirë në raport me veten, tjetrin dhe vendin.