Maqedonia e Veriut nuk do të bëhet asnjëherë shtet i mirëfilltë multietnik dhe i barabartë për të gjithë përderisa qytetarët e etnitetit maqedonas nuk turpërohen nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas për diskriminimin që ua bën shqiptarëve. Kjo do të arrihet vetëm atëherë kur shoqëria maqedonase të kalojë përmes një procesi të emancipimit dhe krijimit të një elite të mirëfilltë intelektuale, e cila do ta reformonte edhe botëkuptimin e shoqërisë maqedonase, respektivisht asaj se çfarë do të thotë të jesh nacionalist maqedonas
Nga Omer AJDINI
Në Maqedoninë e Veriut nuk ka ditë që nuk je dëshmitar i ndonjë skandali, e jo të rralla janë skandalet që kanë të bëjnë me diskriminimin etnik që u bëhet shqiptarëve apo komuniteteve tjera nga institucionet apo individët maqedonas. Rastet me librat racist shkollor, shkollat shqipe që nuk mund të hapen, shqiptarët që nuk mund të marrin shtetësi, janë vetëm disa nga rastet që shpesh i hasim në përditshmërinë tonë, e më e fundit ishte ajo me ndarjen e mirënjohjeve nga Shoqata e Doktorëve Maqedonas, e cila ndau mirënjohje për shumë mjek të cilët ishin të angazhuar në luftimin e virusit COVID-19, megjithatë, kjo Shoqatë la anash dy nga mjekët më të rëndësishëm në luftën ndaj këtij virusi, pra dr.Fadil Canën dhe dr.Ilir Demirin për arsye ende jo të qarta.
Disa thanë që mosdhënia e mirënjohjeve ndaj këtyre doktorëve vie nga fakti që ata nuk ishin anëtarë të Shoqatës dhe nuk paguanin anëtarësinë, megjithatë e vërteta e kësaj Shoqate ishte pak më e komplikuar. Edhepse jo e detyrueshme, anëtarësia në këtë Shoqatë ishte shumë e rëndësishme për çdo mjek sepse eventet e organizuara nga kjo Shoqatë duhej ndjekur me doemos sepse pa pikët e tyre nuk vazhdohej dot licenca e një mjeku. Pra kjo Shoqatë ishte pjesë integrale e sistemit institucional mjekësor dhe edhe mjekët shqiptarë merrnin pjesë në mirëmbajtjen financiare të saj. Po përse vallë mungonin shqiptarët në listën e mjekëve të shpërblyer me mirënjohje? Përgjigja siç duket të çon te ajo që është simptomatike për shtetin tonë, pra tek diskriminimi etnik që u bëhet shqiptarëve pothuajse në çdo instancë dhe pore të jetës në Maqedoninë e Veriut, gjë të cilën nuk e themi vetëm ne, por e konfirmojnë edhe raportet ndërkombëtare duke e radhitur Maqedoninë e Veriut ndër vendet me diskriminim më të lartë etnik në Europë.
Po përse vallë diskriminohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? Pjesë e përgjigjet gjendet tek vet elementet konstituive të nacionalizmit si element përbashkues i kombeve, ndër të cilat janë edhe armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të çdo nacionaliteti. Pra çdo nacionalizëm i ka armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të cilët shërbejnë si faktorë unifikues dhe pa to nuk formohet grupi nacional apo kombi, e pa to assesi nuk mund të mbetet as nacionalizmi maqedonas. Armiqtë e jashtëm të nacionalizmit maqedonas siç duket janë kryesisht shqiptarët. Këtë e thonë sondazhet e vazhdueshme të cilat pyesin qytetarët maqedonas se cili shtet është më i rrezikshëm për Maqedoninë e Veriut, ndërsa përgjigja është vazhdimisht se Shqipëria është shteti më i rrezikshëm për Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht kjo vie edhe përkundër faktit që as historikisht dhe as aktualisht Shqipëria nuk është paraqitur si ndonjë rrezik ekzistencial për Maqedoninë e Veriut ashtu siç vazhdimisht paraqiten rrezik për gjuhën, identiteti, kishën shtetet si Greqia, Bullgaria dhe Serbia. Megjithatë, nëpër sondazhe Shqipëria përsëri del të jetë armiku i jashtëm më i madh i maqedonasve për arsye të cilat do të duhej një shkrim më i gjatë për t’i shpjeguar.
Po armiqt e brendshëm? Për dallim nga shtet-kombet e civilizuara, ku nacionalizmi ngritet mbi armiq të përcaktuar ideologjikisht, p.sh. tek Amerikanët ‘armik’ konsiderohet komunizmi apo majtizmi, tek gjermanët nacizmin, etj., tek shoqëria maqedone, e cila duke qenë shtet-komb i bazuar në nacionalizëm etnik, armiqtë e nuk janë të përcaktuar në bazë të ndonjë parimi apo botëkuptimi ideologjik parimor, por thjeshtë nga paragjykimet për një etni të caktuar dhe frika apo paranoja e dominancës së saj. Pra edhe armiq të brendshëm të nacionalizmit maqedonas janë shqiptarët të cilët realisht nuk paraqesin ndonjë rrezik për etnitetin maqedonas apo për vet shtetin. Përkundrazi, kërkesat e shqiptarëve për avancimin e të drejtave të tyre e kanë bërë Maqedoninë e Veriut shtet më të drejtë, më demokratik dhe më të barabartë sa herë që janë avancuar këto të drejta. Mirëpo fatkeqësisht kjo ende nuk shihet kështu tek shumica e shoqërisë maqedonase.
Pra duke qenë që shqiptarët si armiq janë të inkorporuar në elementet konstituive të nacionalizmit maqedonas, çdo veprim anti-shqiptar si rrjedhojë është akt patriotik dhe detyrë nacionale e atyre që e kanë përvetësuar këtë botëkuptim. Prandaj edhe diskriminimi ndaj shqiptarëve jovetëm që nuk dënohet nga elita maqedonase, por edhe nxitet meqë për t’u bërë më i afërt e më i madh tek populli maqedonas, medoemos duhet të jesh anti-shqiptar. Kjo me shumë gjasë ka pamundësuar që të zhvillohet një elitë e mirëfilltë dhe të madhe maqedone e cila do të ishte elementi dhe lëvizja emancipuese tek komuniteti maqedonas me çka dalëngadalë do të reformohej edhe nacionalizmi maqedonas duke u çliruar nga racizmi ndaj shqiptarëve dhe duke i larguar shqiptarët si armiq të maqedonasve. Mirëpo, fatkeqësisht si nëpër universitete, ashtu edhe nëpër media dhe në politikë, elita maqedonase deri tani nuk ka treguar që është e emancipuar deri në atë nivel që të jetë e gatshme që ta pranojë çështjen e avancimit të të drejtave të shqiptarëve si çështje me interes shtetëror dhe të përbashkët, por përkundrazi, kemi hasur në rezistencë dhe injorim sa herë që është ngritur zëri kundër padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve. Për këtë mjafton të shihen protestat për rastet e montuara apo mungesën e reagimeve për mos-dhënien e shtetësisë shqiptarëve dhe kuptohet qartë se si qëndron puna!
Maqedonia e Veriut nuk do të bëhet asnjëherë shtet i mirëfilltë multietnik dhe i barabartë për të gjithë përderisa qytetarët e etnitetit maqedonas nuk turpërohen nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas për diskriminimin që ua bën shqiptarëve. Kjo do të arrihet vetëm atëherë kur shoqëria maqedonase të kalojë përmes një procesi të emancipimit dhe krijimit të një elite të mirëfilltë intelektuale, e cila do ta reformonte edhe botëkuptimin e shoqërisë maqedonase, respektivisht asaj se çfarë do të thotë të jesh nacionalist maqedonas. Kjo sigurisht që do kohë, mund dhe mbi të gjitha guxim dhe vetëdije intelektuale për t’u përballur me të keqen dhe për ta ngritur popullin në një nivel më të lartë të vetëdijes njerëzore. Deri atëherë, shqiptarët do të jenë të vetëm në procesin e mbrojtjes së interesave të tyre etnike në këtë shtet dhe ky proces nuk do të jetë i shkurtër.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)