Elita e skandaleve seksuale

30

Sipas ligjit francez, një akuzë për përdhunim është e mundur vetëm nëse ka prova të “forcës, kërcënimit, dhunës ose befasisë”, përndryshe gjykohet si vepra më e vogël e sulmit seksual. Kjo vlen edhe për fëmijët, pasi Franca nuk ka moshë ligjore të pëlqimit

Anna Toumazoff, studente në një prej kolegjeve elitare të shkencave politike në Francë ka denoncuar abuzimet seksuale që ndodhin në këto institucione, përmes një fushate me hashtagun #SciencePorcs në median sociale Instagram. Sipas Anna Toumazoff, “Science Po”, terreni i trajnimit për presidentët, politikanët dhe administratorët e vendit “është shndërruar në terrenin e shkencave të derrave”, siç i ka quajtur ajo personat të cilët akuzon.

“Kjo histori është shumë franceze. Sepse ka të bëjë me shkolla të mëdha. Ka të bëjë me kulturën e përdhunimit, me elegancën e heshtjes. Kjo është shumë franceze”, u shpreh Anna për BBC. Aktivistja e mediave sociale ka marrë më shumë se 400 mesazhe nga studentët aktualë dhe të mëparshëm të programit “Science Po”. Studentët kanë denoncuar sulmet seksuale dhe përdhunimet, kryesisht nga kolegë studentë, të cilët thonë se nuk u morën seriozisht nga kolegji. “Disa iu thanë se nuk është gjëja më e keqe në botë dhe jeta vazhdon. Të tjerë u akuzuan për shpifje. Unë nuk kam marrë ndonjë dëshmi të njerëzve që trajtohen mirë”, vazhdoi Anna.

TABUJA E INCESTIT NË FRANCË

Ndërkohë, Franca është tronditur kohët e fundit nga një seri akuzash të incestit. Pjesë e tyre janë bërë dhe figura të ndryshme publike. Muajin e kaluar, avokatja dhe autorja franceze, Camille Kouchner, botoi një libër në të cilin akuzonte njerkun e saj, Olivier Duhamel, për abuzimin e vëllait të saj binjak kur ishte fëmijë. Olivier Duhamel, një komentator politik dhe kreu i Fondacionit Science Po, dha dorëheqjen së bashku me drejtorin e shkollës, i cili po ashtu kishte njohuri për akuzat.

Një hetim qeveritar i kryer mbi kolegjin nuk tregoi gjetje të një fshehjeje sistematike. Megjithatë, vuri në dukje se askush nga ata që dinin për akuzat nuk kishte raportuar. Hetimi theksoi gjithashtu nevojën e forcimit në vetëdijen mbi dhunën me bazë gjinore dhe seksuale. Nga ana tjetër, Science Po shprehu në një deklaratë mbështetjen për “viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe seksuale”, si dhe zgjatjen me një projekt të ri të njësisë së monitorimit dhe dëgjimit, të ngritur në vitin 2015 si pjesë e një plani veprimi mbi barazinë gjinore. Skandalet në fjalë kanë shkaktuar presione të ngjashme në kolegje të tjera, shkolla të​​ biznesit apo arteve. Presidenti Emmanuel Macron, në një deklaratë mbi çështjen “Duhamel”, mbështeti veprimin dhe guximin e Camille Kouchner, teksa theksoi se veprime të tilla nuk duhet të injorohen më.

Çështja në fjalë ka bërë jehonë te familjet dhe shkollat franceze, duke hapur bisedime rreth aktivitetit të incestit. Teksa ky i fundit shihet në Francë si abuzimi seksual nga të afërmit, përfshirë edhe ata që nuk kanë lidhje gjaku. Shoqata “Face à l’inceste” (Përballja me Incestin) thotë se numri i thirrjeve që mori këtë muaj u rrit nga 30 në pothuajse 200. “Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Njerëzit shpesh fillojnë duke thënë, e dini librin nga Camille Kouchner? Epo, diçka e tillë më ka ndodhur edhe mua”, tha një avokat për BBC.

HISTORI E KOMPLIKUAR

Një studim i kryer vitin e kaluar tregoi se një në 10 persona në Francë ka përjetuar abuzim seksual incestual. Megjithatë, vonë ka filluar të ketë këtë lloj larmishmërie dhe dëshmie të vëmendjes së publikut. Qasja e Francës ndaj incestit dhe seksualitetit në fëmijëri ka qenë e ndërlikuar nga historia e saj, thotë Fabienne Giuliani, një historiane e incestit në Francë. “Që nga Revolucioni Francez, ne kemi krijuar familjen si një vend të shenjtë, në të cilin shteti nuk hyn”, shpjegoi ajo. “Gjatë Shekullit XX, shoqëria franceze refuzoi të shihte incestin, refuzoi të shqiptonte fjalën ‘incest’, refuzoi t’i besonte fëmijët nëpër gjykata”.

Sipas ligjit francez, një akuzë për përdhunim është e mundur vetëm nëse ka prova të “forcës, kërcënimit, dhunës ose befasisë”, përndryshe gjykohet si vepra më e vogël e sulmit seksual. Kjo vlen edhe për fëmijët, pasi Franca nuk ka moshë ligjore të pëlqimit. Megjithatë kohët e fundit duket se kjo po ndryshon. Dy projektligje, që tashmë kalojnë në parlament, kanë paraqitur plane për të hequr mundësinë që të miturit të mund të pranojnë seksin. Presidenti Macron, po ashtu, i ka kërkuar qeverisë së tij të hartojë propozime të ngjashme, duke futur një moshë si kriter pëlqimi.