Nga katër përballjet e së dielës, të gjitha konsiderohen derbi, ndërsa spikat përballja mes dy skuadrave shqiptare, Struga Trim Lum – Renova, Rabotniçki do të përballet me Shkupin, ndërsa Shkëndija kërkon të vazhdojë serinë e fitoreve edhe në Kratovë në përballjen me Sileksin
Bujar KURTAJ
Shkup, 22 shkurt – Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen ndeshjet e javës së 20-të në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut në futboll. Java nis të shtunën me përballjen mes liderit aktual Vardari dhe skuadrës së Borecit, derisa katër përballjet tjera do të zhvillohen të dielën. Ndryshe nga katër përballjet e së dielës, të gjitha konsiderohen derbi, ndërsa spikat përballja mes dy skuadrave shqiptare, Struga Trim Lum – Renova. Shkëndija e cila është në ndjekje të liderit aktual Vardarit do të jetë mysafire e Sileksit, ndërsa në arenën “Todor Proeski” zhvillohet derbi lokal mes Rabotniçkit dhe Shkupit. Përballje interesante pritet të zhvillohet edhe mes skuadrës së Makedonia Gj.P. dhe Akademia Pandevit, ku një fitore eventuale e ndonjërës, do ta ngjiste atë në pozitën e epërme të tabelës.
Tetova nikoqire e dy skuadrave shqiptare, Renova-Struga TL.
Skuadra strugane nuk e nisi mirë sezonin pranveror, duke humbur në fushën e saj nga skuadra e Rabotniçkit me 0-1. Tani djemtë e trajnerit Jeton Beqiri do të kërkojnë të rikthehen në lojë, përkundër faktit se përballë do të kenë një skuadër cilësore siç është Renova. Derisa, edhe kjo e fundit sezonin pranveror e filloi me humbje edhe atë para tifozëve të saj nga Sileksi me 0-1. Nga kjo del që të dyja skuadrat do të tentojnë që të shënojnë fitoren e parë këtë sezon. Florian Kadriu shpreson se ai dhe shokët e skuadrës nuk do të lejojnë që të përsërisin gabimin e javës së kaluar kur humbën pikët nga Sileksi. Thotë se e kanë analizuar mirë skuadrën strugane dhe tre pikët do të mbeten në Tetovë. “Siç e dini në javën e parë humbëm një ndeshje mjaftë të rëndësishme me Sileksin. Shpresojmë se të dielën nuk do ta përsërisim at gabim edhe pse në atë ndeshje kemi dominuar gjatë gjithë lojë duke krijuar shumë raste për gol, por në fund shihen pikët, ndërsa ne ato i humbëm. Gjatë gjithë javës kemi punuar dhe jemi munduar ti evitojmë gabimet e bëra ndaj Sileksit. Kemi analizuar mirë skuadrën e Struga Trim Lum, e cila s’ka dyshim se posedon ekip të mirë. Mirëpo, ne duhet të jemi të koncentruar dhe të zbatojmë me sukses detyrat e trajnerit që do na i jep para ndeshjes dhe me ndihmën e Zotit pikët do të mbeten në Tetovë”, shprehet për gazetën Koha, Florian Kadriu. Derisa, Florent Osmani, futbollisti i Struga Trim Lum, për gazetën Koha flet për përballjen me Renovën në Tetovë. Pohon se janë të përgatitur maksimalisht dhe shpresojnë që të arrijnë rezultat pozitiv. “Ekipi është në gjendje të mirë fizike. Jemi stërvitur maksimalisht gjatë gjithë javës dhe shpresojmë që nga Tetova të kthehemi me rezultat pozitiv. Renova është një skuadër kualitative dhe nuk dyshoj se shikuesit do të kenë mundësi të shohin një ndeshje të fortë, pasi edhe në si ata, zhvillojmë futboll të mirë”, deklaroi Osmani.
Ibraimi: Respekt për Sileksin, por në Kratovë shkojmë të marrim rezultatin e dëshiruar
Kampioni aktual Shkëndija këtë fundjavë do të përballet me skuadrën e Sileksit. Të dyja skuadrat në këtë ndeshje vijnë pas fitoreve në javën e parë kundër Akademia Pandevit respektivisht Renovës, andaj pretendimet e tyre janë që të vazhdohet seria e fitoreve edhe pas kësaj jave. Favorit për tre pikët konsiderohen kuqezinjtë nga Tetova përkundër faktit se luajnë si mysafir, por në anën tjetër gjithmonë kur luajnë para shikuesve të saj, skuadra e Sileksit paraqet rrezik për kundërshtarët.
“Ne si skuadër gjithmonë ndeshjet e radhës kanë rëndësi më të madhe dhe në këtë drejtim ajo është përballja me Sileksin. Kemi filluar mirë gjysmësezonin pranveror me një fitore në transfertë me Akademia Pandevin, por edhe rivali luan mirë dhe këtë e dëshmoi duke mundur si mysafir Renovën. Do të jetë një duel jo i lehtë për ne ku edhe oponenti ynë hyn me ambicie të veta. Prandaj ne kemi respekt për skuadrën e Sileksit, por Shkëndija gjithmonë shkon me motiv dhe përgatitje maksimale për tu kthyer me tre pikë nga Kratova. Besojmë të jemi në nivelin e duhur dhe në fund t’ia dalim të marrim rezultatin e dëshiruar”, deklaroi Agim Ibraimi.
Berisha: Të fitojmë Rabotniçkin dhe të festojmë me ‘Shvercerat’
Skuadra e Rabotniçkit pas fitores në javën e parë ndaj Struga Trim Lum me 1-0, në “Todor Proeski” do të pret skuadrën e FC Shkupi. Si duket te “romantikët” janë ngjallë shpresat se mundë të arrijnë më shumë në sezonin pranveror duke marr parasysh se gjenden në pozitën e fundit në renditjen tabelore, por e njëjta vlen edhe për futbollistët bardhekaltër, të cilët gjithashtu sezonin pranveror e nisën me fitore. Trajneri i “romantikëve” Ratko Dostaniq pohon se ndeshja me Shkupin por edhe ndeshjet tjera kanë peshë të madhe për ata. “Çdo ndeshje për ne ka rëndësi të madhe, e në veçanti duke marrë parasysh se në cilën pozitë e filloi Rabotniçki sezonin pranveror. Mendojmë pozitivisht dhe po përgatitemi maksimalisht”, ka thënë Dostaniq. Në anën tjetër, sulmuesi i FC Shkupi, Jakup Berisha thotë se janë të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe secili prej tyre do të jep maksimumin për të arritur fitore. “Ne si skuadër jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e radhës ndaj Rabotniçkit. Jemi të gatshëm që secili prej nesh të jep maksimumin. Pa dyshim se qëllimi jonë është që të arrijmë fitore dhe në fund të festojmë se bashku me tifozët tanë ‘Shvercerat’. Atmosfera pas fitores ndaj Borecit është shumë e mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë nivel”, shprehet sulmuesi i ri Berisha.
Të gjitha ndeshjet e javës së 20-të në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut fillojnë në ora 14.00.
Dyshet:
E shtunë:
Boreci – Vardari
E diel:
Sileksi – Shkëndija
Mak.Gj.P. – Akademia P.
Rabotniçki – Shkupi
Renova – Struga Trim Lum