Paris Saint Germain i dha sërish lamtumirën Ligës së Kampionëve, një kompeticion të cilin e synon prej vitesh, por që rrallë ia ka dalë të shkojë përtej çerekfinaleve.
Skuadra franceze arriti të triumfojë me rezultatin 0-2 në ndeshjen e parë ndaj Manchester Unitedit në “Old Trafford” dhe u duk se kualifikimi ishte thjesht çështje kohe, por “Djajtë e kuq” përmbysën gjithçka mbrëmjen e djeshme, ku fituan me rezultatin 1-3.
Një pjesë mjaft të madhe të përgjegjësisë ka pasur edhe portieri italian i Parisit, Gigi Buffon, i cili ishte përzgjedhur titullar mbrëmjen e djeshme, por gaboi totalisht në rastin e golit të dytë të anglezëve, të shënuar nga belgu Lukaku.
Mediat franceze nuk e kanë kursyer aspak ish kapitenin e Juventusit, duke kritikuar pa masë atë grushtim foshnjarak të gjuajtjes së Rashford, me topin që përfundoi në këmbët e Lukakut dhe belgu shënoi golin e dytë për anglezët.
“I pafajshëm në golin e parë të Lukakut, por i pajustifikueshëm në golin e dytë të belgut. Një grushtim skandaloz, që nuk i lejohet një emri si ai. Për më tepër, edhe disa rivënie të turpshme. Ende nuk mund ta themi me siguri, por në moshën 41-vjeçare, duket se Buffon e ka vulosur fatin e tij, pa ia dalë të triumfojë në Champions. Nga ana tjetër, edhe PSG dështon sërish në fushatën e saj europiane, ndërsa eksperienca e Buffon duket se nuk i vlejti aspak”, shkruan ndër të tjera L’Equipe”, e cila e vlerësoi Gigin me notën 2.