Ditë të nxehta priten nga takimet e presidentin të Juventusit, Andrea Agnelli dhe Massimiliano Allegri, ku do të vendoset e ardhmja e trajnerit italian.
Kanë kaluar 20 ditë nga konfirmimi që Agnelli i bëri Allegrit, direkt pas eliminimit nga Champions League nga Ajax. Gjithsesi e ardhmja tij ka qenë në dyshim, teksa dëshira e madhe e presidentin të klubit bardhezi ishte Jurgen Klopp, por gjermani mbetet i paprekshëm, sidomos pas kualifikimit për në finale të Champions League.
Antonio Conte ishte një alternativë, por kjo zgjidhje duket gjithnjë e më vështirë, me ish-trajnerin e Chelsea që duket më pranë Interit.
Pavarësisht dështimit në Champions League, “La Gazzetta dello Sport” ka bërë me dije se Allegri do të paraqesë tre kërkesa të forta në tavolinën e negocimit me Agnellin:
- Zgjatja e kontratës edhe për tre vite të tjera.
- Përmirësimi i pagës.
- Ndikim në merkato (blerjen dhe shitjen e lojtarëve).