ALBAS sapo nxjerr nga shtypi librin e Elia Zaharisë “Trëndafili i bardhë”.
Një përrallë e vërtetë do ta quaja përrallën që ka shkruar Elia Zaharia për princeshën Geraldinë. Kjo përrallë-novelë rrëfen kohën e artë të fëmijërisë së Geraldinës, vështirësitë në jetën e saj, pasionin për lulet e trëndafilat e bardhë, njohjen me mbretin Zog të shqiptarëve, ardhjen e saj në Shqipëri, martesën, e deri te lindja e princit Lekë. Si çdo përrallë ajo mbaron me një fund të lumtur. Është shkruar me një gjuhë që respekton zhanrin e rrëfimit përrallor, ku ndihet përkujdesja e autores në zgjedhjen e secilës fjalë, që shpreh jo vetëm situata, mjedise, gjendje shpirtërore, por dhe ndjesi të mrekullueshme. Autorja e ka mbajtur gjatë në kokë këtë përrallë dhe ka pritur momentin e shpërthimit të ndjesive për të realizuar një rrëfim sa real aq edhe fantastik.
Me sa shumë dashuri është përshkruar Vendi i shqipeve, “kjo mbretëri e vogël plot kapuça të bardhë, që princeshës i dukej aq romantike, sa dalëngadalë po ia pushtonte zemrën butësisht, pa e kuptuar as ajo vetë! Dhe të gjitha këto janë ilustruar me një elegancë të pashoqe nga dora e Ledia Kostandinit. Çdo element në dekorimin e mjediseve brenda apo të oborreve jashtë, çdo tipar fytyre, çdo veshje, na vjen deri në imtësitë më të vogla, duke na sjellë atmosferën e viteteve ’20, ’30 të shekullit të kaluar. Por nga ana tjetër, autorja dhe piktorja e bëjnë kaq aktuale dhe të prekshme atë kohë duke e aktualizuar me portrete reale të njerëzve që jetojnë sot dhe që kanë lidhje me rrethin familjar apo miqësor të trashëgimtarëve të familjes mbretërore.
Përralla deri në fund reflekton mirësi, besim te triumfi i dashurisë dhe i idesë se fati nuk është i rastësishëm, por vjen nga virtyti e bukuria shpirtërore, e cila reflekton ndriçim të pafund te bukuria fizike.