Ka kohë që këndon dhe vazhdon të kultivojë muzikën shqiptare. Këngëtarja nga Shkodra është në përfundim të albumit të ri të cilin është duke e punuar në tre qendrat shqiptare. Eli Malaj vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar të rejat muzikore
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni një identitet muzikorë në skenë, kush është në fakt Eli jashtë skenës?
Një grua e rëndomtë, një nënë e shkëlqyer, mikeshë shumë e mirë për miqtë e mi, eci me këmbë në tokë dhe gëzohem me sukseset e gjithësecilit.
KOHA: Pasioni për muzikë si ka nisur?
Ka nisur shumë herët, qyteti im i lindjes Shkodra sikur u jep të gjithëve frymëzimin për të kënduar, këtu as unë nuk kam mbetur jashtë kornize, si pothuajse shumica e njerëzve unë ja kam nisur në shtëpi ku për herë të parë të më dëgjojë tezja sepse edhe ajo ka kënduar shumë bukur në kohën e saj, pastaj me mësuesit e mi të shkollës dhe më vonë duke vazhduar me aktivitetet në qytetin e Shkodrës.
KOHA: E mbani mend këngën e parë që keni kënduar?
Po, ka qenë një këngë e titulluar ‘Shkodër Locja’, ka qenë mjaft e bukur por sot nuk gjendet shkak i pakujdesive të disa nga kompozitorëve dhe arkivave, por mbaj mend të kem kënduar dhe këngë të festivalit të madh të RTSH-së, e pëlqej shumë Vaçe Zelën dhe çfarëdo rasti të më jepej unë këndoj këngët e saj.
KOHA: Cili është zhanri që parapëlqen më së shumti?
Gjatë gjithë karrierës time më shumë i këndoj populloret, por parapëlqej dhe rok, sepse rock është protestë në shpirt dhe kohë pas kohë di të protestoj për dukuritë negative që na rrethojnë.
KOHA: Po dashurisë i këndoni?
Sigurisht që po, vetë jeta është dashuri, vetë tingujt janë dashuri, vetë këngët janë dashuri, po të mos ekzistonte dashuria nuk do të kishte kuptim prandaj është tema boshte e këngëve të mia.
KOHA: Cili është projekti i fundit që je duke punuar në të?
Jam në fazën e fundit të albumit tim, tani këngët janë gati, kam bërë masterin dhe presim editimin.
KOHA: Si e keni nisur këtë vit?
Si shumica e këngëtarëve dhe unë për festa kam qenë e angazhuar dhe vazhdoj të jem edhe pse është janar.
KOHA: Kush është mbështetja jote kryesore?
E para familja ime, pastaj miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi që janë jo pak, këtu do të theksoja Avni Qahilin dhe Rtv21 që më kanë dhënë shumë hapësirë për të prezantuar projektet e mia muzikore.
KOHA: Ku i punon projektet muzikore dhe planet për këtë vit?
Sidomos këto të fundit i kam punuar në Tiranë, Prishtinë, Shkupi, ku jam shumë e kënaqur dhe e bindur të vazhdoj më tutje në këto tre qendra shqiptare.
KOHA: Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj dhe prurjet e reja muzikore, si dhe mesazhi për ato?
Ashtu si bota dhe zhvillimet shkojnë përpara dhe prurjet e reja muzikore në arenën shqiptare janë të mirëseardhura, i përkrah artistët e ri sepse janë ato që e kanë në radhë, mesazhi im është që të jenë vetja, të kenë sa më shumë këngë autoriale dhe të ruajnë identitetin muzikorë.