“Si asnjëherë deri tani, Liqeni i Dibrës nuk ka qenë në këtë nivel minimal. Kjo situatë drejtpërdrejt ndikon negativisht në florën dhe faunën e Liqenit prandaj kërkoj që urgjentisht pushteti vendor të kontaktoj me kompetentët e hidrocentralit ‘Spilje’ dhe të kërkojmë përgjegjësi për këtë situatë”, tha këshilltari Cami, ndërkohë që kërkoi të respektohet minimumi i nivelit të liqenit. Ai po ashtu tha se nëse nuk tejkalohet problemi, atëherë do të organizohen protesta masive
Vjollca SADIKU
Dibër, 26 tetor – Disa dukuri, të cilët shkaktojnë shqetësime të dibranëve, janë prezantuar nga ana e këshilltarëve dibran në seancën e fundit të Këshillit të Komunës. Bëhet fjalë për dukuri negative që janë kritikuar nga një pjesë e këshilltarëve për shkak të, siç sqaruan, mos respektimit të institucioneve lokale, por që dukuritë bien ndesh edhe me ligjet aktuale në vend. Niveli minimal i ujit në Liqenin e Dibrës, problemet me ndërtimet e banesave kolektive dhe hapja e puseve në kompaninë Knauf ishin në shënjestër të reagimeve të një pjese të këshilltarëve.
“Në Komunën e Dibrës – institucionet, kompanitë, firmat dhe popullata duhet të respektojnë tërësisht ligjet dhe vendimet të pushtetit vendor. Nuk mund të ndërmerren aktivitete jashtë këtyre normave. Situata me nivelin minimal të ujit në Liqenin e Dibrës nuk duhet të tolerohet”, tha këshilltari Eugen Cami, i cili disa mandate ka qenë këshilltar dhe një kohë edhe ushtrues i detyrës kryetar i Dibrës. Cami theksoi se nuk duhet të tolerohet askush i cili dëmton ambientin jetësor në Dibër. “Si asnjëherë deri tani, Liqeni i Dibrës nuk ka qenë në këtë nivel minimal. Kjo situatë drejtpërdrejt ndikon negativisht në florën dhe faunën e Liqenit prandaj kërkoj që urgjentisht pushteti vendor të kontaktoj me kompetentët e hidrocentralit ‘Spilje’ dhe të kërkojmë përgjegjësi për këtë situatë”, tha këshilltari Cami, ndërkohë që kërkoi të respektohet minimumi i nivelit të liqenit. Ai po ashtu tha se nëse nuk tejkalohet problemi, atëherë do të organizohen protesta masive.
Shqetësim në lidhje me nivelin minimal të liqenit u prezantua edhe nga këshilltarë të tjerë dhe mes tjerash u konkludua se së shpejti do të ketë një takim mes udhëheqësve të pushtetit vendor dhe ndërmarrjes shtetërore ELEM. Një problem tjetër që irriton dibranët është edhe ndërtimi i banesave kolektive shumëkatëshe. Këshilltarët Ilirina Fetahu dhe Fisnik Mela kërkuan sqarime rreth planeve urbanistike dhe nëse në terren respektohen këto plane. “Duhet patjetër të përcaktohen lartësitë dhe mënyra e ndërtimit. Shpeshherë, investitorët dalin jashtë planeve me ndërtimet e tyre”, thanë këshilltarët Fetahu dhe Mela. Po ashtu, në debat u dha vlerësimi se pjesa dërmuese e banesave kolektive jepen në përdorim pa u kryer kontrolli teknik. Aktualisht, në qytetin e Dibrës ndërtesa shumëkatëshe janë duke u ngritur në pjesë të ndryshme të qytetit. Sidomos ata negativisht ndikojnë në pjesën e vjetër të qytetit ku janë edhe shtëpitë tradicionale dibrane. Në Dibër aktualisht mund të shihen ndërtesa kolektive edhe mbi shtatëkatëshe, gjë që nuk është në përputhje me normat sizmike.
Në debatin rreth problemeve të këtij lloji në Dibër ishte prezent edhe problemi i ndërtimeve të puseve për ujë nga ana e kompanisë Knauf në Dibër. Sipas të dhënave të drejtorit të ndërmarrjes komunale publike “Standard”, Mazllum Lleshi, kompania ka hapur gjashtë puse për ujë, ndërsa ka dëmtuar dukshëm edhe buxhetin e ndërmarrjes “Standardi”, meqë ka ulur dukshëm shfrytëzimin e ujit nga ujësjellësi i qytetit. Kryetari i Këshillit të Komunës, Bashkim Mashkulli, theksoi se duhet shqyrtuar ky problem, ndërsa kërkoi të dijë se kush i ka dhënë leje kompanisë në fjalë për hapjen e puseve. Në ndërkohë, edhe kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, u zotua se në përputhje me kërkesat e këshilltarëve, do të takojë udhëheqësit e institucioneve që u përmendën në mbledhjen e Këshillit. Ai tha se duhet të respektohen tërësisht ligjet dhe vendimet e institucioneve lokale në Dibër. (koha.mk)