Nëse një burg e bën të sigurt dryni që mban të mbërthyer mijëra kriminelë, sot një dry tjetër mund ta shpëtojë nga falimentimi arsimin, sepse vetëm në këtë mënyrë ka të ngjarë që të zvogëlohet edhe numri i analfabetëve të diplomuar, me kravatë të blerë lirë në pazar dhe të sofistikuar që sapunin ta shesin për gjalpë
Nga Emin AZEMI
Dikur analfabetizmi luftohej duke hapur shkolla, kurse sot po ndodhë e kundërta. Sot kemi një analfabetizëm më të sofistikuar, për arsye se janë diplomat ato që mbulojnë llumin, njollat e (pa)diturisë. Para katër vjetëve qeveria shqiptare mbylli 18 universitete private, shumica prej të cilëve si kundërvlerë për regjistrim kishin aplikuar pagesën me lopë, oriz e drithë. Efekti i këtij aksioni qeveritar sigurisht do të reflektohet edhe në tregun e bagëtisë, kështu që në të ardhmen do të kemi më shumë lopë, por nuk do të mungojnë edhe barinjtë që do të kujdesen për to. Po të ndiqej avazi i hapjes së universiteteve në çdo qytezë e mëhallë, do të vinte puna të importojmë barinj nga jashtë, sepse të gjithë u masterizuan dhe pak kush ngeli pa u bërë qytetar akademik. Të merrte malli me pa ndonjë has katundar. Delet mbetën pa kujdestarinë e nevojshme të barinjve, sepse ata ndërruan profesionin, madje edhe garderobën. Shkopinjtë i zëvendësuan me laptopa e ipad-a, kurse zhgunin dhe lurkat i zëvendësuan me rroba të vizëllueshme që i kishin blerë atë ditë kur ishin pasur me diploma të fotokopjuara.
Nuk është i vogël numri i atyre që nuk e kishte fshehur brengën se si do t’ia dalim ne si komb me këtë furtunë mbylljesh të universiteteve që e nisi qeveria shqiptare në Tiranë dhe që mund të ketë domino efekt edhe në trevat shqipfolëse jashtëlondineze. Po t’i pyesni ata që dijen e kanë hobi, kurse diplomën – çelës për të hapur ndonjë deriçkë, sigurisht që kjo është një “goditje e madhe për arsimin shqip”. Të gjithë ata që dikur kishin qenë ngelafçë dhe për X arsye nuk kishin mundur të ndjekin shkollimin normal, e kishin quajtur “revolucion kombëtar” hapjen e universiteteve private, duke u bërë ‘brenda natës’ njerëz të ditur e hijerëndë, të cilëve vetëm diploma po u mungonte për të zënë ndonjë post (në vend të ndonjë kuadri të diplomuar në Europë) që partia ia kishte dhuruar si trofe për ‘merita të posaçme’.
Analfabetizmi akademik, kjo murtajë moderne që pat goditur zhvillimin tonë normal kulturor e arsimor, kur do të mund të futet në ‘karantinën e izolimit’, duke e shpëtuar pjesën tjetër të shoqërisë nga virusi i dijeve e ofiqeve të pamerituara. Nuk është vetëm vrasja krim. Ata që patën zbuluar biznesin e fotokopjimit të diplomave, në fakt po kryenin një krim të shumëfishtë. Ata po na dhuronin politikanë të paditur e inferior, mjekë të gjymtë që kishin nevojë të ndiqnin ndonjë kurs plotësues për emergjencë dhe terapi, juristë që përzienin kontekstin me kontestin dhe statusin me statutin, veterinarë që mutacionet gjenetike i kishin shtri edhe në matrapazllëqet e tyre të përditshme, gazetarë që kurrë s’arritën ta përvetësojnë sintaksën e mendimit etj. etj.
Mbyllja e këtyre fotokopjuesve të diplomave universitare (që dikush i quante universitete e dikush kolegje) nuk është ilaçi më i mirë i luftimit të kësaj murtaje akademike. Por, së paku, mund të jetë preventivë deri sa të krijohen (para)kushtet për një arsim të konsoliduar.
Ajo që në të shumtën e rasteve bashkon injorancën me papërgjegjshmërinë, quhet politikë (me përjashtime), kurse te ne ka me bollëk analfabetë që në vend të universitetit vizituan restorantet aty pranë, sepse vetëm aty mund të bëheshin politikanë me diplomë. Prandaj, aksioni për të shpallur non-grata qytetarët akademikë me diploma të pamerituara, është beteja e parë e një lufte të gjatë që duhet të nxjerr jashtë përdorimit një armatë të tërë politikanësh gjimnazistë, të cilët vetëm në arkivat e Parlamentit dhe Qeverisë figurojnë si ‘fakultetlinjë’. Jashtë këtyre arkivave, ata janë do figura mjerane që s’dinë gomarit çfarë uji t’i japin, ndonëse u treguan shumë më pehlivanë se të tjerët që shkrinë mend e harxhuan para për të uzurpuar poste që i vunë në shërbim të interesave të ngushta. Fundja, sa para bën dija sot kur je i rrethuar me kuadro të cilët tabelën e shumëzimit e mësuan vetëm sa për të llogaritur ryshfetet dhe tenderët për punët që i nisën e kurrë s’i bitisën.
Guximi për t’i dalë përballë injorancës së veshur me akademizëm tregtarësh dhe tuxharësh, përbën thelbin e krijimit të një vetëdije të re mbi politikat arsimore të një shoqërie. Ata që deri sot nuk e kanë pasur të qartë se diploma nuk të bën të ditur, tash e në të ardhmen do të duhej të mësohen me konkurrencën që del nga shkollimi normal e modern, e mbi të gjitha nga nevoja për të zotëruar vendet e punës jo me një copë letër, të fotokopjuar në ndonjë podrum a ‘garazh’, por me evaluim dijesh e përvojash të avancuara dhe të krahasueshme me vendet e civilizuara të botës.
Nëse një burg e bën të sigurt dryni që mban të mbërthyer mijëra kriminelë, sot një dry tjetër mund ta shpëtojë nga falimentimi arsimin, sepse vetëm në këtë mënyrë ka të ngjarë që të zvogëlohet edhe numri i analfabetëve të diplomuar, me kravatë të blerë lirë në pazar dhe të sofistikuar që sapunin ta shesin për gjalpë. (koha.mk)