Çështjet e karrierës bëhen prioritet i çdo mësuesi në organizimin me elegancë, arkitekturë dhe menaxhim të mësimdhënies. Është në duart tyre nëse mësuesit duan apo jo t’i shfrytëzojnë profesionalisht potencialet pedagogjike në funksionalizimin e mësimdhënies
Nga Xheladin MURATI
Mësimi dhe mësimdhënia vazhdimisht pësojnë ndryshime të konsiderueshme, transformim pavarësisht nga futja në përdorim të risive të shumta. Por mësimdhënia gjithnjë kërkon elegancë dhe dizajnim mbase përmes tyre ndërtohet arkitektura e mësimdhënies. Prandaj ekziston ndërlidhje qenësore ndërmjet të kuptuarit të elegancës dhe mësimdhënies.
Mësimdhënia dhe eleganca janë dy komponentë që flasin shumë në punën e mësuesit. Mësimdhënia nuk është sfilatë mode, nuk është konkurs bukurie, atu nuk prezantohen koleksione të modeleve për veshje. Megjithatë mësimdhënia është njëllojë sfilate kreativiteti ku kreatori (mësuesi) realizon sfilatën e dijes sepse edhe dija sfilohet në konkurse, revy dijesh, gara e të ngjashme. Prandaj flas për elegancën e mësimdhënies e cila është tendencë për të ndryshuar botën e dijeve pa përdorë ngjyrat e grimit, hijeshimet, buzëkuqet.
Elementet e dizajnimit të zbatuara në procesin e mësimdhënies (metoda, teknika, skica, mjete etj.), gjithmonë të harmonizuara me arritjet e zhvillimit të pedagogjisë dhe asaj që konsiderohet esetetike në punë, gjithnjë japin si rezultat elegancën e mësimdhënies.
PREMISAT
Në trajtimin e temës kemi shtruar këto premise: Mësuesi bëhet i famshëm për shkak të sofistikimit dhe të krijimtarisë mësimore; Eleganca e mësimdhënies vjen si rezultat i futjes së esencave në mësim; Mësimdhënia realizohet në mënyrë elegante në bazë të arkitekturës, menaxhimit dhe komunikimit asertiv; Të zhvillojmë te nxënësit elegancën përmes vlerave konkrete mësimore; Qasjet dhe aspektet.
Fjala elegancë që tërësisht e ka domethënien e diçkahit të bukur, të një sendi që është edhe e bukur edhe e thjeshtë apo të një njeriu që ka shije të hollë në të veshur, në sjellje, në të shprehur e të ngjashme. Këto katër elemente kanë të bëjnë me mësimdhënien e cila duhet të jetë sfiduese, e bukur, e mirë dhe domethënëse. Cka e bënë mësimdhënien elegante? Atë e bëjnë shumë elemente ndër të cilat po përmendi: fjalët, shprehjet, gjuha që përdoret, elementet përmbajtësore, pyetjet, skicat, ilustrimet, sjellja korrekte, qetësia, lëvizjet në klasë, shprehja e ndjenjave dhe mendimet, bota shpirtërore e brendshme e nxënësit dhe e mësuesit etj. Problemet e kësaj natyre janë objekt studimi sa i didaktikës po aq edhe i estetikës. Kjo edhe për arsye se gjatë mësimdhënies tek nxënësit duhet të zhvillohen edhe ndjenjat estetike, shijet estetike dhe përfytyrimet estetike ose idealet estetike, aftësinë për t’u kënaqur nxënësit me të bukurën. Këto dhe aspekte të tjera e bëjnë mësimdhënien elegante përkatësisht eleganca të jetë parimi themelor i mësimdhënies.
Eleganca e mësimdhënies është dyanëshe: elegancë personale dhe elegancë profesionale. Që të dyja janë me peshë në mësimdhënie. Titulli “elegancë e mësimdhënies” thekson faktin se mësimdhënia është në fokus të të bukurës dhe të dobishmes. Didaktika dhe metodologjia për më tepër kanë ndikuar gjithmonë në elegancën e mësimdhënies. Eleganca e mësimdhënies është kuptim që supozon se arritja e saj mund të ndodh nëse mësuesi në organizimin e punës mësimore zbaton arkitekturë, menaxhim dhe komunikim përkatës. Të tre këto kuptime koincidojnë me katër kuptime themelore didaktike: aspektin gnoseologjik, aksiologjik, demijurgjik dhe komunikues-transferues. Në fakt, eleganca e mësimdhënies arrihet me harmonizimin e tyre. Më shumë fokus, njohje dhe vlera janë të pranishme në qëllimet pedagogjike realizimi i të cilave e bënë elegante mësimdhënien. Kjo nënkupton se gjatë procesit të mësimdhënies të zhvillohen konceptet e të bukurës e jo të shëmtuarës, tiparet e së bukurës, karakterin objektiv të së bukurës.
Eleganca e mësimdhënies reflekton në disa aspekte apo raporte reciprokisht të lidhura si:
– raporti objektiv i anëve të brendshme dhe të jashtme të mësimit e të mësimdhënies;
– raporti i së tërës dhe i pjesëve të mësimit e mësimdhënies;
– raporti i formës dhe përmbajtjes së mësimdhënies;
– raporti i dukjes dhe i thelbit në mësimdhënie;
– raporti i strukturës dhe i funksionit të mësimdhënies;
– raporti mes fenomeneve të ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë në mësimdhënie;
– raporti mes nxënësve dhe mësuesit gjatë mësimdhënies.
Të gjitha këto raporte realizohen dhe zhvillohen në mënyrë harmonike, reale, konkrete, objektive, përndryshe në mësimdhënie do të mungonte aspekti i elegancës.
Në fakt, për mua dizajnimi i mësimit është gjithçka. Shumë herë apo gjithmonë aty mësuesi gjen inspirimin për punë kreative. Mësimdhënia është proces komunikimi dhe menaxhimi me vlerat dhe strukturat. Harmonia mes materialit dhe teknikave, arkitekturës së mësimit janë elemente që e përkufizojnë një mësimdhënie me elegancë. Është e rëndësishme si mësuesi, si dizajner i mësimdhënies të ketë njohuri mbi përmbajtjen, njohuri mbi teoritë e edukimit dhe mbi të rejat e teknologjisë mësimore. Kjo jep mundësi për ide kreative, stil e modele të mësimdhënies, i jep njohuri për konstruksion të vlerave dhe përmbajtjeve.
Pedagogjia është shkencë elegante e cila synon përsosmërinë e procesit mësimor dhe të individit. Pedagogjia është shtyllë në të gjitha proceset e edukimit. Njohuritë, kompetencat dhe shkathtësitë pedagogjike e bëjnë procesin e mësimit elegant. Ajo i jep finesat e bukurisë së mësimdhënies mbase detajet shpeshherë japin cilësinë. Këtë e bën pa përdorë ngjyra, grime, make-up, buzëkuq, lapsa etj. Ajo e përgatit mësuesin për të qenë një profesionist me stil i cili punon vazhdimisht në formimin e individit. Në fakt, vetë procesi i mësimdhënies e bën të shtyhet që të punojë, të sfidohet dhe të mësoj për të realizua një mësimdhënie të bukur, estetikisht përmbajtësor për të realizuar dizajnimin arkitektural të procesit të njohjes mësimore-shkencore. Unë konsideroj që pedagogjia ka potencial të madh në artin e mësimdhënies dhe krijimtarisë duke përfshirë këtu edhe proceset e dizajnimit.
Pavarësisht se mësuesit disa më në moshë e disa shumë të ri apo të reja, por të gjithë grupohen nën një komponentë të përbashkët, dëshirën për ta bërë mësimdhënien elegante, atraktive, për të bërë ndryshime thelbësore në punën mësimore.
Për mësimdhënie elegante është e rëndësishme edhe eleganca personale e mësuesit. Unë nuk mund të vërej ndryshime radikale te mësuesit, por mendoj se çdo mësues duhet të kontribuojë në imazhin personal të tij pasi janë para nxënësve dhe i shikojnë njerëz të ndryshëm, kështu që duhet investuar edhe në dukje, sepse edhe kjo është element i elegancës profesionale. Të mundohen të jenë në hap me kohën dhe stilin. Nuk dihet sa ia arrijnë, por kohë pas kohe, duhet të bëjnë ndryshime tek vetja. Çdo tentim për përmirësime cilësore të mësimdhënies mund të korrë sukses, kështu që përpjekja më shumë do të arrijë aty ku eleganca e mësimdhënies realizohet me kreativitet dhe punë shtesë.
PËRFUNDIM
Stili i punës së mësuesit, modelet e mësimdhënies dhe kultura pedagogjike e bëjnë elegancën e mësimdhënies. Mësimdhënia ka gjuhën e vet dhe korrespondon me personalitetin, karakterin dhe harmoninë e elementeve didaktike dhe së bashku sjellin të bukurën, estetiken dhe elegancën në punën mësimore. Çështjet e karrierës bëhen prioritet i çdo mësuesi në organizimin me elegancë, arkitekturë dhe menaxhim të mësimdhënies. Është në duart tyre nëse mësuesit duan apo jo t’i shfrytëzojnë profesionalisht potencialet pedagogjike në funksionalizimin e mësimdhënies. (koha.mk)