Ish-lojtari uruguaian, Sebastian Abreu, i njohur më mirë si El Loco (i çmenduri), nënshkroi sot kontratën e 28 në karrierën futbollistike. Abreu, i cili ka 42 vjet, u bë lojtar i ri i skuadrës braziliane, Rio Branco dhe me këtë rast u regjistrua në Librin e Rekordeve të Guinness si lojtar që ndryshoi më së shumti klube gjatë karrierës si futbollist profesionist. Në Guinness, El Loco kishte hyrë me rastin e ndërrimit të ambientit për herë të 26 dhe tani vetëm ka konsoliduar pozitën.
Në fakt, ai ka ruajtur titullin e lojtarit të futbollit që ka luajtur për më së shumti ekipe në historinë e këtij sporti, përkatësisht 28 klube në 11 vende të ndryshme. Uruguaiani kaloi pjesën më të madhe të karrierës në Amerikën e Jugut, por gjithashtu u paraqit në klubet evropiane të tilla si Deportivo La Coruna, Aris, Beitar Jerusalem dhe Real Sociedad. Ndryshe, ai ka luajtur 70 ndeshje edhe për kombëtaren e Uruguait dhe ka shënuar 26 gola.