“El Clasico”, pa Messin e Ronaldon pas plot 11 vjetësh!

11

Pas plot 11 vjetësh “El Clasico” do të zhvillohet pa dy yjet e mëdhenj të futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Ronaldo u largua nga Real Madridi gjatë verës në drejtim te Juventusit, ndërsa Messi pësoi një lëndim në krahun e djathtë në sfidën e fundit të Barcelonës ndaj Sevillas dhe nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës, shkruan sot, gazeta “Zëri”

“El Clasico” i ardhshëm do të jetë paksa i pazakontë, derisa Barcelona dhe Real Madridi do të luajnë pa dy lojtarët që e kanë dominuar futbollin gjatë dekadës së fundit.

Real Madridi është duke vuajtur për t’u adaptuar në jetën pa Cristiano Ronaldon, i cili u largua në drejtim të Juventusit gjatë verës, pasi kishte udhëhequr sulmin e madrilenëve që prej vitit 2009.

Tani edhe Barcelona do të duhet ta bëjë pa yllin e tyre. Lionel Messi u detyrua ta lëshojë fushën pas vetëm 26 minutave lojë ndaj Sevillas për shkak të një lëndimi në krahun e djathtë.

Në stilin e tij tipik Messi kishte kontribuar me një gol dhe një asistim, derisa para daljes nga fusha ekipi i tij po kryesonte me rezultatin 2:0. Tani me konfirmimin që ai do të mungojë tri javë për shkak të këtij lëndimi, Barca e di se do ta presë rivalin e tyre jetësor në “Camp Nou” pa prezencën e “magjistarit” argjentinas.

Për të gjetur herën e fundit kur “El Clasico” ishte zhvilluar pa Ronaldon dhe Messin duket të kthehemi në vitin 2007, para plot 11 vjetësh. Portugezi ishte ende duke e udhëhequr Manchester Unitedin në atë kohë derisa Messi ishte një djalosh, kishte pasur probleme muskulore dhe mungoi në atë ndeshje.

Barcelona e filloi takimin me këtë formacion: Victor Valdes, Eric Abidal, Rafa Marquez, Carles Puyol, Gabriel Milito, Deco, Xavi, Andres Iniesta, Yaya Toure, Ronaldinho dhe Samuel Eto’o. Ndërkohë, njëmbëdhjetëshi i Real Madridit ishte: Iker Casillas, Gabriel Heinze, Fabio Cannavaro, Sergio Ramos, Pepe, Lassana Diarra, Wesley Sneijder, Julio Baptista, Ruud van Nistelrooy, Raul dhe Robinho.

Në një ndeshje të barabartë në “Camp Nou” mysafirët fituan falë një goli të Julio Baptistas dhe në fund e mbrojti titullin në La Liga, duke e mbyllur sezonin me tetë pikë para vendit të dytë, që mbahej nga Villareali dhe 18 pikë larg Barcelonës, që e zuri vendin e tretë.

Me të vërtetë fati i Barcelonës pa numrin 10 të tyre ka qenë i mallkuar që prej shpërthimit në skenë të Messit në vitin 2004.

Messi ka munguar në vetëm dy “El Clasico” gjatë 14 vjetëve dhe në asnjërën prej këtyre nuk ka fituar Barcelona.

Më 1 prill të vitit 2006 djaloshi i ri kishte tërhequr muskulin kur ekipi i Frank Rijkaardit kishte barazuar 1:1 me Real Madridin në “Camp Nou”, drejt triumfit të tyre në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve.

Me 26 gola Messi është golashënuesi më i mirë në historinë e “El Clasico”-s, para dyshes Alfredo Di Stefano dhe Ronaldo, që kanë shënuar nga 18 sosh.

Comments are closed.