Moratoriumi njëvjeçar që Kosovës ia ndalon të kërkojë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare është në fuqi deri në shtator, por Qeverisë po i kërkohet që deri atëherë ta nisë lobimin. Njohës të së drejtës ndërkombëtare kanë thënë se këta pesë muaj të mbetur, Kosova nuk duhet të rrijë duarkryq, por të përgatitet për anëtarësim kur kufizimi të skadojë. Megjithëse kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar Marrëveshjen e Washingtonit, e cila solli moratoriumin, Qeveria nuk është deklaruar sa i përket kësaj çështjeje
Nga ekzekutivi është thënë se për këtë çështje nuk mund të përgjigjen të shtunën. Megjithatë, këtë marrëveshje e ka kritikuar vazhdimisht Albin Kurti, i cili pak ditë para se të zgjidhej kryeministër ka thënë se pika e moratoriumit bie ndesh me Kushtetutën.
Ndalesa skadon pas pesë muajsh, por njohës të së drejtës ndërkombëtare kanë thënë se ajo nuk ia ndalon Kosovës që lobimin për anëtarësim ta nisë më herët.
Sa i përket aplikimit formal, Emir Abrashi nga “Demokraci Plus” ka thënë se marrëveshja duhet të respektohet nëse njëjtë vepron edhe Serbia.
“Moratoriumi skadon shumë shpejt, nuk do të ishte mirë që ne të dalim ajo pala që e shkelim një zotim të cilin e kemi marrë në Washington. Megjithatë, nëse është e vërtetë ajo që ndodhi në Beograd, që presidenti Alekandar Vuçiq e ka shqyer marrëveshjen, dhe nëse Serbia nuk i përmbahet kësaj marrëveshjeje, atëherë as Kosova nuk ka nevojë ta bëjë një gjë të tillë”, ka deklaruar Abrashi.
Kurse Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka thënë se në synimin për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë nuk duhen bërë gabimet e së kaluarës.
“Nuk duhet të aplikojë në organizata ku e di që nuk ka vota, ku e di që nuk ka mbështetje dhe ku e di që nuk ka përkrahje nga aleatët e saj për anëtarësim në ato organizata. Nuk e kemi luksin që të kemi fiasko në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke marrë parasysh edhe kontekstin e jashtëm politik të Kosovës, sidomos në dialogun me Serbinë”, ka vlerësuar Fetahu.
Në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit 2020, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Me këtë marrëveshje, ndër të tjera, Kosova është pajtuar që për një vit të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia gjatë kësaj periudhe të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.