Qeveria e re duhet të inicioj ndryshim dhe plotësim të ligjeve që janë ngushtë të lidhura me procesin e decentralizimit si dhe duhet të propozoj aprovimin e ligjeve të reja nga fusha e decentralizimit. Pavarësimi i plotë i komunave në mbledhjen e taksave dhe tatimeve si dhe menaxhimin e atyre mjeteve, duhet të bëhet me qëllim të heqjes së donacioneve nga pushteti qendror, thonë njohësit e zhvillimeve ekonomike në vend
Zenel MIFTARI
Shkup, 3 gusht – Qeveria në shkuarje vëmendjen e saj gjatë të gjithë mandatit e kishte fokusuar në politikën e jashtme dhe mbylljen e konteksteve të hapura me fqinjët. Prioritet e Qeverisë Zaev I, përveç marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarin, kishin të bënin edhe me anëtarësimin e vendit në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në. Pasi që këto aspirata u arritën tani, Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, e presin sfida të reja për katër vitet e ardhshme.
Nisur nga premtimet elektorale të partive politike, kësaj radhe pritet që Qeveria e ardhshme si prioritete bazike do të ketë procesin e përfarimit me BE-në, reformat në drejtësi, investimet kapitale, lufta kundër krimit dhe korrupsionit si dhe decentralizimi fiskal.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se nuk duhet pritur investime të larta për shkak krizës që ka shkaktuar virusi korona, por edhe kapaciteti i Maqedonisë së Veriut për tërheqjen e kapitalit të jashtëm është i vogël. Problem kryesor ata apostrofojnë edhe administratën publike dhe nevojën për reforma dhe digjitalizim, e cila është ende larg të qenit në dispozicion të investitorëve të jashtëm, siç kanë pretenduar autoritetet deri më tani. Profesori universitar, Izet Zeqiri, për gazetën KOHA, është shprehur se partia shqiptare në pushtete duhet t’i jep prioritet decentralizimit të pushtetit si dhe transferimit të mëtejmë të kompetencave nga pushteti qendror në atë lokal.
“Qeveria e re duhet të inicioj ndryshim dhe plotësim të ligjeve që janë ngushtë të lidhura me procesin e decentralizimit si dhe duhet të propozoj aprovimin e ligjeve të reja nga fusha e decentralizimit, të insistoj në transferimin e menaxhimit me objektet sportive, token bujqësore, kullotat, lëndinat, pasurit minerale dhe menaxhimi me resurset e ujerave”, shprehet Zeqiri. Sipas tij, pavarësimi i plotë i komunave në mbledhjen e taksave dhe tatimeve si dhe menaxhimin e atyre mjeteve, duhet të bëhet me qëllim të heqjes së donacioneve nga pushteti qendror.
Ndërkohë ish-ministri i Drejtësisë, Xhevdet Nasufi, për gazetën KOHA, ka thënë se nëse i referohemi subjekteve politike më të mëdha në vend ( LSDM, BDI dhe VMRO) atëherë vetingu aq i përfolur këtu nuk mendoj se duhet të përjashtohet si ide për objekt të reformës në sistem. Sipas tij deri sa në Shqipëri abuzimi me drejtësinë është motivuar nga korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm, në vendin tonë është politizimi i sistemit të drejtësisë dhe gjykatësve që ka ndikuar në abuzimin e drejtësisë.
Sipas një studimi nga BIRN, në Maqedoninë e Veriut shtatë herë më pak është realizuar se sa është premtuar nga investimet e huaja dhe tre herë më pak nga e premtuara janë hapur vende të reja të punës. Gjithashtu një pjesë e madhe e qytetarëve janë skeptik se qeveria e ardhshme do të kryej reforma në drejtësi, do të tërheq investitorë të huaj dhe do të luftoj korrupsionin. Ky mosbesim reflektoi edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare ku kishim 51 për qind dalje të votuesve. (koha.mk)