Nuk ka asnjë dilemë se zgjedhjet në Kosovë kësaj radhe do t’i fitojë LVV-ja, më bindshëm se ato të kaluarat, porse e panjohura kryesore është çështja e koalicioneve para dhe pas zgjedhore, duke e pasur parasysh heqjen e “vijave të kuqe” të vjetra, dhe vendosjen e të rejave…
Nga Daut DAUTI
Një Prilli është larg, ama dikush që i jep gajret vetes nuk e ka problem që të bëjë shaka. Se thonë që shakaja është ilaç për shpirtin në ditët më të vështira… Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi qeverinë e Avdulla Hotit, lideri i tij, Isa Mustafa, para aktivistëve partiakë kishte rrahur gjoks se LDK-ja do të dalë e para! Eh, populli mirë e kishte thënë me kohë “çka bën fukaraja, po të mos ishte hulaja!” E “fukarai” gajretçi, mundohet të krijojë një atmosferë optimizmi në partinë e cila, me gjasë, do të dalë humbësja më e madhe e zgjedhjeve të parakohshme! Kështu të paktën është disponimi i përgjithshëm dhe të tilla janë parakushtet që e hendikepojnë LDK-në. Sepse lëvizjet politike, në rrethanat në të cilat partia e Ibrahim Rugovës së ndjerë, mori drejtimin e qeverisë, nuk u treguan fitimprurëse.
Në situatën e re, ekuacioni politik ka më pak të panjohura se zgjedhjet e kaluara, kur LDK-ja, me elanin e Vjosa Osmanit, arriti një pothuajse barazim me LVV-në(po të mos ishin votat e diasporës, edhe fituese). Gjithë çka ndodhi më pas, ishte një mungesë vizioni, ose futje në ujë turbull, prej nga tash jo vetëm që kjo parti del e lagur dhe me ethe, por dhe me faturën më të shtrenjtë. Mendoj se gabimi që bëri Albin Kurti(me qëllim për ta prishur koalicionin, apo nga besimi naiv se s’do të ketë pasoja) për ta ndërruar Agim Veliun, i krijoi atij kapitalin e viktimës nga “komploti” i forcave të “deklasuara” dhe gjithçka që pasoi ishte në dobi të LVV-së dhe në dëm të LDK-së.
Disa miq kosovarë, simpatizantë të LDK-së, ma kishin zënë për të madhe që kisha shkruar disa herë se marrja e qeverisë pas rrëzimit të Albin Kurtit,do t’i kushtojë shtrenjtë kësaj partie. Ndonjë prej tyre madje haptas do të dyshonte mos po e përkrahja LVV-në, parti së cilës shpesh ia kujtoja veprimet e rrënuese ndaj institucioneve dhe qëndrimet kundër projekteve për rrumbullakësimin e shtetësisë së Kosovës, për të cilat shumëkush ishte ekzaltuar dhe ekzaltohet edhe sot. Kur më pyesnin se pse mendoja se do të ketë pasoja qeverisja e LDK-së, thosha se asnjë qeveri nuk mund të pretendojë gjëra spektakulare në rrethana të manovrimit të ngushtuar, në një periudhë përplot kriza të cilat duhet t’i menaxhojë, me gjasa të vogla objektive për sukses. Dhe ndodhi pikërisht ashtu. Nga qeveria e Kurtit, u mor Kosova me zero raste të pandemisë, dhe për një kohë të shkurtër, duke i shliruar masat me bindjen se tash rreziku kaloi, pandemia mori hov. Nëse do të jemi të sinqertë, pas uljes së rasteve gjithkund në botë u liruan masat, dhe u kthye pandemia ndoshta më ashpër se valën e parë, por ky diskurs krahasimor, nuk do të vlejë për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, sepse krahasimi do të bëhet drejtpërdrejtë mes menaxhimit të ministrave Vitiatë Albinit dhe Zemajt të qeverisë së Hotit, ndonëse Zemaj është i AAK-së. Çështja e dytë problematike, për të cilën sot kosovarët janë ekzaltuar, e LDK-ja është zmbrapsur, janë zgjedhjet amerikane, ku fitoi XhoBajdeni. Për një kohë të shkurtër, gjithë ai disponimanti-Grenell nga ithtarët e VV-së, dhe ai guxim i Avdulla Hotit për t’u ballafaquar me marrëveshjen e Uashingtonit, prej të cilit pat ikur Albin Kurti me dyshimet që kishte për prapavijat, prapë do të shënohet minusi më i madh i Hotit dhe LDK-së dhe plus për LVV-në! Sepse, opinioni kosovar ishte i indoktrinuar mjaftueshëm se Grenelli ka punuar më shumë për interesat serbe dhe ajo që kryeministri Hoti ka nënshkruar si marrëveshje ekonomike dhe pa njohje të Kosovës, i jep të drejtë në sytë e opinionit kosovar se Albini ka pasur të drejtë. Kur u thosha këtyre ithtarëve të LDK-së se këto do të jenë hendikepe të qeverisjes së Hotit, kishin një përgjigje lakonike: ne nuk mund ta linim Kosovën në duar të aventurierëve, ne jemi parti e përgjegjshme që përherë kemi mbrojtur interesin e Kosovës. Faktori i tretë që u thosha LDK-istëve ishte përçarja brenda vetë partisë pas “rebelimit” të Vjosa Osmanit, më të votuarës në radhët e LDK-së. Po dëgjoj shumë analistë kosovarë që e minimizojnë lëvizjes e saj, sepse mendojnë se ajo nuk ka kohë të mjaftueshme që të bëjë struktura partiake në terren, dhe të dalë në zgjedhje për ta kaluar pragun, por mendoj se këtu gabohen, sepse mjaftojnë një “sasi” votash, ndoshta sa Nisma e Fatmir Limajt, që ta defaktorizojë dukshëm LDK-në.
Përmenda në fillim se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një ekuacion me më pak të panjohura, por në kontekst të fituesit, sepse të gjitha parashikimet thonë për një fitore bindëse të LVV-së. Por, të panjohurat e ekuacionit kësaj radhe janë të llojit tjetër: kush me kë do të bëjë qeveri? Ose, madje para kësaj, kush me kë mund të bëjë koalicion parazgjedhor, që eventualisht të mos e lënë fitoren bindëse të LVV-së. Problemi kryesor, është se si do t’i kalojnë vijat e kuqe partitë, të cilat vetë i kishin vendosur, e më shumë se të gjithë, këto vija i pati LVV-ja. PDK-në e pat fshirë prej tefterit që në zgjedhjet e kaluara, kurse LDK-në, pas rrëzimit të Albin Kurtit për shkak të shkarkimit të Agim Veliut, të cilit si hakmarrje, në zgjedhjet lokale e lanë edhe pa bastionin e tij, Podujevën. Tash LDK-ja sigurisht ka vijë të kuqe pikërisht LVV-në, ndërkohë që LVV-ja, duket ashiqare që i ka hequr të gjitha vijat e kuqe dhe shumëkush mendon se opsioni për ta marrë AAK-në, në rast të një fitoreje bindëse, por edhe PDK-në, në rast të një fitoreje relative, LDK-në e lënë jo vetëm në margjina, por dhe në depresion të thellë, shumë larg optimizmit të liderit Isa Mustafa.
Që të jemi deri në fund të plotë në parashikimet, që nuk do tëkenë ndonjë befasi të madhe, duhet thënë se vendimi i Gjykatës i ka gjetur të papërgatitura pothuajse të gjitha partitë. LDK-në me hendikepet e qeverisjes në krizë, por edhe më tepër PDK-në, e cila hyn në zgjedhje pa liderët e saj kryesorë, Hashim Thaçin dhe KasdriVeselin. Fakti që këto dy personalitete janë akuzuar “pa të drejtë” nga Gjykata Speciale, me çka ngapak i jep imazhin e viktimës partisë së tyre, që duket që tash nëpër sondazhe, duke vendosur para LDK-së. Edhe diçka tjetër që përmendet shpesh, është se gjatë përplasjeve LVV-LDK për shkak të qeverisë Hoti, PDK-ja ka ditur të luajë rolin e një opozite konstruktive. Ndonëse edhe kjo, mjaftueshëm vetëm sa për t’i dalë LDK-së para, e jo dhe për të fituar, se fronin tashmë e kanë zënë.
E panjohura e katërt, është AAK-ja, “LSI-ja kosovare”, e cila mund të shkojë me cilëndo parti(ndaj saj, duket sikur askush nuk ka vija të kuqe, e as ajo ka), vetëm që të realizojë ambicien e flaktë të Ramush Haradinajt që të bëhet president, ndonëse në rrethanat e reja, kjo gjë mund të realizohet vetëm nga një fitore të madhe të LVV-së, ku si patericë do t’i shërbente jo partia e dytë ose e tretë, por e katërta, sepse, opsioni më real për ta izoluar edhe një herë Vetëvendosjen, që të bëhet një koalicion treshe PDK-LDK-AAK, mund të mbetet e parealizuar ëndrra e flaktë e Ramushit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)