Shkup, 1 nëntor – Galeria kombëtare e Maqedonisë, Ministria e kulturës së Republikës së Maqedonisë dhe Fondacioni “Ilija Kamçev”, nesër bëjnë hapjen e ekspozitës retrospektive “Petar Mazev, 90 vjet nga lindja”. Ekspozita mbahet në Hamamin e Daut Pashës, të enjten me 2 nëntor me fillim në ora 20.
Petar Mazev është një nga përfaqësuesit më të dalluar të pikturës bashkëkohore të Maqedonisë. Veprimtaria e tij përfshin një shfaqje të gjerë figurative që lëviz nga figuracioni, nëpërmjet enformelit deri te dorëshkrimi karakteristik figurativ që i bashkon këto dy paraqitje artistike.
BIOGRAFI E SHKURTËR
Ka lindur në vitin 1927 në Kavadarcë. Ka mbaruar Akademinë e arteve në Beograd në vitin 1953 te prof. Zoran Petroviq. Ka qenë profesor i Fakultetit të arkitekturës në Shkup, Republika e Maqedonisë. Është e rëndësishme të theksohet se ka qenë iniciatori kryesor për t’u formuar Fakulteti i artit figurativ në Shkup. Petar Mazev është një prej autorëve më të rëndësishëm të artit bashkëkohor të Maqedonisë. Ka pasur ekspozita të pavarura si në Maqedoni, ashtu edhe jashtë Maqedonisë: në ShBA, Kinë, Indi, Gjermani, Itali, Zvicër, etj. Është fitues i shpërblimeve dhe lëvdatave të shumta: 11 Tetori i Republikës së Maqedonisë në vitin 1961, në vitin 1979 fiton çmimin e parë në konkursin e Jugosllavisë për vizatim figurativ të enterierit të Përmendores së dëshmorëve të Luftës nacionalçlirimtare në Veles, të cilën gjithashtu e realizon në formë mozaiku, në vitin 1981 ka fituar çmimin “Mosha Pijade” të Sallonit të arteve në Cetinjë, etj.