Shkup, 30 janar – Ekspozita e cila e reflekton “pamjen urbanistike bashkëkohore të kryeqytetit rus “Moska sot”, sonte do të hapet në Muzeun e Qytetit të Shkupit.
“Moska sot” bazohet në fotomaterialet zyrtare të dorëzuara nga Qyteti i Moskës. Para vizitorëve do të prezantohen monumentet e rinovuara për të cilat është e njohur Moska nëpër botë, projekte unikate infrastrukturore dhe arkitekturale të ndërtuara në Moskë viteve të fundit, si dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit, sportit, arsimit dhe kulturës që i ofron njëri nga qytetet më të mëdha të vendit.
Ekspozita mbahet në suaza të shënimit të 24 vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Federatës ruse dhe Republikës së Maqedonisë. Organizatorë janë Qyteti i Shkupit dhe Ambasada e Federatës ruse në Republikën e Maqedonisë.