Në Sallonin ekspozues – Imperial 2 në QIK sonte do të hapet ekspozita e skulpturave nga Naim Iseni që do të zgjasë deri më 17 prill. Iseni ka lindur në vitin 1966 në Vaksincë, Kumanovë. Ka diplomuar në Fakultetin për Arte, dega – skulpturë në Prishtinë në vitin 1992 në klasën e prof. Agim Çavdarbashës. Ka magjistruar në fakultetin e njëjtë në vitin 2002 në klasën e prof. Agim Rudit me temë: “Forma dhe hapësira në kulturën bashkëkohore”.
Deri tani ka mbajtur ekspozita të pavarura në Shtëpinë e kulturës në Kumanovë në vitin 1992 dhe në vitin 2002, si dhe në Art klub AlterNATIV në Shkup dhe Institutin albanologjik në Prishtinë në vitin 2002. Nga viti 1989 deri në vitin 2018 ka marrë pjesë edhe në më shumë ekspozita grupore në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Kanada dhe Itali. Nga viti 2005 është anëtar i “Asociacionit të skulptorëve të Kolumbisë Britanike” në Vankuver, ndërsa është fitues edhe i disa çmimeve për skulpturë.