Shkup, 13 mars– Në Muzeun e Artit Bashkëkohor (MAB) sonte nga ora 19 do të hapet ekspozita ” Pre/Fabric” – shtëpitë e rritura të Shkupit” – projekt për shtëpitë dhe lagjet e montuara në Shkup pas tërmetit të vitit 1963. Autorë janë Millan Mijallkoviq dhe Katarina Urbanek nga Austria.
MAB kumtoi se Pre/Fabric gjurmon pas rrëfimeve të shtëpive në këtë kapitull pak të hulumtuar nga historia e kryeqytetit dhe e shqyrton historinë e ndërtimit të gjashtë shtëpive dhe përvojën e e nikoqirëve nga jeta në to.
Në tërmetin e Shkupit janë rrënuar ose seriozisht dëmtuar 80 për qind e ndërtimeve, ndërsa 150.000 banorë, gjegjësisht tre të katërtat të popullatës kishin ngelur pa shtëpi. Njëkohësisht me pastrimin e gërmadhave kishte filluar edhe projektimi i 17 lagjeve të reja në anët e qytetit të shkatërruar që të sigurohen vendbanime të përhershme para fillimit të dimrit.
Lagjet përbëheshin nga shtëpi të montuara, kryesisht njëkatëshe dhe të parat në Shkup janë porositur vetëm dhjetë ditë pas tërmetit. Në tre muajt e ardhshëm ishte në hov të plotë ndërtimi i lagjeve të montuara, kështu që në dhjetor ishin dorëzuar 10 000 njësi banimi. Deri në fund të vitit 1964 ishin ndërtuar gjithsej 14.068 njësi banimi të cilat siguruan shtëpi të re për rreth 70.000 njerëz.
“Edhe pse shumica e shtëpive janë prodhuar në Jugosllavi, në vetëdijen kolektive të qytetit ngelën të shënuara rreth 2.500 shtëpi të sjella nga shtete tjera, nga të cilat 914 ishin donacion. Importi arkitektonik i shtëpive të montuara, të cilat sot në Shkup ende njihen si “baraka”, një kohë të gjatë e formonte pamjen e qytetit. Edhe pse janë në përdorim më shumë se 50 vite dhe kanë pësuar zgjerime dhe transformime të shumfishta, struktura themelore e lagjeve dhe elementeve të arkitekturës nga Finlanda, Meksika ose SHBA-ja janë të pranishme edhe sot e kësaj dite. Shtëpitë montuese të Shkupit e krijuan teksturën e dendur të qytetit”, bëjnë të ditur nga Muzeu i Artit Bashkëkohor.