“Ekspozita të tilla në këtë kohë të pandemisë do të na ofrojnë një oazë arti për ne ku do të mund të vijmë dhe ta ushqejnë shpirtin në këto ditë jo edhe aq të lehta nëpër të cilat po kalojmë”, tha Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren
Vjollca SADIKU
Prizren, 20 tetor – Bashkëpunimi ndërkombëtar në sferën e kulturës ka lidhur edhe më shumë Dibrën me Prizrenin e Kosovës. Këto bashkëpunime janë urë lidhëse edhe mes institucioneve kulturore, duke prezantuar nëpërmjet artin, trashëgiminë kulturore të Dibrës, kulturën dhe bukuritë e saj. Nën organizimin e Qendrës për Kulturë të Dibrës dhe në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, piktorët nga Dibra – Adem Sulemanoski dhe Dritan Bocku realizuan ekspozitë në qytetin e bukur të Prizrenit, respektivisht në Hamamin e Gaz Mehmet Pashës në Prizren. Hapjen e kësaj ekspozite e bënë dy drejtorët – ai i Qendrës për Kulturë në Dibër, Zinçe Mimidinoski dhe drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, Samir Hoxha.
Mimidinoski tha se kjo ekspozitë është bërë në kuadër të Programit vjetor të kësaj qendre të veprimtarisë ndërkombëtare në mes dy institucioneve të vendeve respektive, ndërsa shënon edhe përafrimin e kulturës, artit dhe traditës së dy vendeve fqinje. Ai shprehu falënderime për drejtorin Hoxha dhe të punësuarit në këtë institucion, si dhe kënaqësinë për interesimin e publikut prizrenas për veprat e autorëve dibran. Ndërsa Samir Hoxha, drejtor i QRTK-së të Prizrenit, gjatë hapjes së ekspozitës, tha se dy piktorë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, Adem Sulemanoski dhe Dritan Bocku, janë dëshmuar me artin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare, duke hapur ekspozita në shumë qytete të mëdha të Evropës.
“Ekspozita të tilla në këtë kohë të pandemisë do të na ofrojnë një oazë arti për ne ku do të mund të vijmë dhe ta ushqejnë shpirtin në këto ditë jo edhe aq të lehta nëpër të cilat po kalojmë”, tha Samir Hoxha. Të dy drejtorët ishin të mendimit se bashkëpunimi do të vazhdoj edhe më tej, derisa në Dibër me aktivitete kulturore do të vijnë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi e Prizrenit. Piktorët Dritan Bocku dhe Ademi Sulejmanoski në Prizren prezantuan 30 punime të tyre të punuara si në pëlhurë, ashtu edhe disa punime të punuara me gurë – tipike nga rajoni i Dibrës. Punimet e Bockut kishin të bëjnë kryesisht me trashëgimin kulturore të qytetit siç janë Hamami, Ura, Liqenin e Dibrës, shtëpi tipike dibrane dhe disa peizazhe tjera, derisa Sulejmanoski punimet e tij i kishte realizuar me gurë në mënyrë tejet profesionale. Ekspozitën e vizituan shumë artdashës prizrenas dhe e njëjta do të jetë e hapur deri më 22 tetor 2020. (koha.mk)