Shkup, 10 maj – Galeria Kombëtare e Maqedonisë (GKM) të shtunën prej orës 20:00 në Çifte Hamam do të hapë ekspozitë të veprave të Ibrahim Kodrës – ndër artistët më të rëndësishëm figurativ nga Shqipëria, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij. Do të prezantohen 57 vepra, kryesisht vaj në pëlhurë, të cilat i pasqyrojnë të gjitha fazat e krijimtarisë së Kodrës, duke filluar prej vitit 1942 deri në vitin 2005. Ai është i lindur në Durrës në vitin 1918, por jetoi dhe krijoi në Itali, ku filloi të studiojë në vitin 1938 me bursë nga qeveria italiane.
Diplomoi në Akademinë “Brera” në Milano, ku jetoi deri në fund të jetës në vitin 2006. Atje krijoi, u shoqërua dhe ekspozoi me emrat më të njohur të artit botëror të asaj kohe, si: Pablo Pikaso, Anri Matis, Amadeo Modiljani, Zhorzh Ruo, Zhorzh Brak, Huan Miro, Oskar Kokoshka dhe të tjerë, ndërsa në Milano ka përpunuar disa freska për muzetë dhe ndërtesat më të njohura. Drejtpresha e GKM-së, Dita Starova-Qerimi në konferencë për shtyp tha se 57 veprat që një muaj do të prezantohen para publikut të Maqedonisë janë një pjesë e vogël nga opusi i madh i Kodrës, i cili përbëhet prej rreth 6.000 veprave.
Tridhjetë e gjashtë janë sjellur nga Fondacioni “Ibrahim Kodra” nga Milano, njëzet janë dhënë nga Galeria kombëtare e Kosovës, ndërsa një pikturë është e një pronari privat nga Maqedonia. Piktura më e madhe ndër të ekspozuarat është “Shqipëria fantastike”, për të cilën është i njohur Kodra, tha Starova-Qerimi.
“Kodra është në mesin e autorëve më të rëndësishëm të cilët vlejnë të prezantohen në galerinë tonë në vitin kur shënojmë 70 vite të ekzistimit”, tha drejtoresha e GKM-së. Ambasadori i Italisë, Karlo Romeo theksoi se ekspozita është mundësia e vetme për t’u parë, siç tha, veprat e jashtëzakonshme të Kodrës, prej të cilave pjesa më e madhe vijnë nga Milano.
“Krahas këtyre veprave të vlefshme të cilat do të mund të shihen në këtë galeri të mrekullueshme, duhet të ceket edhe ajo se ekspozita bashkon disa vende. Ky është qëllimi kryesor i artit – t’i afrojë njerëzit dhe kulturat”, tha Romeo. Ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka shtoi se Kodra është shqiptar o cili ka krijuar në Itali, por, tha, ai është qytetar evropian i cili ka bashkëpunuar dhe ka kontaktuar me artistë të rëndësishëm botëror. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri tha se në muajt në vijim, me mbështetje të Ministrisë, në GKM do të prezantohen projekte edhe nga artistë të tjerë shqiptarë, si Agim Kastrati dhe Aris Ala.