Shkup, 25 shtator – Sonte në Tetovë më saktë tek ish Radio Tetova, në orën 19 do të hapet ekspozita e fotografive të Shpatina Fej e titulluar “Te der’ e huj”.
“Mendësia patriarkale gjithnjë ka qenë një shqetësim i madh për gratë kudo në botë e veçanërisht në trojet tona ku kjo mendësi në vend që të fillojë të shkulet nga gjeni i gjeneratës po lëshon vazhdimisht rrënjë të reja dhe kjo më shumë falë vetë grave. Atyre grave që bëhen nëna e si të shtrënguara nga dora e fortë e mendësisë patriarkale në të cilën janë rritur po i shtyjnë edhe bijat e tyre në po atë rrugë. Po i mësojnë që ” te der’e huj” cuca nuk e ngre zanin, ajo pyet nuk vendos, ajo kokulur i bindet edhe më të vegjëlve të shtëpisë, duke e edukuar në këtë formë bijën e tyre këto nëna po krijojnë vajza pa individualitet, vajza të cilat janë të destinuara për të qenë të shtypura. Kjo mendësi duhet të ndryshojë për të mirën e shoqërisë sonë.
Dhe ky ndryshim është i domosdoshëm për përparimin e saj.
Kjo ekspozitë ka të bëjë pikërisht me këtë temë, e cila është vështirë të trajtohet në vende si Tetova, ku shumica e njerëzve rrojnë me këtë mendësi”, shkruan Kaltrina Sadiku.