Gostivar, 13 mars – Me ekspozitë të fotografive në temë “Parandalim i ekstremizmit të dhunshëm” kanë vazhduar aktivitetet e projektit “Forcimi i rezistencës së bashkësive lokale ndaj ekstremizmit të dhunshëm në Maqedoni”.
Njëzet fotografi të bëra nga nxënës të shkollave të Gostivarit sot janë prezantuar në Qendrën e kulturës “ASNOM”. Fotografëve të rinj më të suksesshëm Enes Abduli dhe Marija Mitrevska u janë ndarë çmime.
Në hapjen e ekspozitës kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka theksuar se përcaktimi i pushtetit lokal është të avancojë bashkëjetesën.
“Komuna jonë çdoherë do të mbështesë dhe aktivisht do të merr pjesë në aktivitetet që para së gjithash nënkuptojnë respektim të të drejtave dhe liritë njerëzore, mosdiskriminim, sundim i mirë dhe avancim i vlerave demokratike, respektim të aspekteve ndërkulturore dhe ndëretnike që janë në fakt parime bazë të Strategjisë kombëtare për përballje me ekstremizmin e dhunshëm”, ka thënë kryetari i komunës, Arben Taravari.
Ekspozita është pjesë e aktiviteteve të Qendrës për bazë të përbashkët- Shkup me të cilën përfshihen komunat e Çairit, Gostivarit dhe Kërçovës.
Projekti ka për qëllim të mbështesë strategjinë nacionale dhe planin aksionar për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm përmes formimit të ekipeve aksionare në bashkësitë në komunat Çair, Gostivar dhe Kërçovë.
“Në këto aktivitete ka elemente të bashkëpunimit, komunikimit dhe lidhjes së pjesëmarrësve me origjinë të ndryshme etnike, duke promovuar tolerancë, bashkëjetesë të qetë, kohezion social dhe bashkëpunim në nivel të kulturës”, ka thënë Vilma Venkovska -Millçev nga Iniciativa qytetare “Qendër për bazë të përbashkët”.
Ndryshe, projekti zbatohet me mbështetje të Ambasadës britanike dhe Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Shkup dhe do të zgjat deri në tetor të vitit 2020. (koha.mk)