Kumanovë, 24 tetor – Në Galerinë e Arteve në Kumanovë sonte do të hapet ekspozita e parë personale e artistit figurativ Ardian Kadriu.
Ekspozita e titulluar “Kaos” përmban shumë skulptura të organizuara në një vepër monumentale. Ajo do të jetë e hapur deri më 5 nëntor.
Kjo është ekspozita e parë e artistit nga Kumanova i cili ka diplomuar në Fakultetin e Artit Figurativ pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ka diplomuar në vitin 2015 në klasën e profesorit Xhelil Rufati në drejtimin skulpturë. Në vitin 2012 ishte bashkautor në veprën skulpturore “Jusuf Bageri” të profesorit Muamer Sadiku, ndërsa që nga viti 2015 punon si mësimdhënës i artit figurativ në SHF “Faik Konica” në fshatin Sllupçan.
Kadriu ka punuar edhe si skenograf në më shumë se pesëmbëdhjetë filma dhe shfaqje teatrore. Është fitues i mirënjohjeve dhe çmimeve të organizuara në disa qytete të Maqedonisë.